E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në emër të birit ose të nxënësit

BESNIK MUSTAFAJ

Ende si kisha mbushur nëntë vjet kur regjimi i kohës, i quajturi pushtet i popullit, e shpalli zyrtarisht Shqipërinë vend ateist dhe ndaloi me ligj çdo formë të ushtrimit të fesë. Besimi në Zot u përcaktua si opium për popullin dhe u shpall armik kombëtar. Kishat dhe xhamitë u rrafshuan, librat fetarë u dogjën, klerikët, ata që shpëtuan nga burgu, u veshën me kominoshe e me çizme dhe u dërguan të punonin në ferma e në uzina për të mos vdekur urie. Në Kodin Penal u shtuan nenet me dënime deri në dhjetë vjet burg për këdo që guxonte të bënte kryq apo të binte në gjunjë  për tu falur qoftë edhe brenda shtëpisë së tij.
Më kujtohet heshtja që sundonte në shtëpinë tonë në Tropojë teksa gjyshi dëgjonte në radio lajmet. Gjithë populli, sipas radios, rinia sidomos, por edhe gratë, burrat, pleqtë, ishin ngritur në këmbë me pishtarë në duar të digjnin errësirën robëruese me të cilën feja e kishte mbushur trurin e njerëzve të paditur për shekuj e shekuj me radhë. Kjo shënonte fundin e pakthyeshëm të së kaluarës. Unë ndërkohë isha i mbushur plot me një ndjesi të përzier turpi dhe sikleti, por që nuk guxoja ta shprehja në sy të gjyshërve dhe të nënës. Të nesërmen, në shkollë, mësuesja do i pyeste një nga një fëmijët nëse ishin bashkuar me prindërit gjatë shembjes së xhamisë, gjatë djegies së rasës së priftit apo gjatë rrafshimit të varrezave të qytetit, ku deri dje, të gjallët mendjemykur u kishin vënë te koka të vdekurve kryqe apo gjysmëhëna të gdhendura në gur apo të derdhura në allçi.
Mua më vinte, qysh një ditë para, turp kur të nesërmen do të isha i detyruar të pohoja faqe gjithë klasës se gjyshi, gjyshja, ashtu si dhe nëna ime, nuk ishin bashkangjitur me gjithë popullin për të çuar në vend fjalën ndriçuese të Partisë. Për babain nuk kisha çthosha. Ai dilte si zakonisht nga shtëpia ndaj të gdhirë për të shkuar në punë e kthehej në mbrëmje vonë, pasi mua më kishte zënë gjumi. Unë e dija se çpo ndodhte gjithandej tashmë, ani pse nëna, me tu kthyer nga shkolla, nuk më lejonte më të vija këmbën jashtë pragut të oborrit. E dija nga radio. Kaq do të më kishte mjaftuar për ta treguar gjerë e gjatë euforinë e përditshme të asaj përmbysjeje të pashembullt në historinë e Shqipërisë. Por do të vinte çasti kur mësuesja do të më pyeste konkretisht se në cilën ngjarje kishin marrë pjesë të djeshmen vetë prindërit e mi? Cilit hoxhë ia kishin rruar mjekrën në mes të lagjes, nën yshtjet gazmore të turmës revolucionare? Aty do të skuqesha e do të më mbulonin djersët e turpit. Isha i sigurt se gjyshi, gjyshja dhe nëna ime kishin qëndruar mbyllur në shtëpi, a thua se i fshiheshin një murtaje. Dhe jo vetëm kishin qëndruar mbyllur në shtëpi, por edhe njëri me tjetrin ishin marrë vesh më shumë me shenja se me fjalë, gjë që nuk më kishte ndihmuar mua as të kuptoja disi se çfarë mendonin ata. Shpresa e vetme për të më nxjerrë nga sikleti mbetej babai. Ai vazhdonte zakonin e daljes në agim e të kthimit afër mesnatës. Por, edhe kur qëllonte, në të rrallë, të kthehej pak më herët, dhe bëhej kështu pjesë e darkës familjare, ai nuk çelte kurrë biseda rreth ditës së tij të punës. As gjyshërit, ashtu si nëna ime, të paktën faqe nesh, fëmijëve, nuk e pyesnin. Ky rregull zbatohej me rreptësi të plotë. Në një nga këto mbrëmje, unë nuk e përmbajta dot ankthin dhe, i mbushur me një guxim të papritur, e pyeta se ku po e zhvillonte ai betejën e vet. Babai, i vetmi i shkolluar në familjen tonë, madje i shkolluar në Tiranë, do të duhej ta mirëkuptonte hallin tim. Ende pa e mbaruar pyetjen, babai më përfshiu me një vështrim të çoroditur.
- Cilën betejë? – Kishte sakaq një zë të acaruar, por që unë nuk desha ta vija re. Duhej ti tregoja se dija edhe unë të isha i vendosur.
- Betejën kundër fesë, siç po bën mbarë populli ynë përparimtar.
- Nuk janë punë për ty këto, – ma preu shkurt. Nuk janë punë fëmijësh. Dëgjove? Nuk janë punë për ty. Unë mbeta pa gojë. Babai nuk ishte treguar kurrë kaq i paduruar me mua. Edhe kur nuk i pëlqenin ndërhyrjet e mia, ai prapë e gjente fjalën e duhur për të më sqaruar pa e humbur butësinë. Kësaj here ai u bë krejt tjetër.
Si nuk ishin punë për mua këto? E dinte ai në çdarë na vinte ne mësuesja në shkollë, apo jo? Këto dhe shumë pyetje të tjera të ngjashme më vërshuan mizëri në kokë, por që nuk bëhej më fjalë ti shtroja. Babai më kishte tronditur shumë me ashpërsinë e vet të panjohur. Ai kishte një autoritet të tillë mbi mua, sa edhe me butësinë e zakonshme do më kishte detyruar verbërisht të besoja se ajo që po ndodhte nuk ishte vërtet punë për mua e se mësuesja gabonte që na përziente ne, fëmijëve, në këtë histori të ngatërruar. Ky babai tjetër, që po zbuloja, vërtet ma mbylli gojën, por edhe më zgjoi një inat gurgullues kundër atyre që më kishin bërë kokën, inat që unë, sigurisht, do të duhej ta mbaja përbrenda si një llavë zjarri. U ndjeva i dobët, i braktisur. Nuk kisha më kujt ti kërkoja ndihmë. Ku do ti fshihja të nesërmen djersët e ftohta kur të pohoja para gjithë klasës se prindërit e mi i kishin bërë bisht detyrës historike?
Edhe ashtu, duke zier nga inati, e dija, megjithatë, që nuk do të kisha zemër të shisja prindërit para të tjerëve. Vetëm do të heshtja me sytë përdhe, me fytyrën që më përcëllonte nga turpi. Mësuesja nuk do të ndjente pikë mëshire për mua. Edhe pa pohimin tim, ajo do ta merrte me mend çpo ndodhte dhe do të më drejtohej, duke më tundur gishtin, që ta shihnin të gjithë shokët, se prindërit e mi ishin dezertorë ndaj detyrës së madhe të revolucionit. Kjo është shumë e rëndë, do ta ngrinte ajo zërin edhe më shumë. E kupton ti sa e rëndë është kjo? Domethënë se më takonte mua në vazhdim të bëja detyrën time, që do të thoshte se duhej të shpjegoja përse ata i kishin bërë bisht detyrës revolucionare. Kjo ishte më e tmerrshmja: Nuk pranohej të ishe i sinqertë. Unë mund ta kisha kapërcyer pyetjen e saj me një mbledhje të supeve. Mund edhe të belbëzoja nëpër dhëmbë duke u betuar se nuk e dija çi mbante prindërit e mi larg asaj stuhie. Por jo, mësuesja doemos që nuk do të kënaqej me përgjigjen time. Ajo do të më urdhëronte kërcënueshëm të tregohesha i sinqertë. Bijtë e Partisë, do të më skërmitej mësuesja, e hapin zemrën para shokëve. Apo jo? Do të kërkonte ajo mbështetjen e klasës. Unë do të dëgjoja një po bubullimë, sa edhe muret e shkollës të dridheshin.
Sinqeritet në shpjegimin e sjelljes së prindërve të mi, sipas mësueses sime, do të thoshte që unë të shpalosja para fëmijëve të tjerë gjithë përçmim se prindërit e mi ishin besimtarë të verbuar dhe nuk u bënte zemra të bashkoheshin me fjalën e Partisë. Me fjalë të tjera, e kishin trurin të mpirë nga opiumi fetar. Unë nuk isha në gjendje të pohoja me zemër në dorë se prindërit e mi ishin njëmend besimtarë të devotshëm. E dija se në shtëpinë tonë kremtoheshin të gjitha festat fetare, ca nga të cilat, siç kam mësuar më vonë, nuk kishin lidhje me islamin si, bie fjala, Shën Gjergji, Shën Kolli e ndonjë tjetër. Në betimet e pathyeshme të gjyshërve dhe të nënës sime hynte edhe Për emër të Zotit. Nuk gatuhej kurrë mishi i derrit. Por kaq nuk i mjaftonte mendjes sime prej fëmije të shprehej me siguri se prindërit e mi ishin besimtarë të verbër. Në të vërtetë kisha edhe një pengesë e pakapërcyeshme për ta pranuar një cilësim të tillë. Sipas fjalës së Partisë, besimtarët e verbër ishin njerëz injorantë. Ndërkohë që babai im ishte ndër burrat më të shkolluar të krahinës sonë. Për gjyshin nuk e dija sa shkollë kishte kryer, por e shihja me sytë e mi se ai pjesën më të madhe të ditës e kalonte duke lexuar. Gjyshja dhe nëna ishin më larg botës së dijes, por as ato nuk më dukeshin aspak injorante. Isha i vendosur të mos e poshtëroja familjen time sikur edhe në prush të ma fusnin kokën.
Mbetej vetëm një mundësi e dytë: të pranoja se të mëdhenjtë e familj

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›