E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk kam asgjë për të shitur…



Leo BUSCAGLIA

Unë jam mësimdhënës, kam qenë gjithnjë i tillë dhe e dua profesionin tim, por vetëm kohët e fundit kam zbuluar që nuk i mësoj thuajse asgjë asnjë njeriu. E shumta, mund të jem një lehtësues e thjeshtëzues euforik, i këndshëm dhe magjik i procesit të njohjes. Unë mund të përgatis e shtroj një drekë apo një darkë të shkëlqyer para jush, por nëse ju nuk doni të hani, nuk mund të bëj asgjë.
Kam zbuluar gjithashtu se, nëse arrij të bëhem tërheqës dhe ekzaltues, atëherë dikush do të vijë të kënaqet dhe do të thotë: “Përse po flet ky çmendurak? Meqë qenka kaq i dhënë pas jetës, ndoshta jeta meriton vërtet të jetohet.”
Kur vallëzoj midis gjetheve, dhe këtë e bëj shpesh, shoh se edhe të tjerët e gjejnë guximin të shkojnë e të vallëzojnë midis gjetheve. Dhe kjo është e bukur. Nëse mundem t’i mësoj dikuj të vallëzojë mbi gjethe, jam i gatshëm ta marr në sy rrezikun se do të më quajnë të çmendur.

1.
Ajo për të cilën kemi me të vërtetë nevojë, thonë specialistët e sjelljes, janë shembujt e mirë. Kemi nevojë për shenja dashurie të dikujt që mund të na e tregojë. Cili nga ju njeh librin tim “Dashuria”, e di se atë ua kam kushtuar prindërve të mit, Tulio e Rosa Buscaglia, sepse nuk më kanë mësuar të dashuroj, por më kanë treguar se si dashurohet. Dhe ata as që e dinin se ç’ishte modifikimi i sjelljes.
Por ka specialist si Bondura, në Universitetin Standford, që tregojnë se mënyra më e mirë për të mësuar është të japësh shembuj. Pa i thënë asgjë askujt, pa i mësuar asgjë askujt, jini ata që dëshironi të bëhen fëmijët tuaj dhe shikojini sesi do të rriten.
Shumë nga ju e dinë se jam rritur në një familje italiane të mrekullueshme, të madhe në numër, plot dashuri, dhe jam rritur i shëndetshëm, i lumtur dhe i kënaqur me supë barishtesh, makarona, fasule e kaçamak, si dhe shumë gjellë të jashtëzakonshme. Por kam mësuar dhe shumë gjëra nga këta shembuj, dhe pothuajse të gjitha i kam mësuar si pa e kuptuar.
Një gjë që më kanë mësuar: kemi nevojë të na prekin e të na duan. Prandaj kam vazhduar të prek e të dua gjatë tërë jetës sime, dhe kënaqem me tërë botën duke e prekur e duke e dashur. Ishte kaq bukur; atëherë nuk e dija se “në botën e jashtme” nuk mund të prekësh e të duash, se duhet ta bësh këtë me mjaft rezervë.
Të parën herë që dhanë gjykim për mua, nga një mësuese amerikane, ishte një copë pusullë për nënën time. Merreni me mend sesa e ndjeshme ishte ajo mësuese që i shkroi këtë letër sime mëje, një emigrnateje të mjerë italiane që mezi i lidhte dy fjalë anglisht: “E dashura zonja Buscaglia, biri juaj Filice është shumë taktil.” Ia çova pusullën mamasë, e cila e lexoi dhe tha: “E çfarë do me thënë taktil? Felice, po pate bërë ndonjë gjë të keqe, ta thyej kokën!” Unë iu përgjigja: “Vërtet nuk e di se ç’do me thënë taktil, mama. Nuk e di çfarë kam bërë.” Dhe atëherë morëm fjalorin, siç bënim shumë shpesh, dhe e kërkuam fjalën taktil. Thoshte: “që lidhet me prekjen, me ndjerjen e gjërave”. Atëherë mamaja tha: “E ç’të keqe ka këtu? Është gjë e bukur. Ajo mësuesja jote qenka e çmendur.”
Unë nuk kam patur kurrë probleme ekzistenciale, s’kam arritur kurrë ta pyes veten nëse ekzistoj apo jo. Nëse unë mund t’ju prek, dhe ju mund të më prekni, atëherë ekzistoj. Ka mjaft njerëz që vdesin nga vetmia, sepse askush nuk i prek.

2.
Gjithashtu, prindërit më kanë mësuar të ndajë me të tjerët atë që kam.
Kishim një shtëpi të vogël dhe një familje goxha të madhe, ishin këto kushte që na mësuan të ndajmë. Tani kemi shtëpi të mëdha ku mund të humbasësh. Atëherë ishim të shumtë e kishim vetëm një banjë. Oh, më kujtohet mirë, ishte qendra e shtëpisë! Të gjithë hynin e dilnin vazhdimisht dhe sapo hyje, uleshe e liroheshe për tridhjetë sekonda, sepse nga jashtë thërrisnin: “Ej, shpejt se e kam radhën unë!” Kështu mësova të ndaja, mësova të përdor të njëjtin lavaman dhe të flë në të njëjtën dhomë me të tjerët. Jam i bindur se familja, e cila mban radhën për të hyrë në banjë, qëndron e bashkuar. Por tani kemi një banjë për Merin, një për Sallyn, një banjë për babanë dhe dressing për mamanë. Mëkatë! Nuk kemi nevojë për kaq shumë hapësirë. Është kaq e çuditshme, por ndërtojmë shtëpi tepër të mëdha dhe punojmë aq sa na thyhet kurrizi, duke thënë se çdo gjë është për fëmijët tanë. I mësojmë të jetojnë në shtëpi të mobiluara në mënyrë të mahnitshme dhe i ndalojmë pastaj të jetojnë e t’i gëzojnë ato lirisht: “Mos e prek këtë! Mos e prek atë! Kujdes, do ta thyesh!” O Zot, për kë është shtëpia, për komishnjtë?! Në shtëpinë tonë nuk ishte kështu. Shtëpia ishte që të jetonim aty.
Nga prindërit e mi mësova zemërgjerësinë pra, si dhe një ndjenjë përgjegjësie nga nëna, e cila ishte një grua shumë e vendosur. Kur thoshte diçka, ishte ashtu e s’e luante topi. Më ka zbavitur gjithmonë studimi në universitet i teorive tolerante. Nëna ime ishte një këshilltare e jashtëzakonshme e tolerancës soautoritare. Thoshte: “Mjaft tani, rri urtë!” E dinim ç’donte të thoshte. Ndodhte një bashkëveprim shumë i bukur në familje. Nuk të çudit fakti që asnjëri prej nesh nuk ka pasur kurrë asnjë problem mendor.

3.
Më kujtohet që në rini dëshiroja të shkoja në Paris. Nëna më thoshte: “Felice, je shumë i ri për të udhëtuar.” E unë: “Mama, dua të shkoj.” Në atë kohë, Jean-Pol Sartre dhe Simon de Beauvoir ishin të dhënë pas konceptit të mrekullueshëm të ekzistencializmit; dhe unë dëshiroja të shkoja, sepse kisha dëgjuar të thuhej se ishin të gjithë të dëshpëruar, dhe doja të shkoja të provoja dëshpërimin edhe unë. Doja të provoja gjithçka. “E po mirë, shko! - më tha nëna. - Por dije se, nëse iken, do të deklarosh se je i rritur dhe, që nga ai moment e tutje, nuk mund të më kërkosh më asnjë gjë. Je i rritur. Je i lirë, ik.”
Oh, ishte fantastike! Nuk kisha shumë para, por ca pak i kisha dhe shkova për të parë ëndrrën e të gjithëve. Gjeta një apartament shumë të vogël. Nga dritarja e papafingos sime mund të shihja çatitë e Parisit. Ulesha te këmbët e Sartre-it dhe Beauvoir-it, nuk kuptoja asnjë fjalë nga ato që thoshin dhe isha entuziast. Vuaja, sa vuaja! Dhe ishte e mrekullueshme, falë djathit camembert dhe verërave franceze. Por shumë shpejt mbeta pa para. Nuk e kisha konceptin e vërtetë të parave. I qerasja që të gjithë, isha i fundmi i pareprishësve të mëdhenj. Kisha gjithnjë shishe verë dhe të gjithë vinin tek unë që ta pinim sëbashku.
Isha rritur kështu, dhe kisha mësuar kështu nga shembujt e mi. Në shtëpinë tonë, kur vinte postieri, babai e qeraste me një gotë verë: “Eh, i mjeri, punon gjithë ditën, ka nevojë për një gotë verë!” Ne thoshim: “Baba, mos ia jep verën.” Na vinte të pëlcisnim kur në shtëpinë tonë na vinte mësuesja dhe babai e qeraste me verë. “Mësuesja nuk pi verë.”, thoshim. Dhe pastaj rrinim si të ngurtësuar kur ajo e pinte
Më kujtohet, pra, se më mbeten shumë pak para në Paris, pothuajse nuk më mbeti asnjë dyshkë.
Mendova të bëja një telegram në shtëpi. Shkova në postë dhe, për të kursyer paratë, shkrova vetëm: “Vdes urie. Felice.” Pak fjalë, por shumë domethënëse. Njëzet e katër orë më vonë mora një telegram nga nëna: “Vdis urie! Mamaja.” Momenti i së vërtetës! Isha i rritur. Si t’ia bëja tani?

4.
Dhe do t’ju tregoj se ç’gjë më ka mësuar kjo histori. Më mësoi urinë, më mësoi se sa mund të jetë i ftohtë një vend, jo vetëm nga temperatura por, mbi të gjitha, kur nuk ke më shishe vere për të ndarë me ata që quheshin “miqtë” e tu dhe që nuk bëhen më të gjallë.
Mësova shumë gjëra, të cilat nuk do t’i kisha mësuar kurrë, nëse nëna ime do të ishte mallëngjyer dhe do të më niste një çek. Qëndrova atje me kokëfortësi, për të treguar se mund t’ia dilja mbanë vetë. Kur u ktheva në shtëpi, shumë muaj më vonë, një mbrëmje nëna më tha: “Ka qenë gjëja më e vështirë që më është dashur të bëj ndonjëherë, por po të mos e kisha bërë, nuk do të ishe rritur kurrë.”
Dhe ishte e vërtetë. Kështu, me këto shembuj prindërit e mi më mësuan se ç’do të thotë të jetosh sëbashku, të dashurosh sëbashku.

Përktheu Zhak Pilika

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›