E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në kërkim të fillit të humbur

Nëse problemet politike janë në rend të ditës në Shqipërinë e tranzicionit të pafund, efektet sociale bëhen më evidente, ndoshta edhe më të komplikuara se për shembull zgjedhja e një presidenti. Lajmi më dramatik i publikuar në mediat tona, pavarësisht që siç ndodh rëndom kaloi pa i dhënë shumë rëndësi, erdhi nga sektori i teknologjisë së informacionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Thelbi i mesazhit ishte i qartë: shëndeti i fëmijëve ndodhet në rrezik si pasojë e faktorëve të shumtë të ndotjes mjedisore e cila rezulton të jetë në nivele të larta. Shëndeti i fëmijëve mund të rriskohet si pasojë e ekspozimit të tyre për një kohë të gjatë në mjedise toksike, të cilat mund të shfaqin një sërë sëmundjesh të menjëhershme por mund të shndërrohen dhe në sëmundje kronike. Ndikimi i lëndëve të ndryshme toksike në ujë dhe në ajër rezulton të jetë në shifra të larta dhe alarmante për shëndetin e shqiptarëve. Ndërkohë që nga studimi ka rezultuar se katër janë problemet më të shpeshta shëndetësore që shfaqen te fëmijët si pasojë e këtyre lloj ndotjeve. Kështu, të gjitha moshat e vogla janë të ekspozuara ndaj këtyre sëmundjeve si ato respiratore ( të kategorive të ndryshme deri te format e rënda alergjike). Të tjera kanë të bëjnë me probleme të ç’rregullimeve mendore të cilat mund të denigrojnë dhe në forma të rënda tumoresh si dhe sëmundje që kanë të bëjnë me gjëndrat endokrine. Për rrjedhojë, ecuria e këtyre problemeve mund të marrë përmasa alarmante, nëse lihet për një kohë të gjatë pa u trajtuar. Dëmet janë të paimagjinueshme, edhe pse shpërfillen. Aktualisht rezulton se rreth 33 për qind e popullsisë është nën moshën 15 vjeç. Shifrat tregojnë se vdekshmëria te moshat e vogla është më shumë prezente në zonat rurale dhe kjo për shkak të kushteve të vështira të jetesës, ku mendohet të jetë deri në 59 për qind. Kjo mund të vijë si pasojë e ndryshimeve të shumta klimaterike, shfaqjes së fenomeneve parazitare, si dhe të ndotjes të cilat rezultojnë në nivele të larta.

Fatkeqësisht Shqipëria konsiderohet ndër vendet që kanë probleme serioze me mjedisin. Autoritetet vazhdimisht kanë deklaruar se po marrin masa, ndërsa veprimtarë të të drejtave të njeriut, thonë se ato janë ende të pakta. Ndërkohë që gjatë këtyre viteve është vënë re veprimtaritë konkrete në lidhje me pjesëmarrjen në diskutimin e problemeve mjedisore dhe ndikimi i tyre në vendimet e marra kanë qenë të rralla, episodike dhe të dobëta. Levizjet e mëdha demografike nuk janë paraprirë nga masa të nevojshme për të zbutur impaktin ndaj mjedisit. Si rrjedhojë mungon infrastruktura në zona të mëdha urbane veçanërisht në ato periferike. Rreziku i infeksioneve për shkak të mungesës së sistemimit të ujërave të zeza mbetet shqetësues. Fauna dhe flora janë dëmtuar si asnjëherë tjetër. Gjuetia agresive me mjete zhdukëse masive ka dëmtuar rëndë faunën detare dhe lumore. Mbledhja pa kriter e shumë bimëve mjekësore po çojnë në shfarosjen e tyre. Kështu, specie endemike ose janë zhdukur ose rrezikohen të zhduken. Ndotja urbane është bërë shqetësim i madh për shumë qytete. Mostrajtimi i tyre dhe grumbullimi në vende jo të përshtatshme, pranë qyteteve, përbën rrezik serioz për popullatën. Veçanërisht në qytetin e Tiranës derdhjet urbane të ngurta përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e banorëve. Ajri në disa qytete ështe tepër i rënduar, krahasuar me normat e lejuara. Ndotjet a shkaktuara nga makinat, pluhurat e ndërtimeve, apo lëndët helmuese që dalin nga djegia e plehrave, kanë përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit. Kapacitetet shkencore dhe monitoruese të institucioneve përgjegjëse për vlerësimin e mjedisit janë zbehur mjaft ose nuk funksionojnë. Për rrjedhojë, në shumicën e rasteve nuk ka njohuri për cilësinë e ujit, ajrit etj. ku jeton popullata shqiptare. Gjithashtu, vendi ynë sot importon pjesën më të madhe të produkteve ushqimore. Kontrolli i cilësisë së tyre mbetet një pikë mjaft kritike, pasi jo rrallë janë vënë re edhe raste fatale (përdorimi i alkoolit metilik në pije etj). Nga ana tjetër, higjiena e qyteteve tregon mungesa të theksuara të edukatës mjedisore të komunitetit dhe mosangazhim serioz të shtetit në zgjidhjen e këtyre problemeve. E vërteta shqiptare në fushën e mjedisit përmblidhet në thenien e përvitshme: "Këtë vit kemi mjedise shumë më të ndotura se një vit më parë". Sfidat që sot shqiptarët po ndeshin në raport me natyrën, kërkojnë një rishikim të veprimtarisë së tij, në aspektin teknologjik, të konsumit, ate organizativ dhe të angazhimit të të gjithë elementeve potenciale të shoqërisë, që mund të ndikojnë e ndihmojnë për mënjanimin ose rigjenerimin e dëmtimeve të shkaktuara në epokën industriale. Në të kundërt, parashikimet për një katastrofë ekologjike dhe humane do të jenë të pranishme shumë shpejt. Modernisti i famshëm francez Monnet ka thënë se: “asgjë nuk është e mundur pa njerëz dhe asgjë nuk është më jetëgjatë pa institucione”. Realiteti ynë i përmbush të dyja disbalancat dhe duket se “therrorja” e parë e këtij indiferentizmi do të jenë të pafajshmit; fëmijët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›