E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shihet fundi, hapja e “Kutisë se Pandorës”!

Sipas disa analistëve amerikanë, por që tani e konfirmon haptazi ish presidenti i Sllovenisë, Milan Kuçan, kërkohet rishikimi i kufijve të Ballkanit në përgjithësi, përmes organizimit të një konferencë ndërkombëtare, që z. Kuçan e quan evropiane. A duhet shqiptarët t’i frikësohen apo ta pranojnë këtë ide në tryezën e bisedimeve? Disa akademik kanë thënë se nuk duhet ikur kësaj ideje dhe se kjo mbase mbetet e vetmja zgjidhje për ta definuar çështjen shqiptare. Por këtë ide është duke e kërkuar edhe pala serbe, dhe për këtë ka plane të gatshme edhe në Serbi

Edhe takimi i shumë pritur, që shikohej si shpresa e fundit për politikën vendore në Kosovë dhe diplomacinë e BE-së, mori fund. Ishte një takim që asgjë nuk solli të re sa i përket të ardhmes së Kosovës, ose thënë ndryshe, rezultati ishte ai që është pritur që në fillim, mos marrja e asnjë vendimi, përkatësisht u tregua se Kosova nuk është çështja me e rëndësishme në botë, e as në marrëdhëniet mes ShBA-ve dhe Rusisë. Ky takim vetëm sa tregoj ‘Thembrën e Akilit”, tregoj se nga duhet orientuar procesi dhe kush duhet të merret me të. Tregoj se Kosova nuk është problem me të cilin duhet të merren Bushi dhe Putini, por i një rangu me të ulët. E keqja e përfundimit të takimit është se tani ka futur në telashe BE-në dhe politikanët e Kosovës. Si do t’ia bëjnë ata apo si do t’u shpjegohet kjo histori qytetarëve të Kosovës, se nuk ka pavarësi?

Duhet pranuar se gozhda ka hasur në nyje dhe ka filluar të shtrembërohet. Nuk po shpon më, ndërsa që tërheqja e saj, do të lë një vrimë e cila nuk dihet se me çka do të mund të mbulohet. E vërteta është se presidentët Bush dhe Putin “kanë biseduar për statusin e Kosovës. Kjo është një çështje në të cilën, sekretarja e shtetit, Condoleeza Rice dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kanë harxhuar mjaft kohë”, ka thënë Hadley, duke shtuar se ka shumë ide që po qarkullojnë dhe po bisedohet. Tani marrja me çështjen e Kosovës po konsiderohet edhe si harxhim i kohës dhe është normale kur kihen parasysh sfidat me të cilat po përballen ShBA-ja, me pak Rusia, dhe treguesi i dytë është se, nuk qenka vetëm pavarësia e Kosovës ideja që po qarkullon në analet diplomatike, siç pretendohet t’i prezantohet apo imponohet opinionit, sidomos atij në Kosovë se vetëm për pavarësi po flitet dhe asgjë tjetër.

Por, çfarë fshihet realisht pas gjithë kësaj loje për statusin e Kosovës? Sipas disa analistëve amerikanë, por që tani e konfirmon haptazi ish presidenti i Sllovenisë, Milan Kuçan, është rishikimi i kufijve të Ballkanit në përgjithësi, përmes organizimit të një konferencë ndërkombëtare, që z. Kuçan e quan evropiane. A duhet shqiptarët t’i frikësohen apo ta pranojnë këtë ide në tryezën e bisedimeve? Disa akademik kanë thënë se nuk duhet ikur kësaj ideje dhe se kjo mbase mbetet e vetmja zgjidhje për ta definuar çështjen shqiptare. Por këtë ide është duke e kërkuar edhe pala serbe, dhe për këtë ka plane të gatshme edhe në Serbi.

Për dallim nga evropianët, analistët amerikanë janë ngushtuar në mendimet e tyre, ata janë te mendimit se do të duhej të organizohej një Konferencë e tipit të Dejtonit vetëm për Kosovën. Çfarë do të thotë kjo? Insistimi i Rusisë për të mos i dhenë pavarësi Kosovës përmes Këshillit të Sigurimit është në këtë linjë, përkatësisht mbron qëndrimin serbë për një ndarje të Kosovës në fund të gjithë këtij procesi, nëse nuk arrin ta mbaj Kosovën të terën nën administrimin e saj. Kërkesa për bisedime të reja konsiderohet si mundësia me e mirë për ta zvarritur procesin, sipas logjikës se kjo zvarritje do të nxisë shpërthimin e situatës në Kosovë.

Në fakt llogaritë janë se zvarritja e statusit dhe mos pranimi nga ana e Rusisë që statusi të definohet përmes një rezolutë të KS të OKB-së do të dërgojë në dy drejtime: e para se mund të nxisë trazira tek shumica në shenjë pakënaqësie dhe humbje të durimit dhe në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do ta qetësonte vendin, të thirret një Konferencë ndërkombëtare për Kosovën. E dyta, se duke zvarrit procesin, pala shqiptare do të jetë e detyruar, nga presioni i brendshëm, që të shpall pavarësinë e Kosovës, por që në të njëjtën kohë pjesa veriore do të shpallte po ashtu pavarësinë e saj dhe bashkimin me Serbinë, që konsiderohet se prapë do të mund të nxisë konflikt, që po ashtu si zgjidhje do të kërkohej thirrja e një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Të dy këto variante janë duke u shikuar si të mundshme nga serbët dhe rusët, nëse zvarritet definimi i statusit të Kosovës. Të dy përfundimet janë të favorshme për Serbinë dhe të disfavorshme për Kosovën, prandaj insistohet aq shumë në negociata të reja nga Serbia dhe Rusia, gjë që nuk duhet mohuar faktin se Rusia ka gisht në këtë plan, që si rezultat final të ofrohet ndarja e Kosovës?

Në këtë linjë janë edhe deklaratat e udhëheqjes serbe, se besojmë në arritjen e një kompromis për Kosovën. Ata kompromis mendojnë ndarjen e Kosovës, pavarësi për ¾ e Kosovës ku jetojnë shqiptarët dhe autonomi për ¼ e territorit ku jetojnë serbët. Këtë ide e ka elaburuar në një formë edhe ish kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, edhe pse liderët tjetër politikë të Kosovës janë shprehur se kjo logjikë mund të dërgojë në ndarjen e shteteve tjera në rajon. Një ndarje të Maqedonisë po kërkon që disa herë edhe ish kryeministri i Maqedonisë, Lubçe Giorgievski. Nuk është një ide fantazmë, por që po promovohet dhe po fiton terren tek palët “nacionaliste”, gjë kjo na kthen tek ideja që u tha në fillim, ripërkufizimi apo rikrijimi i kufijve të shteteve të Ballkanit. Asgjë tjetër nuk fshihet prapa deklaratave të Serbisë dhe Rusisë për bisedime të reja, e që po pranohet heshtazi nga të gjitha palët, përveç se ndarjes së Kosovës.

Kjo zgjidhje shikohet si me afatgjate dhe me e qëndrueshmja për rajonin, gjë që edhe Milan Kuçani thotë se “në mendje i kam zgjidhjet afatgjata, të cilat janë të vetmet që mund të sjellin stabilitet, demokraci, paqe dhe prosperitet në atë pjesë të Evropës”. Ish presidenti Kuçan e pranon se zgjidhjet e ofruara, investimet dhe përpjekjet e bëra deri me tani për ta qetësuar situatën në shtete e ish RSFJ-së nuk kanë dhenë rezultat të kënaqshme. Sllovenia është pjesë e BE-së dhe një ish shtet i Jugosllavisë që njeh në rrënjë problemi shqiptaro-serb dhe mosmarrëveshjet historike mes tyre. Prandaj duhet përdorur një shtet që konsiderohet si me i afërt me mentalitetin e popujve të Ballkanit për të promovuar një ide dhe kjo është Sllovenia.

Sipas z. Kuçan, që mund të konsiderohet si njohës i mirë i politikës në ish Jugosllavi dhe në përgjithësi në Ballkan, as marrëveshja e Dejtonit dhe as Pakoja e Ahtisarit nuk e kanë mundësuar këtë gjë. “Jam i bindur se konferenca evropiane për Ballkanin do të dinte të ofronte zgjidhje që do të forconte rëndësinë e sundimit të ligjit, mbrojtjes së pakicave kombëtare, krenarinë personale dhe liritë qytetare, shtetin plural qytetarë që i respekton dallimet...”, ka thënë ai. E tëra është në kërkim apo si një propozim për ridefinimin e kufijve të shteteve të Ballkanit. Nuk ka kërkesë tjetër këtu, e vetmja që po kërkohet është gjetja e atij q promovon dhe ua fut në kokë, ose bind me lehtë këto vende që të shkojnë drejtë kësaj zgjidhje. Tani, si duhet vepruar, sepse Kosova është vënë para dilemave, të shkohet drejtë kësaj zgjidhje, shpallje të njëanshme të pavarësisë dhe bartje e të gjitha rreziqeve që u cekën me lartë apo të pranojë zvarritjen e procesit dhe pritjen e një zgjidhje nga jashtë, e cila nuk dihet se çfarë do të jetë dhe kur do të arrihet!

Por, a mund të gjejë zbatim varianti i parë, që hapë “Kutinë e Pandorës” varet nga dy faktorë: Si do të shikohet nga shqiptarët, përkatësisht Shqipëria, kjo zgjidhje, e drejtë, funksionale dhe e leverdishme, sepse nuk do të thotë se ajo mund të sjell mrekulli, sepse ka vështirësi në funksionalizimin e saj, dhe e dyta, a shikohen shqiptarët dhe territoret e tyre si pozita strategjike nga ShBA-ja në vitet në vazhdim. Këtu është duke u bërë llogaria dhe nëse është pozitive nuk mund të ndalet, nëse jo, është shumë vështirë për t’u venë në funksion. Në këto llogari evropianët tërësisht kanë mbetur jashtë loje, që me shumë janë duke u përpjekur ta shpëtojnë Unionin, sesa që po kërkojnë zgjidhje për problemet në oborrin e saj, përkatësisht për t’i dhenë një të ardhme të sigurt Kosovës, jashtë këtyre skenarëve, dhe rajonit të Ballkanit. Evropa nuk ka ide se si duhet të veprohet tani dhe i mungon vizioni, shihet qartë. Prandaj, ajo do të paguaj çmimin që do të caktohet në muajt e ardhshëm nga kjo përllogaritje?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›