Në kërkim të krizës për të siguruar zgjidhjen
Ylli Asllani* Opozitës i duhet patjetër dhe po kërkon me ngulm një alibi për të dalë nga spiralja pakuptim e krizës që ka krijuar vetë dhe ku tenton të na përfshijë të gjithëve. Pra, të shpikë një problem që t’i japim zgjidhje me dialog. Me një fjalë, edhe pse është improvizim duhet të pranojmë se ka një krizë, e cila do të na ule së bashku dhe në mënyrë të kulturuar të arrijmë një kompromis.Një version i tillë i të bërit politikë kontroversale ngjan anormal për një shoqëri, e cila po rikthehet me dinjitet pas qindra vjetësh në gjirin e kombeve të civilizuar. Me sa kuptohet, pavarësisht stilit grotesk, lidershipi i majtë për muaj me radhë po stërmundohet ta paraqesë Shqipërinë para Evropës “si një barrë dhe jo si një shtesë pozitive”. Ai po kërkon ta çojë vendin në këtë stacion të ri të demokracisë moderne të turpëruar e pa dinjitet si për të provuar para botës, alibinë e etërve të tij, se ka qenë populli shqiptar që nuk e ka merituar integrimin perëndimor dhe jo gracka që ata ngritën. Miqtë perëndimorë që na kanë çelur dyert e anëtarësimit dhe po monitorojnë procesin shqiptar nuk kanë pasur parasysh “anët e errëta të realitetit shqiptar, por individët që përfaqësojnë anët më të mira dhe të ardhmen e begatë të kombit”. Në këtë sens ka gjasa që fillimisht kërkesën e opozitës për hapjen e kutive elektorale dhe bojkotin e Parlamentit e morën si një gjest frustrimi të brendshëm. Sepse ndofta kështu ndodh ndonjëherë me humbësit kur duan të rikompaktësojnë forcën e tyre politike gjithsesi të demoralizuar pas zgjedhjeve. Pavarësisht kësaj, nisur nga realiteti i prekshëm i ecurisë së demokratizimit të shoqërisë shqiptare dhe në zbatim të politikave dashamirëse ndaj përpjekjes së qeverisë dhe vokacionit perëndimor të 94% të shqiptarëve ata po vazhdojnë të vendosur të inkurajojnë çdo hap të mirë në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave dhe atë të Bashkimit me Evropën. Paralelisht ata po shfletojnë në arshivat e tyre modele për zgjidhjen e konflikteve e ndofta për të gjetur ndonjë rast të ngjashëm të sjelljes së opozitës sonë, e cila si argument paraqet defekte dhe kriza imagjinare. Të çarmatosur nga pamundësia për të verifikuar një rast analog ata po informojnë rreth pasojave të veprimeve të papërgjegjshme dhe ofrojnë në këtë linjë një model universal dialogu konstruktiv pa cenuar parimet e demokracisë, parlamentarizmit dhe shtetit ligjor. Po çfarë po bën opozita? Kur nuk e di se nga do të shkosh, nuk ka rëndësi drejtimi që merr. Pikërisht këtë çorientim ajo ka muaj që po e paraqet si një projekt politik. Pra, tenton në mënyrë të organizuar të realizojë anarki dhe destabilitet të shoqërisë në prag të ngjarjeve të shumëpritura prej vitesh për çdo qytetar shqiptar. Zelli i saj për të shpallur vendin në krizë po i kalon dhe kufijtë klinikë. Deri më tash ka koleksionuar një seri “krizash” që për koincidencë kanë rezultuar sipas monitoruesve ndërkombëtarë dhe si pikat më të forta të kësaj qeverisje. Në harkun e dy viteve opozita ka dështuar, për të mirën e vendit duhet thënë, në:Shpalljen e krizës së besimit për të hyrë në NATO dhe për të formuluar kërkesën për hyrjen në BE. Në përpjekjet për të involvuar Shqipërinë në krizën financiare botërore. Për të paraqitur të manipuluara Zgjedhjet Parlamentare. Për të penguar pranimin e kërkesës për anëtarësimin e vendit në BE dhe përfshirjen e Shqipërisë në liberalizimin e vizave. Për të shpallur si faliment rritjen ekonomike të vendit, të pagave dhe pensioneve, si dhe uljen e taksave, ndërtimin e infrastrukturës moderne dhe strategjike. Fuqizimin e pushtetit vendor dhe decentralizimin e tij, përmirësimet në sistemin energjetik dhe rritjen e investimeve të huaja.Lista e betejave të humbura është e gjatë dhe vazhdimisht po shtohet, por po ashtu dhe këmbëngulja e opozitës për të zbuluar patjetër krizën është impresionuese për të mos thënë deziluzonuese. Të gjithë në selinë rozë janë vënë në garë për të gjetur apo prodhuar një krizë që nuk ekziston. është një shpurë e tërë e pasuar nga analistë mediatik, politologë gazetash, shoqata, aktivistë terreni, e shumë si këto që fitojnë hapësira “jetike” nga lideri në këmbim të krizës së gjetur. Por janë edhe komisionarë zgjedhjesh që kanë firmosur rezultatet dhe honorarët, të cilët duan të rifitojnë besimin e lëkundur të liderit të tyre të lëkundshëm. Po tregohet kujdes në përdorimin e ish-nomenklaturës së lartë të diktaturës. Në vend të personazheve të atrofizuar nga koha po hidhen në betejë bijtë e tyre. Pra, kontingjente të ‘freskët’ që rrjedhin nga ish-Byroja Politike, ish-Komiteti Qendror, ish-blloku, ish-Sigurimi i Shtetit e levat e tyre. Pak a shumë të gjithë ata që kanë qenë dikur më të paepurit kundër hapjes perëndimore të vendit. Të pasugjestionuar nga ky tallaz në gotë kanë mbetur pakica aktive e intelektualëve të majtë dhe socialistët cilësore që humbjen e kryetarit e përjetojnë në mënyrë statusore, si dështim të tij dhe jo të kauzës së të majtës moderne. Po maxhoranca, ç’po bën? Për ironi sikur të kishte ‘gabuar’ pak në qeverisje apo aleancat e saj, do të ishte më ‘mire’, sepse kështu mund ti jepte një shans opozitës për të gjetur ‘zgjidhjen e problemit’. Kështu do të ‘dialogonte’ jo me njeriun në krizë dhe jo për një krizë që nuk ekziston….!! Për qeverinë mund të shprehemi thjeshtë se ajo po i plotëson detyrat e saj dhe po merr në konsideratë çdo sugjerim që synon përsosjen e demokracisë. Plotësimin e Pyetësorit për Bashkimin Evropian e konsideron si verifikim të vetvetes, por dhe si një ftesë të diskutimit të tij me opozitën. E vetmja kërkesë e maxhorancës qeverisëse është që ky dialog, qoftë dhe me debat, të kryhet në parlament dhe në institucionet e demokracisë, pa shkallmuar themelet kushtetuese të godinës ku të gjithë së bashku jemi të përfshirë. Me shpresën se tradicionalisht fundviti sjell mbarësi e paqe për të gjithë, le ta trajtojmë trajektoren e ngjarjeve politike në kampin e majtë si një komedi shpotitëse, e cila të trishton me epilogun e saj por, që për hir të interesave madhore të këtij vendi duhet përjetuar si shija e ndarjes me ato momente të hidhura, të cilat ikin me vitin që lëmë pas e që nuk duhet të rikthehen më.*Këshilltar i Kryeministrit për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin