E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na ndërroni stadiumin

Partizani: Selman Stërmasi, stadium i rrezikshëm per ndeshjen finale te kampionatit me Dinamon

Tensioni për finalen e kampionatit Dinamo-Partizani, e cila do të luhet në 17 maj, po bëhet gjithmonë e më i lartë. Molla e sherrit mes të dyja skuadrave është stadiumi “Selman Stërmasi”. Dinamo është skuadra pritëse dhe sipas asaj që ka bërë të ditur në ditët e fundit presidenti i bluve, Besnik Sulaj, takimi do të zhvillohet pikërisht në këtë stadium, në të cilin dinamovitët kanë zhvilluar të gjitha ndeshjet e këtij sezoni. Nga ana tjetër, Partizani e cilëson si jo të rregullt “shtëpinë” e Dinamos dhe, së fundi, i ka drejtuar një informacion me pesë argumente Federatës Shqiptare të Futbollit, Ministrisë së Rendit Publik e Drejtorisë së Përgjithshme së Policisë Tiranë, por dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.

“Duke parë që një nga objektivat dhe qëllimet e organizatorëve të futbollit (FSHF) është afrimi i tifozëve në stadium, nuk do të ishte e denjë që për arsye shumë mediokre të ekipit të Dinamos të privoheshin me mijëra tifozë për të mos parë ekipin e tyre, sepse stadiumi “Selman Stermasi” ka një kapacitet të vogël, i cili nga licencimi që ka marrë nga UEFA e FIFA, i janë bllokuar të dyja pjesët anësore, ose më saktë 2/4 e kapacitetit, - shkruhej në letrën e Partizanit drejtuar FSHF-së, MTKRS-se dhe Ministrisë së Rendit Publik. - Pjesët anësore janë pa stola, në gjendje të rrënuar, ku mund të biesh në çdo çast nëse vendoset të hapen për publikun, shto këtu që në këto pjesë ka edhe shumë materiale të cilat mund të përdoren nga tifozët si copa gurësh. Nga informacionet që ne zotërojmë, duke parë që në këtë ndeshje do të përcaktohet skuadra kampione për sezonin 2007-2008, do të jenë të pranishëm në stadium më shumë se 30 000 tifozë”.

Partizani është në kërkim të titullit kampion, të cilin e nuk e fiton që prej 15 vjetësh. Skuadra e kuqe mendon se do të ishte më e drejtë që ndeshja të zhvillohej në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në mënyrë që tifozët e shumtë të kenë mundësinë për të ndjekur skuadrën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›