E Hënë, 2 Nëntor 2026

Harta e kalkuluar e emigracionit

Krijimi i hartës së emigrantëve shqiptarë nëpër botë do të bëjë të mundur mbrojtje sociale dhe mundësi më të mira për integrimin e tyre në vendet ku jetojnë e punojnë prej më shumë se 15 vitesh. Ky ishte haberi më i mirë i qershorit të nxehtë për emigrantët tanë, për të cilët qeveria jonë në bashkëpunim me IOM-in do të ndihmojë në njohjen e situatës dhe në hartimin e politikave afatgjata dhe efektive. IOM ka mundësinë logjistike nëpërmjet 300 zyrave të saj në të gjithë botën, por edhe eksperiencën e duhur, për të kontribuuar në krijimin e hartës së emigrantëve shqiptarë kudo ku ata ndodhen.

Nëpërmjet këtij projekti, jo vetëm që do të arrihet të identifikohet numri i emigrantëve shqiptarë në secilin vend, por do të mblidhen të dhëna të plota për ta, si arsimimi, puna që bëjnë, gjendja familjare dhe ekonomike në vendet pritëse, etj. Emigracioni është një fenomen mjaft i zhvilluar në Shqipëri, ku rezulton se rreth 30% e popullsisë janë emigrantë. Ata janë kthyer në faktor zhvillimi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet pritëse. Përfaqësuesi i IOM-it, z. Brunson McKinley është shprehur para disa ditësh në një takim me Ministrin Barka, se Shqipëria konsiderohet një vend i rëndësishëm për IOM, jo vetëm për shkak të nivelit të lartë të emigracionit, por edhe për specifikat që paraqet emigracioni shqiptar nëpër botë.

Në fakt, vendi ynë po hyn në një etapë të re të zhvillimeve sociale në fushën e emigrimit dhe po kalohet në mënyrë dialektike drejt emigracionit të stabilizuar përmes marrëveshjeve shtetërore dhe asistencës së organizatave ndërkombëtare. Emigracioni vijon të jetë zgjidhja më efiçente për të gjetur vende të lira pune, duke u vlerësuar me nota realiste për vetë kohën dhe krizën e tranzicionit. Në këtë rast, ndërkombëtarët dhe në përgjithësi të gjithë ata që hartojnë politika specifike punësimi e shikojnë Shqipërinë si një vend me potenciale zhvillimi në fushën e turizmit, industrisë, bujqësisë dhe një forcë eksportuese me produktet e saj.

Që të kesh të tilla potenciale do të thotë të ofrosh hapësirë për vende pune, të kesh mirëqënie ekonomike dhe të konkurosh seriozisht në tregun e punësimit. Këto të dhëna Shqipëria i ofron në database- in e saj, por ngërçet e mirëfillta politike dhe ekonomike e pengojnë për të ofruar mundësi punësimi në këta sektorë. Në këtë kuadër lindin rishtazi disa pyetje: nëse burimet janë të pamundura për të përballuar fluksin e të papunëve, përse nuk investohet në fushën e prodhimit dhe përpunimit në industrinë e lehtë, të rëndë, në bujqësi etj? Përse nuk aplikohen zgjidhje në afrimin e investitorit të huaj, nëse ai vendas është inekzisent dhe i paaftë për të nënshkruar kontrata pune me qindra të papunë? A ka një studim të biznesit vendas mbi potencialin e tij për të ngritur fabrika dhe ndërmarrje jetëgjata, të cilat do të ofronin vende pune? Sa shërben ulja e taksave për biznesin në nxitjen e rritjes ekonomike dhe veçanërisht për rritjen e vendeve të punës? Secila nga këto pyetje ka një përgjigje teorike dhe protokollare, përderisa hartohen me qindra regjistra në një administratë të ngjeshur me sektorë e specialistë që përgatisin plane e projekte të panumërta.

Çështja shtrohet si të shmanget papunësia përmes planeve të zhvillimit në vendin tonë dhe jo duke e mbartur problemin në shtetin fqinj, që doemos përderisa bën marrëveshje të tilla ka interesa dhe qëllime serioze. Politikat e punësimit përmes emigracionit vlerësohen të qënësishme në vende me probleme të thella ekonomike, ku pa dyshim bën pjesë edhe vendi ynë. Në nivelet të tilla emigracioni, krijimi i një harte për të gjithë emigrantët shqiptarë kudo në botë përbën një hap cilësor në integrimin e këtij komuniteti në sferat më të rëndësishme sociale të shtetit ku jetojnë dhe punojnë. Ky është edhe një shans edhe për qeverinë shqiptare që t’i shikojë me seriozitet problemet dhe vështirësitë e emigrantëve tanë, duke përdorur edhe nisma ndërqeveritare përmes marrëveshjeve dhe konsultimeve në mënyrë që shqiptarët kudo ku ndodhet ta ndjejnë veten qytetarë të lirë dhe të barabartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›