Në kërkim për prostitucion e vrasje,ekstradohen

Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar njëri i akuzuar për vrasje e tjetri për shfrytëzim prostitucioni janë ekstraduar në vendin tonë.
Interpol ka ekstraduar nga Gjermania Dritan Domin dhe nga Belgjika Kristjan Kola.
Dritan Domi 35 vjeç ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ishte dënuar me 11 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "shfrytëzimit të prostitucionit.
Ai në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka mashtruar shtetasen A. D., me qëllim dërgimin në Itali dhe shfrytëzimin e saj si prostitutë.
Ndërkohë nga Belgjika, u krye ekstradimi i Kristjan (Marjan) Ndue Kola, 31 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ndaj tij ishte dhënë masa "arrest në burg". Ai akuzohet për veprat penale të "vrasjes me paramendim" dhe "armëmbajtjes pa leje" .
Kola akuzohet se me 23 tetor të 2005 në Shullaz të rrethit Kurbin, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë të rënda, shtetasin Sandër Nokaj, i cili më pas ka gjetur vdekjen.