E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtari denoncon "vjedhjen" e kasafortës

Persona të panjohur kanë hyrë në shtëpinë e biznesmenit dhe kanë tentuar që të hapin me forcë kutinë e sigurisë


Pronari i punishtes së ulluqeve njoftoi se në banesën e tij i kishin marrë paratë


TIRANE- Frika e një tregtari se i kishin vjedhur kasafortën me 30 mijë euro në banesën e tij në Allias, ka vënë në alarm efektivët e policisë së kryeqytetit. Tregtari Ardian Murgu ka njoftuar në polici se gjatë natës, persona të panjohur i kishin hyrë në shtëpi dhe kishin tentuar të hapnin kasafortën ku ndodheshin paratë.


Ardian Murgu dhe i vëllai, zotërojnë një punishte për prodhimin e ulluqeve bashkë. Sipas burimeve të policisë së kryeqytetit, biznesmeni ka qenë duke u kthyer në banesën e tij dhe si çdo ditë ka hapur portën e oborrit e më pas është drejtuar për në derën e banesës së tij.


Sapo ka hyrë, ai ka vënë re se dera e jashtme ishte paksa e hapur. Më pas biznesmeni ka hyrë në dhomën e ndenjies, ku ka parë se edhe ajo ishte e hapur ndërsa kasaforta që ishte fshehur pas minibarit ishte nxjerrë jashtë. Madje kasaforta kishte shenja që tregonin se dikush kishte tentuar që ta hapte.


Menjëherë tregtari ka shkuar në vendin ku duhet të ndodhej çelësi i kasafortës por ai nuk ishte aty. I alarmuar ai i ka telefonuar policisë duke dyshuar se i ishin vjedhur paratë që kishte në kasafortë. Pas njoftimit të marrë në banesën e Murgut kanë mbërritur disa hetues dhe ekspertë kriminalistë për të kyer veprimet hetimore sipas pretendimit të të dëmtuarit.


Fillimisht hetuesit kanë kërkuar të dinë nga pronari i punishtes, mbi intinerarin e djeshëm të tij si dhe veprime të tjera të kryera prej tij gjatë të dielës apo një dite më parë. Ekspertët, kanë kryer fiksime të pamjeve dhe sendeve të ndryshme në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar shenja të dëmtimeve me sende të forta të kasafortës por sipas tyre ajo nuk ishte hapur.


Denoncuesi gjatë deklarimeve të tij për hetuesit ka dhënë shifra të ndryshme të parave që ka pasur në kasafortë, por kur i kanë kërkuar të hapë objektin sigurisë ai ka ngritur supet duke pohuar se ia kishin vjedhur çelësin.


Kjo ka çuditur pa masë hetuesit të cilët kanë dyshuar fillimisht për ndonjë makinacion të Murgut, por më pas janë bindur se kjo ishte situatë reale. Edhe pse kasaforta nuk ishte vjedhur policia është alarmuar fillimisht për shkak se shuma që pretendohej ishte e madhe.


Gjithsesi ata janë qetësuar sa do pak që nuk ishte vjedhur gjë send në banesë, por se tashmë për ta vazhdon ankthi i vjedhjes së kasafortave. Në muajt e fundit një fenomen i tillë është shtuar dhe policia e kryeqytetit ka regjistruar disa raste të tilla në zonën e ish- bllokut, në Selitë etj.

Hetuesit mendojnë se ngjarja e djeshme ka lidhje me ndonjë person të njohur të biznesmenit. Kjo për faktin që grabitësit dinin shumë mirë vendin ku ishte fshehur kasaforta, prapa minibarit. Madje ata ishin edhe në dijeni të vendit ku ndodhej çelësi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›