Në kartolina vjen Shqipëria nga viti 1892 deri më sot
Shqipëria nga viti 1892 deri më sot titullohet ekspozita, e cila u çel dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, si një koleksion i pasur dhe i rrallë i dr. Panajotis Kolimihalis, me origjinë të hershme shqiptare, që jeton në Greqi. Në këtë ekspozitë u prezantuan 3200 kartolina. Vetë autori koleksionist grek u shpreh se dje se: Është mallëngjyese të shohësh pas kaq shumë vitesh realizimin e një ekspozite kaq të dëshiruar. Kjo ekspozitë është dhe mbajta e premtimit që unë i kam bërë babait tim, pasi kjo ishte dhe një ëndërr e tij.
Ai tregon se kartolina e parë, e koleksionuar ka qenë një kartolinë, e dërguar nga motra e babait të tij, që jetonte në Shqipëri. Për Kolimihalisin, koleksionimi i këtyre kartolinave, nuk është vetëm dashuri, por dhe pasioni që ka për Shqipërinë. Panajotis Kolimihalis është mjek në profesion në një nga spitalet e Athinës, por prej 40 vjetësh kultivon pasionin e tij për kartolinat. Koleksioni i tij prej 3200 kartolinash dokumenton historinë e Shqipërisë, që nga viti 1892 dhe ekspozohen për herë të parë. Ekspozita e çelur në Muzeun Kombëtar rezulton një udhëtim interesant nëpër historinë e një Shqipërie gati të panjohur për publikun e gjerë. Ndërkohë që lidhja speciale me atdheun e të parëve e Kolimihalis nis nga origjina e tij, por edhe me një kartolinë të dërguar 40 vjet më parë nga Shqipëria. "Lidhja është se prejardhja ime është nga Lunxhëria. Koleksionimi im ka filluar që para 40 vitesh , thotë dr. Panajotis Kolimihalis, koleksionist. Ekspozita me kartolina ka shëtitur nëpër 15 vende të ndryshme dhe ka ndihmuar në krijimin e një imazhi të një Shqipërie tjetër me histori dhe kulturë. "Në këtë koleksion është e gjithë historia e Shqipërisë së shekullit të XX, me të dhëna të pakundërshtueshme dhe të dokumentuara. Por ajo që dua te theksoj është se kushdo që e sheh këtë ekspozitë, ndryshon mendim për Shqipërinë, sigurisht në aspektin pozitiv. Në këto kartolina kupton se Shqipëria është një vend me kulturë, me njerëz të mirë dhe me kostume shumë të bukura dhe me një natyrë të mrekullueshme, tregon ai. Pasi kanë udhëtuar në 15 vende të ndryshme të botës, kartolinat shqiptare arritën dhe në vendin e tyre të origjinës, falë mbështetjes së ambasadorit shqiptar në Greqi, Vili Minarollit. Panajotis Kolimihalis është dekoruar dhe nga ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu për ndihmën që u ka dhënë shumë shqiptarëve si në Greqi, ashtu dhe në Shqipëri. Si nismëtar i ardhjes së ekspozitës me Kartolina në Shqipëri, ambasadori Vili Minarolli u shpreh se kjo ekspozitë përfaqëson një faqe të shkëlqyer të historisë sonë. Ajo është fryt i një pune 40-vjeçare të koleksionistit, që i nxitur prej pasionit të tij, i ka gjurmuar në çdo skaj të botës dhe i ka blerë kundrejt çdo çmimi. Kjo ekspozitë tregon në një farë mënyre, miqësinë e ngushtë që ekziston mes dy vendeve tona, u shpreh Minarolli. Ekspozita Shqipëria nga viti 1892 deri më sot do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 11 prill.