Meta: Në 2010 pa viza, opozita të bashkëpunojë për integrimin
Zv.kryeministri Ilir Meta tha dje në një konferencë për shtyp se shqiptarët do të lëvizin pa viza brenda gjysmës së parë të vitit 2010. Sipas kreut të diplomacisë shqiptare, Tirana zyrtare ka plotësur pothuajse të gjitha kushtet e udhërrëfyesit. “Shpreh bindjen se viti 2010 do të jetë viti i lëvizjes së lirë dhe i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, pasi pothuajse të gjitha standardet dhe kërkesat e udhërrëfyesit të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave janë realizuar nga ana e qeverisë dhe institucioneve shqiptare”, theksoi Meta. Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje opozitës që të rikthehet në parlament dhe të bashkëpunojë për reformat integruese të vendit. “Opozita është e mirëpritur t’u bashkohet këtyre proceseve integruese. Të kontribuojë në mënyrë konstruktive. Nuk është momenti të fajësojmë njëri-tjetrin se përse kjo gjë nuk u bë më parë, por është koha që të mos humbasim më asnjë minutë në drejtim të këtyre proceseve integruese, si përsa i takon liberalizimit të vizave, ashtu dhe procesit tjetër, atij të përgjigjes për Pyetësorin e Komisionit Evropian dhe më pas për të fituar statusin e vendit kandidat dhe për të ecur drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Europian”, theksoi më tej Meta. Ai mohoi deklaratat e Partisë Socialiste, sipas të cilave, vendi është në krizë. Sipas Ministrit të Jashtëm, kriza ekziston vetëm brenda kësaj force politike. “Nuk ka krizë në vend. Cila është kriza? Në vend ka një problem të madh, i cili është ç’orientimi politik i opozitës. është dalja e saj nga binarët e demokracisë dhe parlamentarizmit dhe shpresoj që kjo thjesht të jetë e përkohshme dhe të jeni të sigurt që përpjekja e tyre për të agresivuar situatën në vend në mënyrë artificiale, do të dështojë. Sepse Qeveria është e vendosur të ecë në rrugën e reformave, është e vendosur të ecë në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm të vendit dhe nuk mundet kurrsesi të bjerë në nivelin e provokimeve aq të rëndomta e të bezdisshme, tashmë edhe për qytetarët shqiptarë”, theksoi më tej Meta.