E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zotërit e rremë fshihen



Philips SOLLERS

- Ty nuk të pëlqejnë fotografitë? - thotë Maud-i.
- As që dua t’ia di. Po ti?
- Unë nuk i pëlqej, prandaj i mënjanoj.
- Ti dëshiron të qëndrosh në pozicionin e forcës?
- Ndoshta.
- Zotërit e rremë fshihen.
- Ndërsa profetët e rremë nuk ndalen asnjëherë pa u fshehur.
- Nuk mund të shfaqemi gjithashtu, por për t’u fshehur më mirë. Ka shumë shkolla. Ne nuk e shohim më dikë që e shohim gjatë gjithë kohës. Ata që shfaqen më gjatë, janë të padukshëm. Si, ju? Por unë ju njoh, ju nuk mund të jeni dikush tjetër, përveç imazhit tuaj!
- Sidoqoftë, marifeti është i vjetëruar.
- Ai funksionon.
- Kjo është më e çuditshmja.
- Shiko.
Unë nuk jam fotograf, por megjithatë përmbledhja është veçanërisht e bërë bukur. Portretet e një të panënshtruare, domethënë. Ajo zotëron çdo herë një mënyrë të ndryshme për të thënë jo nëpër imazhe dhe kjo është diçka shumë e bukur.
- Ti nuk do t’i botosh kurrë këto?
- Fjalë e dhënë.
Mund të shohim vetëm sytë e saj dhe e dimë që ajo është lakuriq. Shohim shpatullat e saj, kurrizin e saj dhe e ndiejmë që ajo është duke lexuar. Kurrë e tëra? Po, atje në largësi, në thellësi të kopshtit, me krahun e djathtë të ngritur, “ndal”. Ose mbas derës së ballkonit, në mbrëmje, me një bluzë të zezë dhe pantallona të zeza, në profil. (Muzikë. Vokalica të natës.) Ose më tej, ajo pi çajin në mëngjes prapa tavolinës prej druri të bardhë, ajo e ka futur hundën në filxhan, ajo bën sikur var buzët. Natë e çuditshme, disa herë ndërmjet dy ëndrrave. Cilat, tashmë?
- Ndjekje.
- Unë?
- Pa dyshim, po ti nuk ishe aty.
- Po përpiqen të na përmbajnë? Të na tërheqin mbrapsht?
- Ai lloji i atjeshëm.
Ajo që vëmë re në fotografitë më pak të këqija, nuk është prania, por mungesa, forca që nuk është bërë kurrë diçka e brendshme, që nuk e kishte kapërcyer murin e përfytyrimit e të tingullit, por mbetet e kruspullosur, e panjohur, një përrua i kohës së palodhur.
Maud-i ndodhej ende në kolltuk në orën nëntë të mëngjesit, duke pasur në anën e majtë fikun e ri në një zhvillim të plotë, e pastaj? Rigjejmë duart e saj (ah, duart e saj!) duke mbajtur një libër të hapur, e atëherë? Gjithçka u zhduk në çastin kur aparati funksionoi, një film fotografik fantazmë, një brune e bukur dhe e re, në verë buzë ujit. Çfarë dëshironi ju realisht? Seksin, dhunën, korrupsionin, ulërimat, vdekjen? Elektroshok organik? Po, pa dyshim, e atëherë?
Mos shpresoni të ikni kështu jashtë nga rrethimi.
Kamera nuk është kudo nga pak vetëm jashtë, ajo është brenda jush dhe në vazhdimësi.
Unë mendoj, pra jam, do të thotë në të vërtetë: unë paraqitem, domethënë rrezikohem të zhdukem. Unë nuk jam kur nuk paraqitem, ndihmë, ndihmë. Kjo ndodh para reflekseve, liqeneve, pasqyrave, teatrove, ekraneve, tabelave, gazetave, dublimi është aktiv gjatë intervaleve. Djalli është aty, klik-klak, familja ose shoqëria nuk ishte asgjë tjetër përveçse instrumente.
Për miqësitë, afrimet, lidhjet, puthjet, dashuritë, vlen po i njëjti konstatim. Me zor, ju krijoni një marrëdhënie, një detyrim negativ. E anasjellta fillon këtu.

Përktheu Fatmir Alimani

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›