Toka në përdorim, Qeveria: Kompensimi deri në 750 m2
BLEDAR HOTIQeveria rrit deri në 750 metra/katrorë sipërfaqen, si pjesë e kompensimit për tokën bujqësore që banorët do të lëshojnë në bregdet. Ndryshimi i sipërfaqes së kompensimit do të bëhet në Kuvend me anë një amendamenti. Deputeti i PD-së, Ardian Kollozi ka paraqitur në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese amendamentin, që rrit masën e kompensimit fizik nga 500 m2 në 750 m2. Kuvendi pritet që në seancën e fundit parlamentare të 23 dhjetorit të votojë për projektligjin shumë të debatueshëm “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”. Qëllimi i këtij projektligji është kompensimi në troje i përdoruesve të tokave bujqësore, që i disponojnë këto në përdorim, por që përfshiheshin në zonën turistike të përcaktuar, si me përparësi për zhvillimin e tyre sipas vendimit të vitit 1993 të Qeverisë. Në variantin e sjellë nga Qeveria, aktualisht propozohet që nga 1500 metra/katrorë që përfitonin familjet me 6 persona merrnin 500 metra/katrorë maksimumi. Deputeti Kollozi propozon që masa e kompensimit të jetë 750 metra katrorë si maksimale dhe deri në 300 metra/katrorë si minimale. Projektligji i Qeverisë është paraqitur rreth dy vite më parë nga Qeveria, por nuk u miratua në seancën e Kuvendit, pasi kundër tij ishte Partia Republikane. Mungesa e kuorumit të deputetëve solli që ai të mos votohej. Një projektligj i tillë pritet t’i japë zgjidhje dhe konfliktit mes banorëve të zonës së Orikumit, të cilët janë konfliktuar me policinë për ndërtimin e një pallati nga pronarët e vjetër të tokës. Banorët protestojnë, pasi toka e tyre është dhënë si pjesë e këtij ligji për dhënien e tokës në përdorim, për shkak se kanë qenë punonjës të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore.BerishaKryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar e ka cilësuar si të drejtë propozimin e bërë për rritjen e masës tokës, që do të përfitojnë si pjesë e kompensimit. “Në seancën që vjen do të trajtojmë dhe ligjin për banorët e zonave turistike, por që në kohën kur turizmi ishte ndaluar, ato ishin ferma dhe që këta qytetarë kanë ngelur faktikisht pa një vlerësim. Dekreti i presidentit i vitit 1996, për fat të keq ka pasur një,- nuk mund të mos them një skandal,- pasi nuk është votuar në atë kohë në Parlament dhe banorët e këtyre zonave kanë ngelur krejtësisht duarbosh. Komisioni, dhe unë nuk jam kundër këtij mendimi, propozon që dhënia e tokës të proporcionohet, të ketë një lloj proporcionimi për frymë të familjes. Dhe e kanë propozuar nga 300 minimumi gjer në 750 metra/katrorë në varësi të frymëve të familjes. Unë jam dakord me këtë koncept. Pak a shumë mund të shkojë pak më tepër, por unë e vlerësoj këtë ndërhyrje”, tha Berisha. Kryeministri theksoi se: “Sidoqoftë ligji duhet të kalojë, pasi është në kuadër të reformave të premtuara dhe duhet të vazhdojmë të kompletojmë reformën e pronësisë”. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese do ta shqyrtojë sot amendamentin e paraqitur nga ana e deputetit demokrat Ardian Kollozi, në mënyrë që ai të votohet në seancën parlamentare të së mërkurës. Gjithashtu, Kuvendi do të miratojë në këtë seancë të fundit për këtë vit dhe ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i cili i jep të drejtën e shqyrtimit të 8 mijë kërkesave të ish-pronarëve për njohje apo kthim dhe kompensim pronash.Amendamenti KolloziPërdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, kompensohen me truall në zonat urbane, në çastin kur toka e tyre, do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.Kompensimi në truall të bëhet:Për familjet mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit të jetë deri në 750 m2Për familjet me më pak pjesëtarë, të zbritet me 150 m2 për çdo pjesëtar më pak, kjo në përputhje me të dhënat e gjendjes civile të vitit 31.12.1995. Por të përfitojnë jo më pak se 300 m2.Përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas vendimit nr.88, datë 1.3.1993 të KM-së, “Për miratimin e zonave me përparësi për zhvillimin e turizmit”, do kompensohen me truall në zonë turistike, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.Kompensimi në truall të bëhet:Për familjet me mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit të jetë deri në 750 m2Për familjet me më pak pjesëtarë, zbritet 150m2, për çdo pjesëtar më pak, në përputhje me të dhënat e gjendjes civile, të datës 31.12.1995. Por të përfitojnë jo më pak se 300 m2.a