Opozita: Zbardhni zhdukjen e Trebickës
Opozita ka kërkuar sot nga salla e parlamentit të zbardhet urgjentisht vdekja e dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka. Erjon Braçe, në fjalën e tij ka kërkuar të vijë në parlament kryeministri Sali Berisha dhe të japë informacion për zhdukjen mafioze të Trebickës një javë më parë. “Kryeministri nuk mund të vijë dot këtu pasi errësira është oksigjeni i tij. Ai nuk e do të vërtetën, pasi e vërteta nxjerr në pah lidhjet e tij” – tha Braçe.
“Ne do të protestojmë nesër vetëm për drejtësi, pasi nuk mund ti varrosim në heshtje 27 viktimat e Gërdecit” – tha ai. Sipas tij kryeministri Berisha po lufton drejtësinë, vret të vërtetën dhe dyshimtarin kyç, pasi ishte Trebicka ai që denoncoi lidhjet e Berishës me aferën korruptive të Gerdecit.
Ndërkohë deputeti i PD-së, Edi Paloka e quajti qesharake protestën e ndërmarrë nga opozita për drejtësi. “Po bëheni qesharak me vdekjen e një personi që humbi jetën fatkeqësisht në një aksident automobilistik” – tha Paloka.“Mos shihni më ëndrra me 97-ta pasi ajo kohë ka ikur. Me këto mënyra as në Gërdec nuk do t'i merrni votat, pa ju dhënë shqiptarëve argumentet e duhura” – tha ai.
Parlamentin ditën e sotme e ka përshëndetur edhe Zv/presidentja e parlamentit Anglez, Silvia Hill. Ajo ka premtuar bashkëpunim dhe mbështetje në rrugën e reformave. “Ky parlament ka detyrën e rëndësishme për të miratuar legjislacion por miratimi nuk është i mjaftueshëm. Si parlamentare mund të them se është më mirë që të mos miratohen ligje që nuk mund të zbatohen. Duhet që ligjet të përkojnë me atë të BE-së dhe Shqipëria në këtë aspekt ka ende shumë gjëra që duhet të përmirësojë”.