E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtorët e BERZH-it vizitojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë

Një delegacion i bordit të drejtorëve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të vizitojë Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në datat gjatë kësaj jave me synimin për të pyetur qeveritë e të dy vendeve mbi pritshmëritë që kanë nga ky institucion, njoftoi dje zyra e BERZH-it në Tiranë. Nëntë drejtorë të rëndësishëm të BERZH-it do të takohen me zyrtarët e financave dhe bankave në të dyja vendet.

"Kjo vizitë është pjesë e takimeve të rregullta konsultuese që i mundëson drejtorët e BERZH-it të sigurojnë informacionet e fundit në lidhje me zhvillimet në vendet ku vepron BERZH-i", deklaroi zyra e bankës në Tiranë.

"Qëllimi i vizitës është të sigurohet një informacion i fundit në lidhje me prioritetet e qeverisë shqiptare mbi rolin e pritshëm të BERZH-it në strategjinë e ardhme të vendit".

BERZH-i u themelua në vitin 1991 për të ndihmuar vendet e Europës Lindore të kalojnë nga komunizmi në ekonominë e tregut të lirë. Tani kjo bankë po ndihmon vendet e Lindjes të kapërcejnë krizën financiare, ndërkohë që po kërkon edhe një rol më afatgjatë për veten, tashmë që synimi për të cilën banka u krijua, u ezaurua. BERZH-i ka investuar 545 milionë euro në Shqipëri në shumë projekte publike dhe private. Ajo ka deklaruar se mbetet e interesuar për të financuar ide biznesi në energjetikë, infrastrukturë dhe projekte të pushtetit vendor në Shqipëri. BERZH-i ka deklaruar se ka në plan t‘i ofrojë Bashkisë së Tiranës një kredi të pagarantuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›