E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne dhe Europa

9 maji është Dita e Europës. Për një europian të mirë, është dita e krijimit të bashkësisë europiane, një datë simbol
i krahasueshëm me 4 korrikun amerikan. Për shkak se Europa si koncept është një hapësirë politike dhe gjeografike në zhvillim, ende disa vende nuk janë anëtare politike të saj dhe ende procesi i zgjerimit nuk ka përfunduar, 9 maji vlen më shumë si një datë simbolike, jo ditëlindje e një shteti të madh. Sepse, shteti europian ende nuk ekziston. Ekzistojnë shtete në BE, shtete në zonën euro, shtete europiane, por ende jo një Europë – shtet, e bashkuar politikisht, e njësuar ekonomikisht, me institucione të qëndrueshme dhe vendimmarrje efektive në çdo km të saj. Siç shkruante rreth dy dekada më parë Kisinger, Europës ende i mungon një numër telefoni, përmes të cilit pjesa e tjetër e botës të konsultohet, të kërkojë ndihmë apo partneritet. Europa përbën një mozaik shtetesh, kulturash, interesash, historish, simbolesh dhe traditash, të cilat ende nuk janë të gatshme të cenojnë sadopak identitetet e tyre lokale në dobi të identitetit europian. Një botë gjithnjë e më globale, rreziqe gjithnjë e më globale, rivalë e partner gjithnjë e më globalë, kërkon edhe një Europë gjithnjë e më konkurruese, imponuese dhe efektive në zhvillimet globale.
Kjo përmbledhje e shkurtër e asaj çfarë është, çfarë i mungon dhe çfarë do duhet të përfaqësojë Europa, e thënë në gjuhën shqipe, ka pak rëndësi e kuptim. Sepse, Shqipëria ende nuk është pjesë e BE-së, eurozonës dhe hapësirës politike europiane. Sepse, në Shqipëri miti mbi Europën dhe ndaj gjithçkaje europiane nuk lejon kritika, hezitime apo hamendësime rreth asaj çfarë kjo njësi globale përfaqëson. Sepse, në imazhin e qytetarit shqiptar, Europa përfaqëson vlerat dhe parimet më të mira, begatinë dhe sigurinë, një botë tek e cila duam të arrijmë, pra një vizion mitik, i cili sa më shumë njohim dobësitë tona lokale, aq më shumë na largohet.
Në Tiranë gjithnjë festohet Dita e Europës. Zakonisht bëhet ndonjë pritje, pihet pak shampanjë, hapet ndonjë ekspozitë dhe organizohet ndonjë koncert me muzikë klasike. Menyja e festës është e njëjtë, si këtu, ashtu edhe në Berlin e Paris, Londër e Bruksel. Të njëjta janë edhe lëvdatat, fjalët që thuhen, imazhet mediatike, etj. Vite më parë studiuesi gjerman D.Nohlen shkruante se: “Problem kryesor i shoqërinë parademokratike është se politikanët vendimmarrës nuk thonë atë që mendojnë, por atë që duan të dëgjojnë të tjerët dhe se nuk dëgjojnë atë që thonë të tjerët, por vetëm atë që përputhet me atë çfarë ata vetë duan të dëgjojnë”. Kjo ndodh edhe në Tiranë, çdo ditë, përfshirë edhe datën 9 maj.
Një palë feston dhe sillet si të ishte vetë Europa, e identifikon veten me gjithçka europiane dhe në emër të këtij identiteti europian i sulet palës tjetër, e fyen, e përçmon, e akuzon dhe këto që mendon apo flet kundër e identifikon me vlerat antieuropiane. Një palë tjetër ankohet, proteston, bën grevë urie dhe në emër të vlerave të munguara europiane kërcënon bllokimin e sistemit politik dhe premton se vetëm nëse ajo fiton pushtetin, ne dhe Europa do të jemi e njëjta gjë. Palë të tjera nuk ka, sepse politika në Tiranë gjithnjë është bipartizane, madje më shumë se kaq, është midis dy personave. Kur ata grinden vendi kalon në krizë, shoqëria përçahet, kemi mitingje dhe antimitingje, kemi akuza e kundërakuza, kemi bllokim të jetës politike dhe institucionale, pra kemi gjithçka që ka një vend që nuk ka lidhje me Europën, siç ne e njohim. Kur ata pajtohen vendi bie në qetësi, brenda pak orëve ndryshohet kushtetuta dhe sistemi politik, të vegjlit shtypen me këmbë, nuk ka vend për institucione, por vetëm për dy lider e mëkëmbës të tyre, bëjnë lista elektorale dhe emërojnë deputetët.
Pak metra më tutje ‘Rognerit’ apo Galerisë së Arteve, ambasadës së BE-së apo Teatrit të Operas, Tirana tjetër, ajo e qytetarëve të thjeshtë që ushqim kryesor kanë politikën, por prandaj janë gjithnjë të uritur, vizioni për Europën është krejt tjetër. Disa e shohin Europën, siç thoshte për 1913-ën Fishta, “kurva e motit”, disa e shohin si një bashkësi të ftohtë paragjykuese ndaj besimit të shumicës tonë fetare, disa e barazojnë atë me heqjen e vizave, disa si një dhuratë që na takon kështu si jemi, disa si modeli që duam t’i ngjajmë, të tjerë si një hambar i madh që duhet të paguajë për rrogat tona, investimet, ndihmat që na duhen e gjithçka tjetër. Ka edhe nga ata që shohin tek Europa atë çfarë ne ende nuk jemi, që flasin e sillen ndaj saj me bindje e përulësi si ndaj Zotit, por edhe nga ata që shohin tek Europa modele si Berluskoni apo Papandreu, Doris Pack apo Svoboda, dy tipa politikanësh drejtues, të cilët në raport me Shqipërinë, kur flasin për të njëjtën gjë, thonë gjëra krejt të ndryshme.
Me këto imazhe dhe keqkuptime, lëvdata dhe paragjykime, Europa vjen tek ne ashtu siç ajo nuk është, si engjëll apo si djall. Pak, shumë pak prej politikanëve dhe qytetarëve kanë aftësinë të dalin prej këtij leximi ballkanik për të kërkuar tek Europa dhe identiteti i saj atë çfarë ne ende na mungojnë, vlerat e demokracisë, vlerat e lirisë, të transparencës, institucioneve, shtetit të së drejtës, harmonisë jo vetëm sipërfaqësore etnike e fetare, përgjegjësisë dhe moralit politik. Të mësuar nën sundimin e pashallarëve të huaj apo shqiptarë, ne nuk kemi një traditë jete në liri, ne ende nuk kemi krijuar një bindje reale ndaj ligjit, ne ende nuk pranojmë të zëvendësojmë liderët e fortë me institucionet e forta kushtetuese, ne ende pushtetin nuk e shohim si mundësi për shërbim, por si një dhuratë të Zotit, për ta fituar dhe për ta mbajtur me çdo kusht.
9 maji i vitit 2010 e gjen Shqipërinë në ditën e saj më pak europiane. Opozita në rrugë për një të drejtë pushteti që ajo ka bindjen se i është marrë, maxhoranca me arrogancë në antimitingje për një të drejtë pushteti që ajo ka bindjen se i takon, institucionet kushtetuese në heshtje, në pritje të duelit dhe pashait të radhës, kryetari i shtetit që kërkon dialog e ndihmë tek të huajt, media që anatemon, por edhe ushqehet me prenë politike që prodhon kriza, diplomatët e huaj të cilët më shumë shqetësohen për një grup të rinjsh protestues kundër homoseksualëve sesa për krizën e rëndë ku, edhe në mos me ndihmën, të paktën me lejen e tyre, ndodhet vendi. Askush në vendin që duhet të ketë, të gjithë në vendin e rolin e gabuar.
9 maji është Festa e Europës, por ende jo e Shqipërisë në Europë. Ne jemi larg, ne festojmë ende madhërishëm 1 apo 5 Majin, 28 apo 29 Nëntorin, por bëjmë sikur festojmë edhe 9 Majin, siç bëjmë sikur jemi europianë, vetëm sepse vishemi njësoj, flasim njësoj, kemi makina të njëjta, bëjnë pushime në të njëjtin plazh, luajmë futboll në të njëjtën fushë, blejnë në të njëjtin supermarket, dëgjojnë të njëjtën muzikë e pimë të njëjtën shampanjë. Në fakt ne nga mëngjesi në darkë nuk mendojmë si europianë dhe mjafton kjo për të bërë diferencën midis asaj çfarë feston Europa dhe asaj çfarë ne duam të festojmë. Më 9 maj 2010 ata duan sistem vlerash ne duam heqje vizash. Ata flasin për sfida globale, ne për grindjet e ashpra lokale, ata na kujtojnë interesat dhe aspiratat e Shqipërisë, ne u përgjigjemi me interesat e partive dhe liderëve politikë. Ndaj, më 9 maj nuk ka vend për shampanjë në Tiranës, nuk ka vend për festë, nuk ka gjë për të festuar dhe është një arsye më shumë për të ndaluar me ligj mbajtjen e pamerituar të flamurit të Europës së Bashkuar në zyrat e një shteti që nuk sillet si i tillë, në zyrat e politikanëve që sillen si pashallarë, në mitingjet e palëve për të cilët bota fillon e mbaron me karrierën e tyre personale.
Nderimi për Europën, festa për Europën ka vlerë vetëm kur të ndodhë e kundërta, siç vetë BE dhe SHBA u shprehën javën e kaluar, kur politikanët shqiptarë të vendosin interesat e vendit mbi ato personale, kur interesat e Shqipërisë të jenë mbi ato të partive politike dhe kur politikanët në qeveri e në çadra t’i harxhojnë energjitë e tyre jo për marrjen apo mbajtjen më çdo kusht të pushtetit, por për t’u shërbyer sa më mirë, me transparencë, besim, përgjegjësi e devocion qytetarëve votues.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›