Si këputja e ngadaltë e pendëve të zeza
Howard Philips LOVECRAFT
Nuk mund të presim që e gjithë Letërsia e Tmerrit të Mbinatyrshëm të shpjegohet saktësisht me një model teorik. Mendjet krijuese janë pa fund, por edhe ngjizjet më të arrira narrative kanë pikat e tyre të dobëta. Midis të tjerash, pjesa më e madhe e veprave të kësaj letërsie, buron nga e pavetëdijshmja, duke e shfaqur veten pastaj në copëza kujtese të shpërhapura në një masë materiale, ku efekti i të qenit bashkë mund të jetë i një natyre krejt të ndryshme nga e zakonshmja. Atmosfera megjithatë mbetet elementi më i rëndësishëm i kësaj letërsie, pasi kriteri përfundimtar i autenticitetit të rrëfimit të mbinatyrshëm nuk vjen saktësisht me zgjidhjen e një intrige, por me gjetjen e një efekti të tillë.
Mund të mendojmë, në përgjithësi, se një histori fantastike, e cila mund të jetë quajtur didaktike a shoqërore, ose ku tmerret japin më në fund një shpjegim me mjete natyrale, nuk është një tregim i vërtetë i Terrorit Kozmik. Por, mbi të gjitha, qëndron fakti se rrëfime të tilla zotërojnë shpesh, ndonëse në pjesë të zgjedhura, majat më të larta që kënaqin çdo kërkesë të Letërsisë së Tmerrit të Mbinatyrshëm e të vërtetë.
Kështu, tregimin fantastik duhet ta gjykojmë jo sipas asaj që ngre autori, ose në bazë të mekanizmave të vërteta e të thjeshta të ndërthurura, por nga niveli emocional që shfaq në pikën e tij më pak të lidhur me paraqitjen tokësore. Nëse arrin të nxisë ndjenjat e duhura, njëfarë modeli urrejtjeje, krijimi duhet të vlerësohet për meritat e tij si letërsi fantastike, paçka se vazhdimi është i mefshtë e prozaik.
Prova e vetme e vërtetë e narracionit të tmerrit të mbinatyrshëm është thjesht kjo: nëse në atë që lexon të mbërthen menjëherë ose dhe dalëngadalë një ndjenjë e thellë frike apo ankth shkaktuar prej forcash e fuqish të panjohura, nëse të krijohet një ndjenjë e frikshme në dëgjimin e zhurmave, pothuajse si këputja e ngadaltë e pendëve të zeza dhe kërcëllitja e formave dhe thelbit të hapësirës së jashtme gjer në kufirin e fundit të universit të njohur, atëherë ke gjetur letërsinë e duhur. Dhe, natyrisht, sa më shumë rrëfimi arrin të përcjellë këtë atmosferë në mënyrë të plotë e të njëtrajtshme, aq më mirë arrin të jetë vepër arti në llojin e vet.
* * *
Sot rrëfimet e tmerrit, falë zhvillimit të shpejtë të këtij lloji letrar, kanë një natyrshmëri, një forcë bindëse, një rrjedhshmëri e sharm të madh, duke qenë kështu në një lartësi të pakrahasueshme me rrëfimin gotik të fundit të viteve ‘700. Me kalimin e viteve, teknika e tregimit, përvoja dhe shtimi i nocioneve në fushën psikologjike, kanë ecur gjer në atë shkallë, sa bëjnë të tingëllojnë artificiale pjesa më e madhe e veprave më të vjetra, të cilat shpëtojnë vetëm kur ndërhyn mjeshtëria e një autori, i cili është në gjendje të mbajë pesha të mëdha.
Tashmë, natyra tipike e romanit fjalëmadh dhe të sigurt në vetvete, plot me motive shtirane e që shpjegojnë çdo ndodhi imagjinare të një kuptimi, që tingëllon fals dhe të një magjie aq të shpëlarë e aq edhe të gjithëpranishme, gjendet vetëm në shembujt më të dobët dhe më banalë të tregimtarisë mbinatyrore.
Ndërsa tregimet serioze ose japin diçka në mënurë realiste, përmes një lidhjeje të përpiktë dhe një besnikërie perfekte ndaj natyrës (përveç asaj hapjeje ndaj së mbinatyrshmes, të cilën autori e lejon), ose janë të zhytur krejtësisht në botën e fantazisë, me një atmosferë mençurisht të duhur ndaj vizioneve të një universi irreal, ndjellës dhe piktoresk, të lidhur me përjetësinë e kufijve të njohur të hapësirës dhe të kohës, ku gjithçka mund të ndodhë, por ajo që mund të ndodhë është në harmoni të plotë me format e imagjinatës dhe të iluzionit, të cilat janë normale për çdo mendje të ndjeshme njerëzore. Kjo, të paktën, është prirja më e madhe, por është e kuptueshme që edhe shumë shkrimtarë të mëdhenj bashkëkohorë bien ndonjëherë në qëndrime e gjurmë karakteristike për romantizmin naiv, ose përshtasin në çast tiparet e një zhargoni absurd e të pakuptimtë të atij misteri pseudoshkencor, që aktualisht përjeton një nga periudhat e tij më popullore.
* * *
Për ata që dëshirojnë të hamendësojnë mbi të ardhmen, rrëfimi i tmerrit të mbinatyrshëm ofron një sferë ndjellëse, por gjithsesi ata ndihen të sulmuar nga një valë realizmi banal që ka marrë dhenë, nga një vetëbesim cinik, nga zhgënjimi i stërholluar dhe, mbi të gjitha, i nxitur nga një erë e fuqishme misticizmi, që është zhvilluar nëpërmjet reagimit të ndier të “okulistëve” dhe vëzhguesve të paepur të fondamentalistëve fetarë që, përmes nxitjes së mrekullive dhe fanepsjeve, kundërshtojnë zbulimet materialiste, të realizuara nga shkenca moderne në kiminë intraatomike, me progresin në astrofizikë, me teoritë e relativitetit, me zbulimet e shumëdëshiruara në biologji dhe psikologjinë njerëzore.
Sot grupimi në favor të fantastikes duhet të jetë fuqizuar më shumë dhe kjo është, pa dyshim, një shprehje e paçmueshme përkundrejt Rrëfimtarisë së Mbinatyrshme, e cila nuk ishte pjesa më e çmuar e krijimtarisë së Arthur Machen-it, që u përplas në murin e gurtë të pragmatistëve të rreptë dhe fodullë të ‘800-ës. Edhe Ambrose Bierce, pothuajse i panjohur sa ishte gjallë, sot vlerësohet nga të gjithë. Megjithatë, do të vazhdojë të mbetet një ekuilibër i brishtë tendencash të ndryshme. Dhe, ndërsa në mënyrë logjike mund të pritet një përsosje e mëtejshme e teknikave shprehëse, nuk ka asnjë arsye të mendohet se pozicioni i së Mbinatyrshmes në letërsi duhet të pësojë ndryshime të dukshme. Letërsia e së Mbinatyrshmes është një degëzim i veçuar, edhe pse kryesor, i shprehjes njerëzore dhe si gjithnjë do t’i interesojë sidomos atij numri të kufizuar lexuesish, të pajisur me ndjeshmëri të tjetërllojtë. Cilado kryevepër botërore e së nesërmes, që do të mbështetet mbi dyshimin dhe tmerrin, do të mbetet debitore në mundësinë e saj, pasi mund të vlerësojë më shumë mjeshtërinë e autorit, sesa temën në vetë veprën.
Megjithë këto, kush mund të thotë se tema e errësirës nuk është një humbje e nevojshme? Kupa e Ptolemeut, me bukurinë e vet farfuritëse, ishte skalitur në oniks.
Përktheu Silvana Leka
12 Maj 2008