Në ditën e dytë të vizitës në Bejrut, Kryeministri Fatos Nano u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Asamblesë së Libanit, Nabih Berri. Në fillim të takimit, dy autoritetet s
Në ditën e dytë të vizitës në Bejrut, Kryeministri Fatos Nano u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Asamblesë së Libanit, Nabih Berri.
Në fillim të takimit, dy autoritetet shprehën konsideratat për marrëdhëniet e mira midis dy popujve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në veprën e Nënë Terezës gjatë luftës civile në Liban.
Z.Berri vlerësoi vizitën e Kryeministrit Nano si një moment të rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat.
Z.Nano vlerësoi faktin se Libani përbën një vend model në rajon për bashkëjetesën mdis komuniteteve të ndryshme fetare dhe etnike. Shqipëria gjithashtu, theksoi z.Nano,vlerësohet nga bashkësia ndërkombëtare si një faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit.
Dy autoritetet ndanë të njëjtin mendim për ridimensionimin e marrëdhënieve bashkëpunuese dhe bashkëvepruese në të gjitha fushat me interes të ndërsjeltë, veçanërisht në fushën ekonomike, ku dy vendet kanë mundësi bashkëpunimi për nxitjen e inisiativave sipërmarrëse.
"Edhe në bisedimet me Kryeministrin Hariri u ra dakort të intensifikohen kontaktet dhe shkëmbimet e zyrtarëve të të gjitha niveleve, përfshirë edhe përfaqësuesit e sektorit privat", tha z.Nano. Në intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, vijoi më tej Kryeministri, një rol të spikatur mund të luajnë parlamentet e të dy vendeve. Në këtë aspekt, shtoi ai, parlamentet mund të mbështesin nismat e ndryshme të ndërmarra nga ekzekutivi për nënshkrimin e marrëveshjeve mes dy qeverive. "Ka një numër marrëveshjes, kryesisht në fushat e ekonomisë dhe tregtisë që duhen përfunduar sa më shpejt nga ministrisë përkatëse për t'u ratifikuar më pas në parlament". Si hap të parë në këtë drejtim, theksoi Kryeministri Nano, është fillimi i bashkëveprimit midis dy Komisioneve të Politikës së Jashtme, Ekonomisë etj..
Z.Berri, nga ana e tij, garantoi se Asamblea e Libanit do t'i japë mbështetje të plotë këtyre marrëdhënieve dhe inisiativave dypalëshe në të gjitha aspektet. Ai i shprehu Kryeministrit Nano ftesën për Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë për një vizitë në Liban.
Po sot, Kryeministri Fatos Nano u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme, Jean Obeid, Ministrin e Ekonomisë, Marëan Hamade, me të cilët diskutoi për hapat e mëtejshëm për konkretizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.