E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të civilizimit të humbur

Nga Express më 10 prill 2011 në ora 20:27

Arkeologët meksikanë janë duke punuar në hapjen e tunelit të vjetër 2 mijë vjet në rrethinën e Meksiko Sitit, në kërkim për gjurmët e njërës nga civilizimet më me ndikim në rajon.

Shirat në vendgjetjen në Teotihuakan, 40 kilometra larg Meksiko Siti, rastësisht në vitin 2003 kishin zbuluar ekzistimin e tunelit – kur uji kishte krijuar një vrimë të vogël në tokë.

Gjashtë vjet më vonë, ekipi të cilin e financon Instituti nacional për antropologji dhe histori, nisi gërmimet.

Tuneli sekret nën qytetin e lashtë Teotihuakan është njëri nga vendgjetjet më të popullarizuara në Meksikë. Ka qenë qendër e madhe fetare në fillim të Erës së Re dhe në majën e fuqisë të njërit prej qyteteve më me ndikim në Amerikën Veriore para zbulimit të kontinentit, me 200.000 banorë.

Arkeologët besojnë se qyteti është braktisur në shekullin e shtatë për shkak të problemeve politike, ekonomike dhe sociale. Deri më tash janë gërmuar rreth pesë për qind e Teotihuakan, edhe pse qyteti, i cili shtrihet në 25 kilometra katrorë, hetohet për më shumë se 100 vjet.

Arkeologët thonë se tuneli paraqet botën nëntokësore sipas besimit të atëhershëm. Asnjë varr mbretëror nuk është gjetur në Teotihuakan kur ai ishte braktisur kur Astekët erdhën në rajon rreth vitit 1300.

Ekspertët thonë se kërkimi për varre nuk është qëllimi i vetëm i gërmimit, por sipas tyre ata do të përpiqen që të kuptojnë implikimet që ka pasur tuneli për religjionin e atëhershëm.

Teotihuakan ka qenë njëri ndër civilizimet më me ndikim në Amerikën Latine. Në gusht të vitit të kaluar arkeologët zbuluan hyrjen në tunel.

Deri më tash janë gjetur rreth 60.000 fragmente të vogla të qeramikës, eshtrave. Rreth 300 arkeologë, biologë dhe arkitektë po punojnë në gërmimin dhe mbrojtjen e hyrjes në tunel. Arkeologët besojnë se në shekullin e dytë dhe të tretë të Erës së Re mbledhja e gurëve është bërë me qëllim për të bllokuar hyrjen në tunel.

Hulumtuesit për herë të parë kanë hyrë në tunel në nëntor të vitit të kaluar dhe kanë arritur të kalojnë vetëm shtatë nga 120 metra, sa besohet se është tuneli i gjatë. Ata presin që i gjithë tuneli të hulumtohet në disa nga vitet e ardhshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›