Gaz lotsjellës në Korçë ndaj protestuesve
Aristir Lumezi
Dita e dytë e bllokimit të akseve kombëtare rrugore nga socialistët u shoqërua dje me ndërhyrje të policisë ku u përdor dhe gaz lotsjellës. Protestuesit nën drejtimin e deputetëve socialistë bllokuan akset kombëtare Korçë-Pogradec, Tepelenë-Gjirokastër dhe Vlorë-Sarandë në Orikum. Në protestën e mbështetur prej socialistëve në çërravë në aksin nacional Korçë-Pogradec, forca të shumta të policisë kanë ndërhyrë me forcë duke përdorur shkopinjtë e gomës si dhe një sprajt, i cili ka sjellë djegie në sytë dhe në lëkurën e protestuesve. Për disa minuta mes protestuesve dhe policisë, ku ishin të pranishme dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ka pasur tension dhe është tentuar vazhdimisht që rruga të zhbllokohet. Mes protestuesve ishin edhe deputetë socialistë të Korçës dhe Pogradecit, Pandeli Majko, Mimi Kodheli dhe Alfred Dalipi. Deputetët Majko, Kodheli, Dalipi kanë ngritur një padi penale për shpërdorim detyre dhe ushtrim dhune me pasoja, ndaj Kreut të forcave Speciale të Shkodrës Ivzi Bushati, i cili bashkë me forcat speciale të Shkodrës ka qenë prezent në këtë protestë. Ndërkaq drejtori i policisë së Qarkut të Korçës, Bernard çaushi, ka ngritur një padi penale ndaj deputetit të PS, Pandeli Majko. “Majko akuzohet për kundërshtim me dhunë të drejtorit të policisë së Korçës”, ka deklaruar çaushi për mediat. Dje janë ndaluar katër protestuesë, Agim Turku, Seladin Mekolli, Detar Liko dhe K. Tanellari. Në Tepelenë protestuesit janë mbledhur fillimisht në sheshin kryesor dhe më pas protestuesit janë zhvendosur drejt rrugës nacionale Gjirokastër - Tepelenë. Protestuesit kanë mbajtur të bllokuar për 20 minuta aksin. Edhe pse policia ka qenë e lajmëruar më parë për protestën, ajo ka ndërhyrë për të lejuar qarkullimin e automjeteve. Situata është tensionuar së tepërmi në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë mes protestuesve dhe policisë. Vetëm 30 minuta pas përfundimit të protestës policia e Tepelenës ka ndaluar 6 persona pjesëmarrës në protestë ndërsa aktualisht dhjetëra njerëz janë mbledhur përpara komisariatit në shenjë kundërshtimi ndaj masave të marra nga policia. Mësohet se personat e ndaluar janë: Gëzim Cunaj, Luan Gerbi, Besa Pata, Astrit Pasho, Novruz Shehu dhe Përparim Hodo. Në Vlorë, në qytezën e Orikumit banorët tentuan të bllokonin aksin nacional Vlorë- Sarandë, në Orikum. Forcat e shumta të policisë ndërhynë për të liruar rrugën, për qarkullimin normal të automjeteve. Dje në Tiranë, Arben Simoni, nga Lezha protestues i PS, është ndaluar nga policia e kryeqytetit pasi ka goditur një shtetas pranë stacionit të Trenit, i cili po kalonte në atë moment në rrugë me mjetin e tij.
Policia
Nga ana e saj, policia e shtetit, përmes një komunikimi për shtyp sqaroi se “në asnjë rast strukturat e policisë nuk kanë përdorur gaz lotsjellës, si dhe mjete speciale ndaj pjesëmarrësve në tubim dhe veprimet e kryera nga punonjësit e policisë kanë qenë në respekt të plotë të ligjit”. “Ndërkohë protestuesit në të dyja rastet kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë. Policia e Shtetit, sërish i bën thirrje qytetarëve për mos bllokimin e akseve rrugore, pasi “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” përbën vepër penale dhe sipas nenit 293 të Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 3 vjet”, u shpreh zëdhënësja e policisë së shtetit, Plangarica. Ndërkohë mësohet se tre nga protestuesit e Partisë Socialiste të cilët bllokuan dy ditë më parë për gati 30 minuta autostradën Tiranë- Durrës, në kuadër të mbështetjes së grevistëve të urisë, dje i është firmosur urdhër ndalimi. Nga policia e Durrësit mësohet se ndaj tyre rëndon akuza për bllokim të trafikut rrugor. Të ndaluarit janë Erjon Bregasi, Afrim Duku dhe Seit Xhunga, ndërsa 5 protestues janë shpallur në kërkim Llazar Mazniku, Ilir Ngresi, Hekuran Shehu, Altin Baku, Ismail Isaku.
Protesta
Kryetari i PS, Edi Rama, në fjalimin e tij në protestën e djeshme para çadrës së grevës së urisë, deklaroi se kryeministri Berisha nuk mban peng vetëm votën e lirë, por edhe zhvillimin ekonomik dhe procesin integrues të vendit. Rama, theksoi se hapja e kutive është diçka e domosdoshme në mënyrë që vendi të hyjë në rrugën e zhvillimit. “Kjo gënjeshtër e kthyer në sistem nuk është vetëm në kutitë e 28 qershorit, por edhe në kutinë e mbyllur të ekonomisë shqiptare, të informacionit, të Parlamentit. Ne duhet t’i hapim këto kuti për t’i hapur rrugë Evropës, sepse ne e duam Evropën këtu”, ka pohuar Rama. Në fund kreu i PS ka rikonfirmuar synimin e partisë së tij për të mos u tërhequr nga protestat dhe ka ftuar gjithë shqiptarët që të mblidhen në Tiranë më 14 maj. “Ne nuk lodhemi, nuk mërzitemi dhe nuk tërhiqemi në këtë betejë, që është për të garantuar që pushteti të mos merret më në tavolinë siç u mor më 28 qershor. Të gjithë të mblidhen më 14 maj, të gjithë artistët, të cilët janë solidarë të kësaj proteste, për të hapur rrugën për çdo shqiptar”, ka shtuar Rama.
Spartak Ngjela
Kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela deklaroi nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, se në 14 Maj kjo Qeveri do marrë mësimin përfundimtar, ndërsa ftoi qytetarë nga e gjithë Shqipëria t’i bashkohen kësaj proteste paqësore. “Në datën 14 do marrë mësimin përfundimtar, të gjithë në Tiranë, me kuaj me karroca, me biçikleta me gjithçka, ta bllokojmë Tiranën në një protestë të madhe paqësore”, u shpreh Ngjela. Ai theksoi ndër të tjera se, qytetarët nuk duhet të tremben nga Sali Berisha, pasi 1 milion shqiptarët kërkojnë të drejtën e tyre. “Të mos trembemi nga një taleban si ky, përpara të gjithë. është i detyruar që 1 milion shqiptarëve t’i tregojë votat e tyre”, nënvizoi Kreu i PLD-së.