E Shtunë, 31 Tetor 2026

AH1N1, rezultatet e analizave brenda 5 orëve

Konfirmimi i analizave për të sëmurët e dyshuar si të prekur nga gripi i derrit do të jepet në pesë orë, maksimumi brenda një ditë-nate. Laboratori i Virologjisë, ku do të kryhen ekzaminimet e kampionëve të dyshuar me AH1N1, është inauguruar dje në prani të specialistëve dhe autoriteteve më të larta shëndetësore.

Qendra e analizave do të jetë pranë Institutit të Shëndetit Publik, ndërkohë që çdo ditë do të ekzaminohen 21 kampionë gjaku.

Deri tani, konfirmimi i analizave për 44 shqiptarët e prekur nga gripi i derrit kanë ardhur nga Laboratori i Referencës për Europën Juglindore, në Rumani. Rastet që do të ekzaminohen pranë laboratorit në ISHP, do të merren nga i gjithë vendi, kryesisht nga spitalet kryesore rajonale dhe qendra spitalore universitare, "Nënë Tereza". "Jemi në një moment mjaft të veçantë, duke qenë se inaugurojmë një laborator të një standardi bashkëkohor, i cili mund të konsiderohet si një nga më të mirët e Europës Juglindore", tha dje gjatë inaugurimit ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas ministrit, nisja e punës në laboratorin shqiptar do të sjellë monitorim edhe më të mirë të situatës. Deri tani, situata e gripit të derrit në vendin tonë paraqitet e qetë, gjendja është në monitorim, por pavarësisht kësaj, përhapja e virusit është e paparashikueshme.

Laboratori

Laboratori i ri është realizuar nëpërmjet dhënies së një kredie nga Banka Botërore për qeverinë shqiptare. Kostoja e përgjithshme e laboratorit, përfshirë punimet civile, blerjen e teknologjisë diagnostikuese, si dhe kualifikimin e stafit arrin në rreth 750 mijë dollarë. Në projekt kanë kontribuar edhe projekte të tjera, përfshirë Paktin e Stabilitetit. Ndihmesë kanë dhënë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, si dhe Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky laborator bën të mundur kryerjen e diagnozës molekulare për identifikimin e virusit të gripit pandemik, A/H1N1. Gjithashtu mund të diagnostikohen edhe viruset e gripit sezonal dhe gripit të shpendëve, A/H5N1. Teknologjia e re, e njohur si "Real Time PCR", mundëson përshpejtimin e kryerjes së diagnozës në më pak se një ditë, duke ndihmuar sistemin shëndetësor në menaxhimin e situatës klinike dhe epidemiologjike të gripit të ri pandemik. Laboratori i ri, në kushte normale do të përpunojë 21 mostra në ditë, ndërsa në kushte emergjence, kapaciteti diagnostikues mund të arrijë nga 50 deri në 100 mostra klinike në 24 orë.

Analiza të tjera

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në Laboratorin e Virologjisë, inauguruar dje, do të vijojnë të kryhen të gjitha analizat e kryera më parë për viruse të rëndësishme për shëndetin publik, si poliomieliti, fruthi, rubeola. Sipas drejtuesve të Institutit të Shëndetit Publik, brenda një kohe të shkurtër do të bëhet e mundur edhe kryerja e analizave për sëmundje të tjera ngjitëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›