Në gjyq korrieri i 17 kilogramëve heroinë
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon fazën hetimore dhe dorëzon dosjen për gjykim pranë togave të zeza për tre korçarët Ardian Rexhepi, Erion Voda dhe Julian Gega të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi. Pas hetimit 7- mujor është zbardhur mozaiku i rrjetit të narkotikëve që ka trafikuar të paktën 17 kilogramë heroinë. Sipas prokurorisë, Ardian Rexhepi kryente vetëm transportin e drogës kundrejt pagesës prej 2500 euro, ndërsa pronari i saj është shtetasi i shpallur në kërkim Erion Voda dhe pritësi i kësaj sasie prej 17.5 kg heroinë në Greqi është i pandehuri Julian Gega. “Nga hetimet e kryera ka rezultuar se mbi bazën e informacioneve të ardhura në polici nga agjent i infiltruar mes grupit të trafikut të drogës, është mësuar se me datë 6 maj 2008 do të kalojë korrieri Ardian Rexhepi një sasi prej 17.5 kg heroinë për në Greqi. Por, edhe pse pika më e afërt e kufirit me shtëpinë e emigrantit Rexhepi ishte ajo e Kakavijës, korrieri ka vendosur të përdorë pikëkalimin kufitar të “Tre Urave” në Përmet. Ku policia nga kontrolli i makinës ka gjetur dhe sekuestruar në bagazhin e makinës, konkretisht në gomën rezervë të saj 15 kg heroinë e mbështjellë me letër natriban dhe 2.5 kg heroinë e ndarë në pako 500 gramshe poshtë sediljes së shoferit”,- thanë burimet e prokurorisë. Pas sekuestrimit të kësaj droge dhe arrestimit të korrierit, i pandehuri Rexhepi ka sqaruar të gjithë organizimin e rrjetit. Sipas tij, shtetasi Erion Voda i kishte ofruar 2500 euro për të transportuar në Greqi 2.5 kg heroinë që kishte pranuar por që vetë pronari i drogës ta fshihte brenda makinës. Për këtë shkak, emigranti Rexhepi ia ka dhënë makinën e tipit “TOYOTA” me targë greke “YBM 3042” pronarit të drogës Voda, i cili pa dijeninë e shoferit i ka futur në gomën rezervë të makinës 15 kg heroinë dhe më pas i ka dorëzuar makinën vetëm me 2.5 kg heroinë të cilën nuk e kishte fshehur. Me të marrë drogën Rexhepi e kishte futur poshtë sediljes pa ditur që në bagazhin e makinës kishte edhe 15 kg të tjera, që u zbuluan dhe u sekuestruan në pikën e kalimit kufitar të “Tre Urave” në Përmet.