Në fundjavën e një jete
Halil SHAMATA
Ti bie thikë tek unë
Ti bie thikë tek unë
kokëposhtë
si një shelg lumor i kërrusur
që kërkon të arrijë
shijen e gjatë të lumit.
Frymëmarrjet janë kopje të njëra-tjetrës
dhe zëra të panevojshëm
për të më thirrur
drejt e në sytë e tu
që bien thikë tek unë.
Vdekje me numër të madh
Na vijnë gjithnjë e më të mëdha këto vdekje
postume të falura, të shtrënguara
në radhë kryeneçe monumentesh
që provokojnë zeje të shogëta:
rrobaqepës, këpucarë, kapelendreqës që përditë
msyjnë me na marrë masën e kraharorit (joskënder
bejan), masa e këmbës duke marrë parasysh (de)formën
dykrenore të kokës! Rrobaqepës, kundraxhinj,
kryendreqës, kumarxhinj, të gjithë alkimistë që
kthejnë veset e përditshme në virtyte bronzi për
ngrehina të sheshta. Vdekje të falura me numër të madh
këpucësh, të mbathurash, postumesh...
Kam kollitur dritën
Kam kollitur dritën
dhe pastaj gjërat i kam lënë të zbardhin
në fillim majat që pagëzojnë heshtinat me emrat
aty rrotull, bie fjala, me hingëllima kuajsh
kali i zi ka zbardhur tërësisht
dhe unë kam thënë, s’më kujtohet në ç’gjuhë dhe në ç’vend
ka ndodhur, por unë kam qenë aty rrotull dhe kam thënë
se kjo është mundësia ime e vetme për të qenë mamuze
e shpejtë dhe e pashpirt në anën lindore të barkut
dhe në të dy anët e rrugës që ka lëshuar bark,
koka që më dhemb është e mbarsur dhe
e gatshme të shkruhet ndër veset e mia kronike.
Patkonjtë bien rastësisht në rrugën e fatit, jam i pafat
dhe kjo është më shumë një pasion, domethënë llotari
që u bie të gjithëve si dhëmballë syri. Hingëllima e gjatë
e dritës vjen duke u shuar në mbrëmje, një përshpirtje
monotone mbi derën e shtëpisë ku një patkua i mplakur
tregon orët e mbetura vejusha. Rrethinat e një qeni përreth
janë krejt të tejdukshme, duhma e frymës, frymëmarrja
e kopjuar, binjake e mosqenies, dashuria ves
i përditshëm si rrobat që kundërmojnë herët
pa shkak më kundërmojnë dhe jam gati të zë hundët
për ca ditë të lodhshme pushimi me short
na mjaftojnë sendet tona në garderrobën e veseve
që na ngjiten nudo pas trupave kronikë, gardianë të
plogësht që shurrën e dehur e shoqërojnë me
të kollitura të blera lirë, vese me gjysmë çmimi
të ulët, kollë e bardhë, në të zezë dhe më vonë gri
Kavaja
Në pak metra
gjuha ka mbledhur lëmshin e një fjale.
Vijmë rrotull me zë të lartë dhe
s’gjejmë një vend për t’u mburrur.
Duarve u merret fryma kur prekin trupat e tyre
të dikurshëm. Rruga kalon mespërmes meje
dhe dritarja, vajza e vetme e shtëpisë
zgjimin na e shërben në shtretër të rrëzuar
pa krena dhe ndonjë krenari e mbetur stok
abdikon në fundvjeshtë me t’u qasur dimri.
Gjellët e përthyera në moshë të rrugicës
ku patëm lindur pa pritur radhën kundërmojnë
të tjera lindje të sfinksume, të zbuara në
fundgusht të çdo muaji të hidhur mjalti,
dialekt i verës së shkuar ka hapur dyqan
të ri, nën hijen e dikurshme të manave
të pazarit. Deti kushëri i largët dhe fqinji më
i afërt, është përherë aty dhe ngado
që sillemi.
Autotekst
Më duhet vetja ndoshta edhe për ca kohë
për të përjetuar masën e të gjitha rrobave
se jam i detyruar t’i iki ca vite më tej
dyshimit që më kruhet në zverk të kohërave
Më duhet vetja ndoshta edhe për ca vite
sa të vjetëroj gjithë kohën më pas kryeneçe
në rrethinat e rinisë sime, atje ku prej ditësh
kam flakur kundërmimin tim të zeshkët
Më duhet vetja edhe për shumë kohë
sa të rreshk gjithë kohën që u rri përmbi
buzëve të çara të shkolluara për etje
vdekjesh pa shtrat, bërë me porosi
Edhe për një çast më duhet vetja
për të kuptuar se koha që fytyrat
tona i mplak a i lë mizorisht të veja
ka zënë pluhur.
Enigmë
Dikush që ishte nisur herët pa zgjim
kishte aguar ditët e vona të pagjume
zgjimi i të pagjumëve është vegim
si një ditë e panisur bahet e shkume
Dikush nën këpucë sajoi rrugën
dhe humbi të ecurit nën zënë e mekur
enigmë dikush që kish shpikur veten
si rrëmihje e kotë në xhepat e vdekur
me të njëjtat hapa të pa hedhura askund
si të marrësh të njëjtat plagë të porositura
duke u rrekur lehtas me u ndie përfund
pengjesh të mplakur, jetësh të panisura
Gjysmësonet
mësedashuria, paplotësi e mbrame
plotësi e ndrojtur, lojë pjesëtimi
duarprekje majë gishtash magë
të përpiktë si një eth rinumërimi
më pak se numër i brishtë gishtrimi
aq lehtas e prekur si të vesh një bast
e munguara me sharm përplotësimi
e tejplota që më mungon orë e çast
dashuri heshtarake gjysmë zë a zeje
britmë që s’ke ecur kurrë e vetme
ikën nga unë dhe futesh brenda meje
si e hëna bri së dielës pa të premte
në fundjavën e një jete që sillet përreth
gjersa zgjohesh bri meje, është e kremte
Floreal
Një klithmë lulesh hermafrodite
të pjalmuara në vetvete
pëllëmbët e gjetheve pa gishta
plot vringuj të helmët e therës
degë të shogëta të ndërheshtura
lulesa njëseksore që lidhin fruta të trembura
shartuar me emra skizofrenë latinë
12 Maj 2008