Në flakë tregu në Vlorë. Zjarr edhe në Elbasan
VLORË/ELBASAN- Ka nisur me zjarre paraditja e sotme në vend. Zjarri ka përfshirë ish-Kombinatin e Drurit në Elbasan, duke shkaktuar panik tek banorët. Pak orë më vonë, një tjetër zjarr ka alarmuar banorët pranë tregut të shumicës në Vlorë.
VLORË- Përfshihen nga flakët magazinat e tregut të shumicës në Vlorë. Zjarri është parë fillimisht në një nga magazinat e këtij tregu, ndërkohë që flakët kanë përparuar shumë shpejt duke rrezikuar ambiente të tjera të tij. Me të marrë njoftimin mjete zjarrfikës i janë drejtuar zonës. Punonjësit janë mobilizuar të lokalizojnë flakët, por në flakë janë përfshirë thuajse të gjithë ambientet e magazinës qendrore në këtë treg, si dhe një nga mjetet furgonë që shesin në ambientet e jashtme. Aktualisht vijon puna për shuarjen e flakëve. Në ndihmë kanë ardhur dhe efektivë të drejtorisë së policisë. Paraprakisht mendohet që dëmet të jenë të konsiderueshme, pasi janë djegur malli dhe pajisjet që ndodheshin brenda magazinave. Ende nuk ka një bilanc të tyre, pasi po përpiqet të shpëtohet, atë që nuk është prekur ende nga flakët. Brenda ambienteve ka dhe bombola gazi, të cilat shihen si një rrezik më vete në këtë situatë. Nuk dihet ende shkaku që ndikoi zjarrin.
ELBASAN- Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në ish Kombinatin e Drurit në Elbasan, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës përreth. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur 3 zjarrfikëse që po punojnë për izolimin e vatrës së zjarrit. Nga të dhënat e para mësohet se flakët kanë përfshirë dy fuçi më bitum, ndërkohë që kërcënojnë edhe depozitat e mazutit që janë fare pranë vatrës së zjarrit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, zjarrfikësit sigurojnë se nuk ka vend për panik pasi flakët janë nën kontroll, ndërkohë që shtojnë se banorët janë alarmuar për shkak të resë së madhe të tymit që kanë parë.
Ata sigurojnë se nuk ka asnjë rrezik për jetën e banorëve, ndërkohë që po vijon puna për eliminimin e përhapjes së flakëve në mënyrë që të shmangen dëmet e tjera. Ende nuk ka asnjë version të policisë për shkakun e zjarrit, për të cilin do të deklarohet pas shuarjes së plotë të zjarrit dhe mbylljes së ekspertizës në vendin e ngjarjes.