Në katër vjet shënohen 26 shtyrje të seancave plenare
Në raportin e lëvizjes “Mjaft” janë paraqitur dhe shtyrjet e seancave plenare dhe arsyet pse janë shtyrë seancat e parashikuara në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Në raport konstatohet se “shtyrjet e seancave ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit shqiptar, siç janë fondet për nëpunësit e administratës, energjia elektrike e shpenzime të tjera që lidhen me zhvillimin e aktiviteteve të Kuvendit të Shqipërisë”. Nga monitorimi është vërejtur se gjatë sesionit të dytë parlamentare janë regjistruar 13 raste të shtyrjeve të seancave plenare. Gjatë sesionit të tretë rezultojnë 6 të tilla; gjatë sesionit të katërt nuk rezulton asnjë shtyrje; gjatë sesionit të 5-të rezultojnë 2 të tilla; gjatë sesionit të gjashtë dhe të shtatë të Legjislaturës XVII, rezultojnë pesë raste të shtyrjeve të seancave plenare. Rrjedhimisht, nismat ligjore të parashikuara në rend të ditës janë shtyrë për seancat pasardhëse.
Datat dhe arsyet pse janë shtyrë këto seanca paraqiten më poshtë:
Seanca plenare e datës 7 shkurt 2008 u shty me konsensus pasi ishte ende në proces instalimi i sistemit të ri elektronik të votimit. Seanca plenare e datës 6 mars 2008 u shty me propozimin e të gjitha grupeve parlamentare që seanca mos të zhvillohet për arsye se 6 marsi u shpall ditë zie kombëtare në nderim të 16 viktimave që humbën jetën në liqenin e Farkës. Seanca plenare e datës 23 qershor 2008 u shty pasi opozita braktisi sallën pas kontestimeve lidhur me kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 23 qershor – 15 korrik 2008, duke u shprehur kundër procedurës së përshpejtuar me të cilën është përfshirë në kalendarin e punimeve nisma e ish-zëvendëskryetarit të asaj kohe, z. Fatos Beja, për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Seanca plenare e datës 10 korrik 2008 u ndërpre pas tensionit të krijuar në sallë për arsye se deputeti Erion Braçe nuk lejohej nga zëvendëskryetari i asaj kohe, z. Beja, që të merrte fjalën. Edhe pas një pushimi disaminutësh dhe rifillimit të seancës, situata nuk ndryshoi. Seanca plenare e datës 10 nëntor 2008 u ndërpre pas deklaratës së deputetëve Ilir Meta dhe Nard Ndoka, për mbrojtjen e votës, duke e quajtur këtë të fundit të shenjtë dhe duke shpallur grevë urie.
Përveç shtyrjes së seancave plenare, në raportin e Mjaft-it janë konstatuar rreth 32 raste të shtyrjes së mbledhjeve të komisioneve parlamentare vetëm gjatë vitit 2008. Mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare shtyhen për arsye nga më të ndryshmet, që nga mungesa e deputetëve, mungesa e ekspertëve, për shkak të mosarritjes së konsensusit për një ligj të caktuar etj.
30 Prill 2009