E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet një prej dhunuesve të gazetarit Kondi

Leonard Zani akuzohet se ka rrahur zv/kryeredaktorin e gazetës “Albania” vetëm pak metra larg derës së redaksisë

TIRANË- Policia e kryeqytetit ndalon njërin nga katër dhunuesit e zvkryeredaktorit të Gazetës “Albania”, shtetasin Leonard Zani. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit të cilët me anë të një njoftimi për shtyp, deklaruan se në lidhje me incidentin e pasdites së premte ku është goditur me grushte shtetasi Luan Kondi me profesion gazetar është ndaluar i dyshuari i këtij incidenti shtetasi Leonard Zani. “Në lidhje me incidentin e ndodhur natën e të premtes, ku u godit me grusht shtetasi 40 vjeç Luan Kondi, i lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë, me profesion gazetar, sqarojmë opinionin publik se, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr.3 janë angazhuar maksimalisht për të zbardhur tërësisht autorin dhe motivet e këtij incidenti. Pas këtij investigimi kemi mundur të identifikojmë autorësinë e kësaj ngjarje, i cili dyshohet të jetë shtetasi 34 -vjeçar Leonard Pëllumb Zani i lindur e banues në Tiranë”,- thuhet në njoftimin për shtyp që mban siglën e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas këtij njoftimi mësohet se shtetasi Leonard Zani ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr.3 në Tiranë ku po punohet për të sqaruar rrethanat dhe motivet e ngjarjes dhe pritet që këto materiale në ngarkim të tij t’i kalojnë prokurorisë së Tiranës. Gjithashtu, këto burime konfirmuan se arsyeja e sherrit mes gazetarit Kondi dhe shtetasit Zani ka ardhur për motive të dobëta, për të cilat po punohet për t’i zbardhur. Sipas denoncimit të bërë nga dhunuesi Kondi dhe dëshmitarët okularë në vendngjarje mësohet se dhunuesit e zvkryeredaktorit kanë qenë katër persona të cilët kanë lëvizur me një makinë tipit “Benz” me targa të Krujës. Sipas këtij kallëzimi, mësohet se ka qenë ora 15:00 e pasdites së djeshme, kur zvkryeredaktori i Gazetës “Albania” ka zbritur nga taksia para ndërtesës ku ndodhet redaksia gazetës dhe televizioni “Vizion Plus”, kanë qenë katër personat që i janë ofruar duke e pyetur se “jeni gazetar i Gazetës “Albania”, që instinktivisht Kondi i është përgjigjur se po, që ka pasuar më pas me grusht e shqelma ndaj tij pa dhënë asnjë shpjegim të hollësishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›