E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masivet e dherave “përpijnë” 3 banesa

28/01/2009  Rrëshqitjet në Kodrat e Durrësit. Evakuohen banorët, në rrezik dhe 40 shtëpi të tjera

Zona me risk përgjatë aksit nga universiteti “Aleksandër Moisiu” deri në Currila

DURRES - Tre shtëpi janë evakuar nga shtabi i emergjencës dje në mesditë në qytetin e Durrësit pas rrezikut serioz që i është kanosur jetës së banorëve. Një masiv i madh dheu ka rrëshqitur nga kodra e Durrësit në perëndim të qytetit dhe është lëshuar mbi shtëpitë që janë ndërtuar buzë rrugës për në Currila.

Rrëshqitjet

Kanë qenë disa qytetarë, të cilët kanë parë “llavën” e madhe të shkëputej nga kodra e thepisur dhe pa menduar gjatë kanë hyrë brenda në shtëpitë e rrezikuara duke kërkuar që të gjitha banorët të braktisin shtëpitë. Kaq ka mjaftuar dhe në pak minuta banesat janë lënë bosh kurse familjarë dhe qytetarë kanë parë me sytë e tyre masivin e dheut të lëshuar në mes të objekteve duke përfunduar në asfalt. Policia Rrugore ka bllokuar kalimin në të djathtë të rrugës Vollgë-Currila si dhe ka vënë në punë dy fadroma për të larguar masivin e madh të dheut. Nga ana tjetër bashkia ka kërkuar ndihmën e subjekteve private për të nisur sa më parë ndërtimin e një muri mbrojtës si dhe pastrimin e kanalit për të bërë të mundur të krijojë barriera për rrëshqitjet e tjera. E gjithë kjo pjesë e kodrës me pamje nga deti është e zhveshur plotësisht dhe lokalet e banesat poshtë saj janë të gjitha të rrezikuara. Shiu i rrëmbyeshëm që ka nisur në orën 6 të mëngjesit dhe ka vijuar deri në orën 13.30 ka vënë në gjendje alarmi mjaft shtëpi të ndërtuara në shpatin e kodrës së Durrësit. Nisur nga të dhënat që ka afruar shtabi emergjencave civile pranë prefekturës së Durrësit mësohet se më shumë se 40 shtëpi banimi dhe disa lokale që shtrihen përgjatë rrugës nga universiteti “Aleksandër Moisiu” deri në Currila janë të rriskuara nga masivet e dherave. Dëmtimi i plotë i masivit të gjelbër, prerja e drurëve dekorativ, gërmimet për qëllime ndërtimi dhe mungesa e mureve mbrojtës e mbajtës ka vënë në pikëpyetje të gjitha këto objekte. Gjithnjë sipas pohimeve nga prefektura asnjë nga këto ndërtime nuk është legale, kurse ALUIZNI në Durrës mësohet se nuk i ka përfshirë në procesin e legalizimit.

LIBRAZHD

Rreth dy javë më parë rrëshqitje dherash pati dhe në fshatin Gurë-Shpatë në rrethin e Librazhdit, ku toka është fundosur me rreth 5 metra. Më të rrezikuara kanë qenë 25 familje, por janë prekur gjithsesj 70 banesa. Specialistët e cilësuan si zonë me rrezik të lartë dhe se banoët duhen shpërngulur. Dosjet e këtyre familjeve do të nisen për në kabinetin e Ministrave për dëmshpërblime. Urdhri është të lëvizin 25 familje duke gjetur si zgjidhje të përkohshme repartin ushtarak në Togëz.

FIER

Rreth 20 familje të fshatit Levan kanë braktisur banesat e tyre më shumë se dy javë më parë pasi panë pragshembjen e banesave të tyre. Kjo erdhi si rezultat i rrëshqitjes së dherave, ndërsa shenjat e para qenë çarjet e mureve, shembjet e pjesshme të tavaneve, dëmtime në oborre dhe çati. Sipas banorëve, rrëshqitja e dherave kishte filluar në pjesën poshtme të fshatit ku kalon rruga nacionale Levan-Vlorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›