E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të golit

Erton Fejzullahu nuk ka shënuar gol për skuadrën e tij NEC Nijmegen që nga tetori i vitit të kaluar. Sulmuesi kosovar, i cili arriti në kampionatin holandez nga Mjallby i Suedisë, nuk po arrin assesi të zhbllokohet. Jeta futbollistike në Holandë i ka dalë më e vështirë se që e kishte pritur 21 vjeçari.

Ai po shkëlqen me U21 të Suedisë, ku ka realizuar 6 gola në po aq ndeshje, por e njëjta gjë nuk po ndodh edhe te NEC. “Është e vështirë kur nuk je në gjendje të shënosh”, ka thënë prishtinasi për ueb faqen suedeze fotbollskanalen.se.

Në 59 ndeshjet e tij të zhvilluara me Mjallbyn, ai gjatë dy sezoneve (2007-09) kishte realizuar 24 gola, të cilat e kishin ndihmuar të ftohej në U21 të shtetit skandinav.

Ai kishte shënuar tri gola me NEC në fillim të sezonit, por nga muaji tetor ai është duke “agjëruar”.

“Kur e marr topin, ai është larg nga porta. Roli im i ri është në të majtë, afër Bear Vleminickx. Natyrisht, duket e vështirë që të mos shënosh, por ky është realiteti”, vazhdoi 21 vjeçari i cili megjithatë beson se do ta gjejë golin.

Megjithatë, NEC Nijmegen beson se talenti kosovar do të zhvillohet dhe do të bëhet futbollist i madh. “Ai është lojtar i mirë dhe mund të bëhet me të vërtet futbollist i madh. Pas disa problemesh, ai është rikthyer në formacionin bazë”, ka deklaruar Walter Nieuwkamp nga ueb faqja Fotbollskanalen.se.

Fejzullahu kishte bërë “boom” te U21 e Suedisë, kur në muajin nëntor, në një ndeshje kualifikuese për Evropian, kishte një paraqitje të jashtëzakonshme. Ai dëshiron të luajë ende me përfaqësuesen U21 në ndeshje kundër Portugalisë, në fillim të muajit mars, e më pas edhe për përfaqësuesen A të Suedisë.

“Mirëpo, është momenti që të shënoj gola dhe të vërehem, më pas do t’u bie në sy të tjerëve”, shtoi Fejzullahu.

Kur ishte shitur nga Mjallby gjatë verës që shkoi, Fejzullahu i kishte kushtuar NEC Nijmegenit 600 mijë euro. Ndërsa tash, sipas medieve suedeze, vlera e mesfushorit kosovar është dyfishuar: ai tash kushton 12 milionë kruna suedeze, përkatësisht 1 milion e 221 mijë euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›