Vasili:Administrata angazhim maksimal për pyetësorin e KE-së
Angazhim maksimal i administratës për të përgatitur përgjigjet e pyetësorit të Komunitetit Evropian. Këtë kërkoi dje Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë takimit me grupin qëndror të punës dhe specialistët që po punojnë mbi pyetësorin. “Ky është një prioritet që ia kemi detyrim jo vetëm vetes, por gjithë shqiptarëve. Pa lënë mënjanë asnjë nga detyrimet tona, doja të sillja në vëmendjen tuaj dhe një herë se pyetësori është kryefjala e punës tonë”, iu drejtua Vasili përfaqësuesve të grupit qëndror të punës. Ministria e Shëndetësisë ka një rol të rëndësishëm në plotësimin e përgjigjeve të pyetësorit të KE-së. Deri tani është identifikuar i gjithë personeli në nivelin qëndror dhe në strukturat e varësisë që do t’i përgjigjen pyetjeve brenda kapitujve të veçantë të pyetësorit. “Jemi të përgatitur për gjithçka. I kemi të gjitha resurset administrative dhe teknike për t’iu përgjigjur në kohë dhe cilësisht kësaj sfide. Puna do të jetë intensive dhe pa orare zyrtare. Pika e parë e raportimit ditor në zyrën time do të jetë ecuria e pyetësorit” - tha Vasili. Më tej, ministri, vlerësoi se ky pyetësor na jep mundësinë për të reflektuar për të gjitha reformat e rëndësishme që janë bërë deri tani në fushën e shëndetësisë dhe atë çka kemi ende për të bërë. Ai vlerësoi rolin dhe frymën e deritanishme të bashkëpunimit mes dikasterit që ai drejton dhe Ministrisë së Integrimit. Puna për përgatitjen e pyetësorit ka nisur dhe po vazhdon me intensitet. Tashmë aktivitetet brenda institucionit dhe ato me institucionet e linjës do të jenë më intensive, në mënyrë që Ministria e Shëndetësisë të përmbushë detyrën në kohën e duhur.