"Ne flasim shumë, si popull, dhe bëjmë pak për veten tonë"
Ne flasim shumë, si popull, dhe bëjmë pak për veten tonë. Sa për diplomaci ne nuk kemi një shkollë diplomacie apo diplomatë profesionistë. Ne duhet të bëjmë shkolla më të forta dhe të lidhemi më ngushtë me Evropën, që të njohim mentalitetin e tyre pasi kemi ngelur me të vërtetë aq mbrapa, sa nuk po mundemi të bëjmë dy hapa me këmbët tona.
Jemi aq të topitur sa, as dhe bombat që na bien të dera nuk na nxjerrin nga ky gjumë nostalgjik. Është e pabesueshme që të jetojë një popull i tillë në buzë të Evropës. Ka vetëm një shpjegim: që ne jemi të pushtuar. Tradhtarët tanë që janë në pushtet, janë pushtuesit.
Nuk e kuptoj se si mund të ketë të tillë pushtetarë të pacipë dhe të paskrupullt, që bëjnë vilat nga 800 mijë euro dhe bredhin në rrugë me makina të shtrenjta dhe nuk u hyn gjembi. Më vjen keq, por do ishte më mirë që të hiqnin dorë ca vjet nga demokracia dhe të bëhemi një shtet fashist, pasi ne kemi humbur normat e moralit, normat që e mbajnë një shtet në këmbë.
Nuk mund të pres nga një kryeministër, që para një viti deklaron publikisht se bëri kontrabandë me ndërgjegje me Malin e Zi dhe e mban akoma atë karrige. Pse jemi kaq idiotë dhe të pandjeshëm?
Saliu mban gjallë topitjen që na la komunizmi, kur nuk folëm as kur na lanë pa bukë, as kur na vranë, as kur na poshtëruan. Ai është emblema e asaj kohe. Me sjelljen e tij na infekton idiotësinë komuniste të asaj kohe. Shprehje të tilla "nuk di gjë" apo që mohon edhe njerëzit e tij të vdekur në Gërdec, janë jashtë çdo logjike dhe kuptimi.