Kina sheh llahtar me sy

Kryeministri i Kinës, Wen Xhibao, tha dje, se vendi i tij ndodhej përpara katastrofës, referuar mbi 8500 të vdekurve nga tërmeti që goditi provincën e Sishuanit në jugperëndim, me fuqi 7,8 ballë të shkallës rihter. Presidenti Hu Jintao bëri thirrje për përpjekje “të gjithanshme”, për të shpëtuar të mbijetuarit. Në mbrëmje vonë, Wen Jiabao, i cili shkoi në rajonin e goditur, u citua nga rrjeti televiziv kinez “CCTV” të kishte thënë se “gjendja është më e rëndë nga sa është vlerësuar fillimisht”. Gazeta gjermane “Die Welt” shkruante në edicionin e saj online në internet se numri i viktimave ishte mbi 9 mijë dhe se ai po rritej. Gazeta shkruante se Lojërat Olimpike nuk janë rrezikuar nga ngjarja. Tërmeti u ndje deri në qytetin e madh Shanghai, në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok (1800 kilometra larg), në kreqytetin e Vietnamit, Hanoi si dhe deri në Tajvan. Në orën 14.28 u regjistruan lëkundjet e forta rreth 10 kilometra nën tokë dhe sipas Institutit për Vëzhgimet Gjeologjike në SHBA, 90 kilometra në veriperëndim të qytetit Chengdu në provincën Sishuan. Qendra Sizmiologjike në Pekin raportoi fillimisht për një tërmet me fuqi 8,0 ballë Rihter, ndërsa më pas Institutet Sizmiologjikë në Kinë dhe SHBA thanë se fuqia ishte 7,8 ballë Rihter. Agjencitë raportuan shifra në rritje të vazhdueshme të viktimave, me prirje për të shkuar në rreth 10 mijë. Autoritetet e Kinës, e cila është përfshirë nga ethet e Lojërave Olimpike në Pekin dhe nga shpërndarja e dhunshme me dhjetëra të vdekur në Tibet, bënë thirrje nëpërmjet kryeministrit Xhibao për kurajë dhe për qetësi. “Përballë kësaj katastrofe, ajo që ka më shumë rëndësi është të tregohet qetësi, besim, kurajë dhe një drejtim i fortë në përballimin e situatës”, - tha Xhibao në televizionin shtetëror, ndërsa udhëtonte me aeroplan drejt Sishuanit, ku ishte epiqendra e tërmetit. Zyrtarët kinezë u organizuan shpejt për të menaxhuar gjendjen e rëndë dhe urdhëruan të gjithë nivelet e administratës shtetërore që të prijnë, sikurse u shprehën “në vijën e parë të luftës” dhe t’i drejtojë “vullnetarët në ndihmë të popullsisë”. Tërmeti përveçse në Sishuan, preku edhe provincat Junan, Gansu dhe bashkinë autonome të Çongqingut. Tërmeti atje, sipas bilancit të përkohshëm të Ministrisë së Çështjeve Civile, shkaktoi 107 të vrarë dhe 34 të plagosur. Këto shifra u pohuan nga agjencia zyrtare e lajmeve “Hsihnua”. E njëjta agjenci saktësoi rreth mbrëmjes, se numri i të vdekurve vetëm në Sishuan ishte 8530 vetë, kurse “Die Ëelt” kishte edhe 3 më shumë, pra 8533. Agjencia “Reuters” raporti gjithashtu, se qindra persona janë të humbur pas rrafshimit të dy uzinave kimike. Sipas “Hsinhua”-së, “Reuters”-it dhe ATSH-së, nga shkatërrimi i të dy uzinave u provokua derdhja në “ambient të hapur të 80 tonëve amoniak të lëngshëm”, ndërsa “rreth 6 000 persona u evakuuan”. BBC-ja raportoi gjithashtu për mijëra të vdekur dhe që banorët e qytetit Chengdu dolën në rrugë pas tërmetit dhe se në rajonin e Bechuanit janë plagosur rreth 10 mijë persona nga tërmeti më i fortë në Sishuan në 30 vjetët e fundit. Forcat e ushtrisë, helikopterët dhe ekipet e kërkim-shpëtimit ndodhen në rajonin e goditur për të ndihmuar banorët. Fillimisht u tha se rreth 900 nxënës kishin mbetur nën rrënojat e një shkolle të shembur nga tërmeti, por detajet nuk u qartësuan. Nxënësit sipas BBC-së, e cila iu referua “Hsinhua”-së, mbetën nën rrënojat e ndërtesës në shkollën e mesme “Juyuan”, në qytetin Dujiangzan, rreth 100 km nga epiqendra e tërmetit, në provincën Eenchuan. Tërmeti ra pikërisht 34 vjet e 1 ditë nga një tërmet tjetër i 11 majit 1974 po në Sishuan dhe Junan, që u mori jetën 10 000 njerëzve atëherë. Por 32 vjet e rreth 80 ditë më parë, Kina u godit prej tërmetit më të madh të dokumentuar të historisë së saj, kur në 28 korrik 1976, në qytetin industrial Tangshan humbën jetën 242 000 persona. Sipas statistikave të botuara dje nga ATSH-ja, nga një tërmet që tronditi më 16 dhjetor 1920 provincën Gansu, vdiqën 230 000 mijë persona.