PS: Qeveria e re, në rrugën e askundit. Reagon PD
TIRANË- Një qeveri në rrugën e askundit e ka quajtur sot Partia Socialiste qeverinë e re të dalë nga krimi elektoral i 28 qershorit. Zëdhënësja për shtyp e PS-së, Armela Imeraj gjatë një deklarate për mediat ka thënë se qeveria e re doli jo vetëm nga zgjedhje pa standarde demokratike, por edhe nga dhunimi i ligjit dhe të drejtës demokratike të opozitës deri në etapën e fundit të procesit ku drejtësia nuk dha drejtësi, por vulosi padrejtësinë e pandershmërinë e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Ajo në emër të PS-së ka deklaruar se "Kolegji Zgjedhor mbylli turpshëm maskaradën zgjedhore me shkeljen flagrante të ligjit dhe mohimin e përsëritur të së drejtës demokratike të opozitës për të bërë transparencë mbi kutitë e dyshuara të Beratit, Tiranës e Shkodrës".
Në përgjigje të akuzave të djeshme të Sali Berishës nga Kukësi, ajo ka replikuar duke sqaruar se kreu i qeverisë vazhdon shfaqjen e inaugurimit të rrugëve pa buxhet, në përpjekjen për të fshehur krizën ekonomike dhe politike ku vendi tanimë ka hyrë realisht.
"Sali Berishës nuk i intereson vendi, por vetëm pushteti i përfitimeve për oborrin e tij familjar, interesat e të cilit do ta shtyjnë përditë e më shumë në rrugën e asgjëkundit qeverinë shtatanike të dalë nga krimi elektoral i 28 qershorit"- tha ajo.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike, e cila ka replikuar po përmes zëdhënëses për shtyp. Erla Mëhilli, tha gjatë një konference deklaroi se "këto janë sulme që bëhen nga pozitat e humbësit për të maskuar përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit". Sipas saj, "PD ka dënuar dhe dënon çdo sulm ndaj institucioneve të vlerësimit të zgjedhjeve dhe të shqyrtimit të ankesave si një përpjekje e paskrupullt për të ndërhyrë dhe për të ndryshuar rezultatin e tyre".