E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët, në Kosovë me pasaporta

Nga dhjetori i këtij viti ose më së largu janari i vitit tjetër, shtetasit e Serbisë dhe Malit të Zi nuk mund të hyjnë pa pasaporta në territorin e Kosovës. Nga kjo kohë, shtetasit e këtyre dy vendeve që marrin rrugën drejt Kosovës, patjetër që duhet të kenë me vete pasaportë të vlefshme.

Në rast se nuk do ta kenë këtë dokument, shtetasit serbë dhe malazezë do të kthehen prapa nga kufitarët kosovarë, ashtu siç veprohet me shtetasit shqiptarë dhe maqedonas.
Ky vendim pritet të hyjë në fuqi së paku në ato vend- kalime kufitare të cilat administrohen nga Policia Kufitare e Republikës së Kosovës.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar menjëherë Ministria Serbe për Kosovën, e cila u ka bërë thirrje zyrtarëve ndërkombëtarë të mos e lejojnë një gjë të tillë. "Masa të tilla vetëm komplikojnë një situatë tashmë të ndërlikuar në Kosovë dhe paraqesin një provokim të menduar mirë për ushtrimin e presionit të mëtejshëm mbi komunitetin serb, posaçërisht ato që jetojnë në jug të lumit Ibër", thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Sipas tyre, aktivitetet e regjistrimit të shtetasve që hyjnë dhe dalin nga Kosova, përfshirë edhe ata serbë, janë të papranueshme sepse është në kundërshtim të dekreteve të rezolutës 1244. Por, në fakt, paralajmërimi për këta shtetas të Serbisë, që cilët mund të kenë lidhje familjare në Kosovë, tashmë ka filluar të bëhet nga ana e zyrtarëve përkatës.

Një fakt të tillë e kanë pohuar për Express, burime të gazetës nga Qeveria e Kosovës. Sipas tyre, në këtë rast nuk ka asgjë të veçantë pasi thjesht zbatohet ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, rreth një vit më parë.

Ligji për të cilin bëhet fjalë, ka të bëjë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2008, i cili quhet Ligji për të Huajt. Është pikërisht neni 4, saktësisht pika 1 e këtij ligji, i cili flet për të drejtën e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës të shtetasve të huaj.

Shtetasi i huaji mund të hyjë dhe të qëndrojë në territorin e Republikës së Kosovës vetëm me dokument të vlefshëm udhëtimi, në të cilin është shënuar viza apo leje qëndrimi..., thuhet në nenin e këtij ligji.

I njëjti nen shpjegon se pa pasaportë mund të hyjnë në Kosovë të gjithë shtetasit e huaj me shtetin e të cilëve Republika e Kosovës ka marrëveshje të veçantë. ...Përveç nëse me dispozitat e këtij ligji apo me marrëveshje ndërkombëtare nuk parashihet ndryshe, thuhet në këtë nen.

Në këtë rast, Republika e Kosovës nuk ka marrëveshje të veçantë me Serbinë apo Malin e Zi, sikurse që ka me Shqipërinë gjatë sezonit të verës.

Bazuar në këtë marrëveshje, qytetarët e të dy vendeve mund të kalojnë kufirin ndërshtetëror vetëm me letërnjoftime apo me certifikata të lindjes.

Zbatimi i këtij ligji të miratuar nga Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë i mundur për shkak se bazuar në pakon e Marti Ahtisarit, ky ligj mund të hyjë në fuqi një vit më vonë.

Në këtë rast, ligji përkatës që mban numrin 03/ L-126, është miratuar më 16 dhjetor 2008 dhe për funksionalizimin e tij nuk ka nevojë asnjë vendim shtesë.
Behar Selimi, ndihmës i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës për Policinë Kufitare, nuk jep shumë shpjegime në lidhje me këtë çështje.

Ligji përkatës, për të cilin ju flisni, sikurse të gjitha ligjet e tjera, fillon të zbatohet në kohën e vet dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë, thotë Selimi për Express.
Ndërkohë, Ligji për të Huajt i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, i lejon rregulloret e UNMIK-ut për periudhën njëvjeçare, rregullore të cilat Serbia dhe Mali i Zi nuk i cilësonin si të huaja.

Por në kohën kur mbushen një vit nga miratimi i ligjit, rregulloret e UNMIK-ut e humbasin fuqinë juridike. Aktualisht, një shtetas i Serbisë ose i Malit të Zi mund të kalojë kufirin me Kosovën vetëm me letërnjoftim, pa pasur nevojë të ketë pasaportë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›