Në emër të solidaritetit
Për më shumë se një javë, Petro Marko ka qenë “i pranishëm” në faqet tona. Dikush mund të thotë se kjo është normale për një gazetë, për më tepër për faqet e kulturës. Flitet për një shkrimtar, për një personalitet të vendit. Në fakt, nxitja kësaj radhe ishte krejt tjetër. Jo më letrare, por njerëzore. Një thirrje humane në ndihmë të familjes së shkrimtarit, e detyruar të përballet ndër vite me një gjendje të rëndë, sot në kufijtë e ekzistencës. E quajtëm apel solidariteti. E bëmë këtë së pari në emër të shkrimtarit, e pastaj të gruas së tij, po artiste, piktores Safo Marko, “dënuar” brenda katër mureve nga një sëmundje e rëndë. Ngulmuam për të shkundur harresën që na zë shpesh në raste të tilla, për personalitete, për njerëz të kulturës kthyer që prej së gjalli në monumente. Petro Marko ishte i tillë me jetën dhe veprën. Petro Markos i kishim të gjithë një borxh: t’i ndihnim familjes në këto ditë të vështira. E bëmë këtë thirrje për solidaritet edhe përmes zërit të shkrimtarëve të njohur, njëkohësisht kolegë e miq të shkrimtarit, ata që i njihnin mirë edhe krenarinë. Gazeta “Shqip” i ftoi të gjithë t’i bashkoheshin nismës, individë dhe institucione, në emër të dinjitetit të kësaj familjeje. Në përmbyllje të kësaj maratone, është rasti t’i drejtohet një falënderim ndjeshmërisë së të gjithë atyre që vendosën ta lehtësojnë sadopak dhimbjen e kësaj familjeje, mbërthyer nga dhimbja e sëmundjes dhe pamundësia ekonomike. Atyre, individë apo institucione, që e shprehën solidaritetin e tyre me aq sa mundën dhe ndihmën e tyre e kthyen në një apel më të fortë kundër bjerrjes së vlerave që vazhdojmë kemi. Në përgjigje të thirrjes së gazetës “Shqip”, ata dhe të tjerë- që ndoshta edhe në ditët në vazhdim do të shprehin solidaritetin e tyre -treguan se kemi ende shpresë ndaj harresës.
#