Në kërkim të një diçiture
Është e njohur shprehja se fitorja ka njëqind baballarë, kurse humbja ngelet gjithmonë jetime. Mesa duket ky është rasti klasik që provon këtë aksiomë
Nga Skender Minxhozi
Në fillim thanë se kishin fituar. Por kjo zgjati vetëm pak orë. Kur u mor vesh lajmi se humbja ishte e pashmangshme dhe e thellë, pritën ca dhe, pasi lexuan shifrat, e gjetën justifikimin. Zgjedhjet i ka fituar LSI, Rilindja ka dështuar, thanë në kor. Këtij konstatimi të parë, me kalimin e kohës i shtuan edhe blerjen e votave nga Meta, apo rritjen milimetrike në përqindje të PS, ashtu siç nuk harruan, më në fund, ta etiketojnë si mosmirënjohëse masën njëmilionëshe të votuesve, që su kishte dhënë votën.
Kjo ka qenë në pak fjalë, linja e gjykimit të Partisë Demokratike dhe mediave pranë saj, pas 23 qershorit. Justifikime plot, analizë zero. Është e njohur shprehja se fitorja ka njëqind baballarë, kurse humbja ngelet gjithmonë jetime. Mesa duket ky është rasti klasik që provon këtë aksiomë.
Ajo që ka bërë PD prej ditës kur ka mësuar rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, ka qenë gjithçka, përveçse një reflektim sado minimal për dënimin e heshtur por masiv që mori me votën e shqiptarëve. Megjithëse u rrudh në kufij shifrorë të frikshëm, megjithëse humbi të gjitha bastionet e saj të vjetra dhe të reja, megjithëse sot ndodhet nën kufirin e 50 mandateve, sërish Partia Demokratike po përpiqet ta mbyllë brenda ambalazhit të dorëheqjes së Sali Berishës, humbjen e saj zhurmëmadhe. Në fakt duket se taktika post-elektorale e ish-kryetarit dhe ish-kryeministrit Berisha, është fokusuar në mbylljen sa më parë të kapitullit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Së pari, duke futur në lojë dorëheqjen e tij dhe së dyti, duke i dhënë sa më shumë jehonë dhe fokus garës për kreun e ri të partisë.
Problemi është se me një linjë të tillë veprimi, PD vetëm sa po maskon problemin, pa e zgjidhur atë. Dhe problemi real nuk është ikja formale ose joformale e Berishës nga zyra e kryetarit të partisë. Çështja e vërtetë që shtrohet sot mbi tryezën e punës në PD është se çdo të ndodhë me modelin politik i cili u votua dhe humbi masivisht në 23 qershor. Dhe ky model ka një figurë që e personifikon: Sali Berishën. Veneracioni me trajta aziatike që po vihet re në deklaratat publike të bashkëpunëtorëve të Berishës, në adresë të këtij të fundit, dëshmon se brenda partisë ka një vullnet të qartë për ta kamufluar problemin, e jo për ta zgjidhur atë. Mesa duket pre e këtij gjykimi kanë rënë edhe dy garuesit kryesorë, Basha e Olldashi.
Veçse kjo nuk do të bëjë gjë tjetër, por do ta shtyjë, pa e zgjidhur, krizën e brendshme të partisë, që u reflektua qartë në mesazhin e fortë negativ që dërguan zgjedhësit në 23 qershor. Nuk bën punë që fitoren tia faturosh votave të Ilir Metës. Nuk bën as punë që të thuash se Rama nuk fitoi. Pasi çështja që duhet të përballosh është të kuptosh se përse nuk fitove ti i pari. Dhe këtë në PD po hezitojnë ta bëjnë, duke hapur një precedent aspak të lumtur edhe për të ardhmen. Atëherë kur në zyrën e sotme të Berishës do të jetë ulur pasardhësi i tij.