E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi në Crocodile, kamerierët: Njohëm vetëm komisionerin Fule

Reportazh Në kërkim të gjurmëve të darkës së famshme në restorantin e famshëm të Strasburgut

Nga Strasburgu
Agim Baçi

Rruga nga Frankfurti drejt Strasburgut praktikohet në të shumtën e kohës me një autobus modern, pjesë integrale e biletës që e pret që nga Tirana. Shoferi, pa na humbur shumë kohë me pyetjet në anglisht, na thotë t’i drejtohemi shqip, se është i së njëjtës gjuhë me ne. I japim dorën Marashit – kështu na e tha emrin - dhe nisemi, përmes një rrugëtimi plot gjelbërim. Kufirin me Francën ta kujtojnë vetëm disa zyra që kanë mbetur të shkreta dhe të vjetra, ndërsa 45 minuta më pas, mbërrimë në Strasburg, në stacionin pranë hotel “Hilton”.

Marashi, pasi ka lënë autobusin me targa gjermane, na fton në benzin e tij me targa franceze, për të na shoqëruar drejt hotelit dhe për të pirë bashkë me ne një kafe: Ky është Strasburgu, me të kaluarën gjermane dhe franceze, që Marashi e përshkon me makinën e punës dhe atë private.
Marashi, sot 60 vjeç, thotë se ka mbërritur gati 30 vjet më parë nga Kosova në këtë qytet. Ka familjen dhe fëmijët e martuar. “Ndoshta fëmijët s’do të më ndjekin pas, por menjëherë pas pensionit kam vendosur të kthehem në fshatin tim. Atje më duket se më kanë më shumë kuptim fjalët”, thotë Marashi, duke përmbledhur me pak fjalë dyzimin e përbotshëm të çdo emigranti.

Më pas, padyshim që “Crocodile”, emri i lokalit që dy javë më parë në Tiranë mori “famë politike”, është kërkesa jonë ndaj Marashit. “Ehë, aty ku u bë darka me liderët tanë”, thotë ai, duke u përfshirë “në një anë me ne”, sikur të jetonte çdo ditë këtu. Marashi është një njeri që vizionin për Shqipërinë dhe Kosovën e ka televizive, ndaj me të duhet të flasësh me emra dhe fakte televizive për të gjetur gjuhën e përbashkët. Na e tregon dhe ne pa e bërë të gjatë nisemi vetëm pasi jemi çlodhur për 30 minuta në dhomat e hotelit.

Strasburgu është gati i shurdhër në periferi. Përfshi pastërtinë, të duket sikur po ecën në një qytet imagjinar, me të gjitha shtëpitë e stilit të vjetër, jo më shumë se 5-6 kate, të gjitha me papafingon karakteristike. Orinetimi për tramin dhe më pas gjejmë bashkë me mikun tim, rrugën drejt qendrës. “Uria” e parë është gjetja e Krokodilit. E gjejmë shpejt me hartë adresën “Rue De L’Outre” ku është shënuar edhe “Crocodile”. Sapo hyn në rrugicë, ngjitur me sheshin kryesor, një krokodil i varur me kokëposhtë tregon lokalin. Por, si për të na vënë në provë, e hëna, siç mbërritëm ne, ishte pushimi i javës. Na mbetej të prisnim edhe një ditë.

Pas kësaj, më i sigurti ushqim mbetej një doner në një restorant turk. Na shijon dhe më pas në këmbë, provojmë veten nëse do të mund të mbajmë mend rrugën e kthimit deri në hotel “Princ”, ku ishim akomoduar. I ftohti i mbrëmjes nuk korrespondon fare me qershorin. Duket më shumë si vjeshtë e ditëve të fundit. Por ishim me fat, sepse kishim veshur mëngë të gjata që kur dolëm, ndaj shijuam rrugën ndanë lumit, që na orientonte drejt hotelit tonë.

Rikthimi

Mbërritja të martën në mëngjes pranë selisë së Këshillit të Europës korrespondon me tundjen e flamurit shqiptar, i pari ndër flamujt që valëviten përpara godinës. Se si ndihesh kur e sheh atë flamur të valëvitet larg shtëpisë nga je nisur. E kërkojmë me sy në çdo shesh ku ka flamur, që ta gjejmë edhe atë që mban Shqiponjën.

Megjithatë, pas takimeve në “sallën diplomatike”, mendja ishte për te “Crocodile”. Nisemi menjëherë drejt adresës, të cilën e kemi mësuar mirë një ditë më parë. Dera është e hapur. Dy kamerierë njëri pas tjetrit hapin dy dyer, njëra pas tjetrës, përpara se të shfaqet një pamje luksoze, me bardhësi totale. Na ftojnë të ulemi me përzemërsi. Por, sapo u themi qëllimin e vizitës, fytyrat e qeshura të kamerierëve ndryshojnë plotësisht. Fillimisht bëjnë sikur nuk kujtohen për darkën për të cilën u themi. Më pas, njëri prej tyre, plot xhentilesë, na afrohet duke na sqaruar, se në traditën e lokalit është të mos tregohet asgjë për klientët, sidomos të llojit që po pyesim ne. Na bën me dije vetëm që e mban mend që ka qenë komisioneri i BE-së dhe Kryeministri shqiptar, por vetëm kaq. Duke na u lutur me përzemërsi të largohemi nëse duam vetëm informacion, kamerieri na tregon derën. Mbetemi pa marrë vesh as shijet e darkës, e aq më pak pagesën, kuriozitete këto të ditës në Tiranë që nga takimi mes Berishës dhe Ramës në prani të komisionerit të BE-së dhe shefave politike të së majtës dhe së djathtës në Parlamentin Europian.

“Diplomacia”

Miku ynë, një diplomat gjerman, qesh kur i tregojmë për dështimin tonë për të marrë vesh se ç’kish ndodhur në restorantin që brenda 24 orëve e njohën të gjithë shqiptarët dhe me emrin e të cilit lidhen thuajse shumica e analizave dhe shkrimeve në të përditshmet apo TV-të shqiptare. “Ai lokal ka gjithnjë të njëjtën klientelë. Ai lokal është i famshëm, sepse kurrë nga aty nuk ka dalë asgjë që është thënë”, thotë miku ynë, që me sa duket ia njeh “misionin” që ka lokali. Më pas na tregon një katalog me pamje nga Strasburgu, ku “Crocodile” sugjerohet si lokali përfaqësues i qytetit. Pra shkurt, një simbol. Miku ynë, i mësuar me “gjuhën e Strasburgut”, ku punon prej vitesh, pasi ka pirë kafenë me ne, nis të na shpjegojë se gjithçka është simbolike në atë takim. “Një takim në Strasburg, që është simbol i Europës, në një lokal luksoz, pas një greve urie, me një ushqim tipik, do të thotë se duhet lexuar me kujdes”, na thotë miku ynë, ende pa e lënë mënjanë gjuhën e fortë diplomatike. Zanati ia do të mos flasë. Megjithatë, na jep disa orientime, për të cilat na duhet të mendohemi.

Thotë se për zyrat e europianëve, marrja vesh në një lokal, me një darkë, i jep rëndësi marrëveshjeve xhentëlmene më parë se atyre ligjore. “Një bisedë në një darkë tregon se politika nuk bëhet me barkun bosh, që është gjuha revolucionare”, na thotë miku ynë, duke na kujtuar, se gjuha xhentëlmenë është edhe më e rëndësishmja në të tilla tryeza, ku i lëshohet mesazh të ftuarve se janë ende në pozicionin e mikut me atë që po i jep këshilla. “Jam i bindur se asnjë nga ata që ka qenë në darkë nuk do ta rrëfejë publikisht çfarë ka ndodhur, pasi ky është edhe kodi xhentëlmen. Besoj se që dy lojtarët tuaj e dinë se çfarë do të duhet të bëjnë”, thotë “diplomati”, duke ruajtur gjithnjë gjuhën e tij.

Ne jemi në një kafe me të, ndaj duhet të ndjekim parimin e mungesës së emrit të diplomatit, i cili vetëm sa na dha përmes gjuhës së tij për ta parë “Crocodile”. Pas kësaj më duhet vetëm të shkruaj në adresën time në “Facebook”, se “në Crocodile vetëm hahet e mendohet, por nuk flitet për atë që ta thonë si mik”.

Gjatë rrugës me autobus nga Strasburgu në Frankfurt më duhet ta rimendoj sërish skenografinë e atij takimi. Jashtë ka shumë pemë… jeshile çdo pamje… shumë bukur…. U zgjova vetëm në aeroportin e Frankfurtit…

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›