Në garë, 4 kompani për fitime milionëshe
Deri tani për Aeroportin e Prishtinës kanë bërë kërkesë zyrtare katër kompani, më të njohurat në botë. Qeveria e Kosovës ka investuar në dy vitet e fundit rreth 50 milionë euro, ku vetëm pista e re kushtoi 14.5 milionë euro, dhe me sistem të ri ndriçimi (6 milionë euro). Rritja e numrit të udhëtarëve edhe për këtë vit është mbi 5 për qind, numri i fluturimeve është rritur për 17 për qind, ndërsa norma e fitimit gati se është dyfishuar. "Këtë vit presim t‘i kemi rreth 1.3 milionë udhëtarë ndërsa fitimi neto i kompanisë do të jetë mbi 10 milionë euro. Në vitin 2008 kishim një fitim neto prej 6.7 milionë euro. Këtë shifër tani e kemi arritur dhe tejkaluar që në muajin gusht", thotë Mustafa. Sa i takon ofertave për koncesionin, Mustafa thotë se priste më shumë, por kriza ekonomike në botë ndikoi në reduktimin e tyre. Sa i takon kushteve, pala kosovare ka vendosur kriterin që të mos largohet asnjë punonjës, të paktën në tre vitet e para të koncesionit. Për datën e tenderit, qeveria e Thaçit do të vendosë në fund të vitit.