Operacioni “Ndjekja”, sekuestrohen 650 kg marijuanë nga Lazarati
Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar një sasi të madhe marijuane prej 650 kg gjatë operacionit “Ndjekja” të finalizuar ditën e djeshme. Agjentët kanë identifikuar transportuesit e lëndës narkotike dhe po punojnë për ndalimin e tyre. Droga e cila ishte prodhuar në fshatin Lazarat po nxirrej nëpërmjet një kamioni, për t’u çuar në Sarandë. Por policia kishte rënë në gjurmë të transportuesve duke sekuestruar drogën në afërsi të fshatit Goranxi. Sipas burimeve, po punohet për të vënë në pranga transportuesit e lëndës narkotike, të cilët si pasojë e motit të keq kanë arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes. Droga do të çohej në Sarandë, ku sipas hetuesve, pikëmbërritja e saj ishte tregu në vendin fqinj, Greqinë.
Operacioni
Rreth orës 23:30 të së mërkurës, në aksin rrugor Gjirokastër-Jorgucat, pas marrjes së informacioneve në rrugë operative se nga fshati Lazarat po dilte një sasi droge, specialistët dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë ngritur postblloqe dhe pika kontrolli të fshehta. Transportuesit e drogës, rreth orës 03:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, me një kamion ku kishin ngarkuar marijuanë kanë filluar lëvizjen nga fshati Lazarat për në Sarandë nga një rrugë dytësore rrëzë kodrës së fshatit Dervicjan. Nisur nga kjo, uniformat blu në dalje të fshatit Goranxi në rrugën dytësore kanë ngritur një tjetër postbllok dhe kanë filluar krehjen e Kodrës mbi fshatin Dervicjan dhe fshatin Goranxi. Duke parë postblloqet e shumta nga policia, në fshatin Goranxi, personat të cilët po transportonin këtë lëndë narkotike, duke iu trembur arrestimit kanë braktisur lëndën narkotike afër një ndërtese në ndërtim e sipër dhe janë larguar me shpejtësi, duke përfituar edhe nga errësira dhe moti shumë i keq me stuhi. Agjentët kanë arritur që të gjejnë sasinë e drogës dhe të sekuestrojnë lëndën narkotike, e cila ishte e futur në 28 çanta shpine të mëdha. Ajo ishte e ndarë në pako të mbështjella me letër natriban ngjyrë kafe. U kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe ligjore, u bë sekuestrimi i lëndës narkotike, si dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.