E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartolinat, pasioni për Shqipërinë

03/04/2009  Koleksionisti grek

E para që koleksionoi ishte një kartolinë e dërguar nga motra e babait të tij, që jetonte në Shqipëri. Këtu zuri fill edhe pasioni i Panajotis Kolimihalis për të grumbulluar kartolina të tjera mbi Shqipërinë.

Mjeku grek me origjinë shqiptare që prej asaj kohe koleksionoi me mijëra kartolina, të cilat, siç pohon, për të nuk janë vetëm dashuri, por dhe pasioni që ka për Shqipërinë. Sot janë plot 3200 kartolina, të cilat i prezanton në një ekspozitë filatelike në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. E çelur dje, “Shqipëria nga viti 1892 deri më sot” paraqet Shqipërinë gjatë një harku kohor më shumë se dy shekullor përmes pamjesh dhe detajesh të një koleksioni të rrallë. “Është mallëngjyese të shohësh pas kaq shumë vjetësh realizimin e një ekspozite kaq të dëshiruar. Kjo ekspozitë është dhe mbajta e premtimit që unë i kam bërë babait tim, pasi kjo ishte dhe një ëndërr e tij”, - u shpreh

koleksionisti grek gjatë çeljes së ekspozitës.

”Babai im ishte nga Lunxhëria, por me mbylljen e kufijve ai mbeti në Greqi, ndërsa këtu vazhdoi të jetojë motra e tij”, rrëfen Kolimihalis.

Kartolina urimi të mbledhura në mbi 30 vende të botës, vetëm një pjesë të vogël të tyre e ka gjetur në Shqipëri.

Janë kryesisht pamje reale të Shqipërisë në vite: personazhe me veshje popullore shqiptare, peizazhe të natyrës nga vendi ynë, apo pamje të qyteteve të sjella përmes shkrepjes fotografike të artistëve shqiptarë, si Marubi, por edhe të fotografëve të panjohur.

Për ambasadorin shqiptar në Greqi Vili Minarolli, nismëtar i ardhjes së ekspozitës në vendin tonë, kjo ekspozitë përfaqëson një faqe të shkëlqyer të historisë sonë. “Ajo është fryt i një pune 40-vjeçare të koleksionistit, icili, i nxitur prej pasionit të tij, i ka gjurmuar në çdo skaj të botës dhe i ka blerë kundrejt çdo çmimi. Kjo ekspozitë tregon në njëfarë mënyre miqësinë e ngushtë që ekziston mes dy vendeve tona”, - vërejti ai, që shtoi se koleksioni i kartolinave të Shqipërisë do të mund të qëndrojë në vendin tonë në formën e një albumi.

“Shqipëria nga viti 1892 deri më sot” është prezantuar më parë në 15 vende të ndryshme të botës dhe më në fund kartolinat vijnë edhe në vendin e origjinës së tyre. Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më datën 11 prill.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›