E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Nato me “gra shtatzëna”...

03/04/2009  Instalacioni

Skulptura që do të vendoset në qendër të sheshit Nënë Tereza, do të zbulohet për shikuesit në datën 5 prill. Në këtë skulpturë pjesa e barkut mbetet e zhveshur për të treguar se pavarësisht ngjyrave që kemi, ardhmëria e kombeve është e njëjtë.

Janë një grup grash shtatzëna, të veshura me flamuj kombëtarë, por barku i tyre është i zbuluar. Këtë imazh paraqet skulptura e krijuar nga Najada Hamza, pjesë e instalacionit “NATO+N”, që do të vendoset në qendër të sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO më 4 prill.

Nëpërmjet kësaj vepre, me të cilën ka marrë pjesë në vitin 2005 në konkursin “Bienale” të Selanikut, Hamza do të përcjellë mesazhin se “në këtë skulpturë pjesa e barkut mbetet e zhveshur për të treguar se, pavarësisht ngjyrave që kemi, ardhmëria e kombeve është e njëjtë.” Sipas Ardian Isufit, pedagog në Akademinë e Artve, si dhe një prej organizatorëve, “për herë të parë në Shqipëri do të bëhet një ndërhyrje e tillë artistike në një ngjarje politike që do të simbolizojë ardhmërinë dhe pozitivitetin që duhet të kenë njerëzit me njerëzit dhe kombet me kombet.” Instalacioni, i cili do të jetë në përmasa të mëdha, është një nismë paralele me ato të vendeve të tjera të Europës, në pranimin e tyre në NATO. Skulptura që do të vendoset në qendër të sheshit “Nënë Tereza” do të zbulohet për shikuesit më datën 5 prill, ditën kur do të organizohen aktivitete për festimin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›