“Në fillim të shtatorit hapet për trafikun Mbikalimi i ri i Vorës”
Ministri i Punëve Publikë dhe Transportit, Sokol Olldashi, inspekton punimet
Mbikalimi i ri i Vorës, një nyje kyçe për të gjithë trafikun që kalon nga autostrada Tiranë-Durrës është pothuajse i përfunduar dhe në ditët e para të shtatorit do të jetë i hapur për trafikun. Ky projekt me një vlerë 5.8 milion euro financohet nga fondi i Kuvajtit dhe përfshin ndër të tjera ndërtimin e 4 km rrugë paralele me autostradën Tiranë – Durrës, përkatësisht me dy korsi dhe me të gjithë infrastrukturën përkatëse, ndërtimin e katër rreth rrotullimeve si dhe ndërtimin e rrugës urbane në hyrje të qytetit tëVorës duke mundësuar në këtë mënyrë hyrje-daljen e trafikut urban dhe ndër qytetas të Vorës përmes këtyre nyjeve dhe rrugëve paralele. “Praktikisht këtu po zhvillohen punimet e asfaltit në rampën e mbingritjes së autostradës e cila rritet në një kuotë prej 6.20 m për të bërë të mundur nënkalimin e të gjithë trafikut anësor që do të vij nga dhe drejt qytetit të Vorës dhe që do të bëje dhe lidhjen me rrugën e vjetër nga Vora drejt Maminasit dhe Shijakut”, u shpreh Ministri i Punëve Publikë dhe Transportit, Sokol Olldashi.
Gjatë inspektimit të punimeve në mbikalimin e ri të Vorës, ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi theksoi se punimet janë shkallëzuar, dukë bërë që fillimisht të ndërtohet rampa nga Tirana drejt Durrësit dhe tashmë rampa që vjen nga Durrësi drejt Tiranës. Dhe më pas do të bëhet triplikimi i kësaj në një gjerësi të re që do ta çojë rrugën në 37 m, me tre korsi në secilin krahë plus një korsi emergjence për të dy krahët. E gjitha kjo do të shoqërohet me rrugët anësore që lidhin nënkalimin ekzistues me mbikalimin e ri që po bëhet he me rrugën paralele që do të mundësoj aksesin për hyrje dhe dalje nga Vora.
“Kompania Alb-building dhe Copri po punojnë kryesisht gjatë natës, dhe unë i falënderoj për këtë, për mos të krijuar kompikacione me trafikun e stinës së verës, duke pasur parasysh që kjo është një nyje kyçe në aksin kryesor rrugor kombëtar Tiranë – Durrës, ku është e përqendruar shumica e popullatës, shumica e biznesit dhe shumica e fluksit turistik”m shtoi ministri Olldashi.
Ndër të tjera Ministri i Punëve Publikë dhe Transportit, Sokol Olldashi, informoi se aktualisht punimet janë në fazën e asfaltimit dhe se ne ditët e para të shtatorit ky mbikalim do te jetë i hapur për trafikun. “Besoj se në javën e pare të nëntorit ky mbikalim i autostradës do të jetë i gatshëm me të gjithë komponentët e vet ndërkohë që trafiku për makinat do të hapet në ditët e para të muajit shtator. Më pas do të punohet me rreth rrotullimin dhe rrugët anësore që lidhen me qytetin e Vorës”, përfundoi Ministri i Punëve Publikë dhe Transportit, Sokol Olldashi.