"Shoqëria e re shqiptare duhet të ketë në bazën e saj, tolerancën"
Të gjithë përpiqemi që si të dënojmë një akt të rëndë kriminal, me të drejtë, por sa pak mundohemi që të gjejmë një shkak real dhe një rrugë për të arritur qetësinë dhe stabilitetin.
Synojmë shumë të deklarojmë se mungon kontrolli nga administrata e burgjeve, se mungon punonjësi social apo psikiatri, që mungon zbatimi i ligjit dhe këto, të gjitha të vërteta. Por harrojmë të theksojmë që shoqëria e re shqiptare duhet të ketë në bazën e saj, tolerancën, respektin dhe dinjitetin.
Urrejtja është akt i cili të çon në humbjen e vlerave të individit, dhe çon në vdekjen e edukatës qytetare të një kombi. Ta ngremë dinjitetin tonë mbi bazën e respektit për çdo gjë dhe në radhë të parë, të ligjit. Ta ngremë mbi bazën e tolerancës dhe jo të hakmarrjes dhe urrejtjes.
Ta ngremë në radhe të parë nga vetja jonë, duke përdorur një gjuhë tolerante dhe me kulturë. Ne, në radhë të parë, ne që kërkojmë të shkruajmë dhe të japim mendimet tona. Të japim gjithçka mundim nga vetja jonë, pastaj të kërkojmë nga të tjerët. Kur gjithsecili nga ne të bëjë këtë gjë, do ta shohim se të tilla probleme do të zhduken.