21 janari, tre deputetët e PS ti hetojë policia
Nga demonstrata e 21 janarit
Akuza: Hetimin për organizatorët ta bëjë Policia Gjyqësore.
Prokuroria e Përgjithshme kërkon oficerë nga Ministria e Brendshme: Sduam të paragjykohemi.
Prokuroria e Përgjithshme ia “ngec” policisë hetimin e organizatorëve të veprimeve të dhunshme më 21 janar të vitit 2011. Kur ka kaluar më tepër se një muaj nga heqja e imunitetit të tre deputetëve të PS, Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj, Prokuroria e Përgjithshme ende nuk ka kryer asnjë veprim hetimor ndaj tyre. Organi qendror i akuzës mësohet se i është drejtuar Ministrisë së Brendshme me një kërkesë për vënien në dispozicion të dy oficerëve të Policisë Gjyqësore, që do të kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për organizatorët e 21 janarit. Kërkesa është bërë në kuadër të bashkëpunimit dhe në mënyrë që në fund të procesit “vendimmarrja e Prokurorisë të mos paragjykohet, ndërsa policia të mos jetë e përjashtuar”. Prokurori Alfred Progonati ishte ngarkuar formalisht me kryerjen e hetimeve në dosjen penale, që u regjistrua në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj tre deputetëve të PS, për të cilët u kërkua heqja e imunitetit në Parlament. Kërkesa për imunitetin e tre të zgjedhurve të opozitës u bë në të njëjtën ditë kur Prokuroria e Përgjithshme ekzekutoi urdhrat e arrestit për komandantin e Gardës Ndrea Prendi, shoferin e tij Margarit Kume dhe shefin e sektorit IT në Kryeministri, Armando Kasaj. Më tepër se një muaj nga heqja e imunitetit të deputetëve të PS, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka kryer asnjë veprim hetimor. Në një deklaratë shtypi me ambasadorin amerikan, prokurorja e Përgjithshme deklaroi se kishte elemente që duhej të verifikoheshin për deputetët e PS, nën dyshimin e thirrjeve për dhunë në protestën e 21 janarit. Në relacionet e dërguara në Kuvend me kërkesën për heqjen e imunitetit, Prokuroria theksonte se një protestues i kishte dërguar mesazh deputetit Taulant Balla dhe e pyeste “po tani ç’të bëjmë?”. Organi i akuzës nënkuptoi se deputetët mund të kishin dhënë instruksione për dhunë. Ndërsa gjatë fjalës së tyre në Kuvend, tre deputetët e PS kanë theksuar se janë të hapur për hetim, por kanë hedhur poshtë akuzat që u bëhen. Hetimi për organizatorët e demonstratës së 21 janarit ka futur në një “përplasje” Prokurorinë dhe Policinë. Më 23 janar 2011, Drejtoria e Policisë dërgoi në Prokurori një material referues me deklarata të eksponentëve të opozitës, duke i cilësuar ato thirrje për dhunë dhe përmbysje të rendit kushtetues. Prokuroria regjistroi një dosje në hetim për këtë kallëzim dhe i kërkoi prova policisë, mirëpo në korrik 2011, Policia e Tiranës dërgoi në Prokurori një relacion, ku thuhej se nuk ishin gjetur prova për akuzat në fjalë. Prokuroria deklaroi se, pavarësisht qëndrimit të policisë, hetimi në këtë drejtim ka vazhduar.
Vrasja e Nikës, akuza me përthithje
Hetimi në lidhje me vrasjet e 21 janarit ka provuar me ekspertizë deri tani vrasjet e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, ndërkohë që mbeten mister vrasja e Aleks Nikës dhe ajo e Hekuran Dedës. Për Aleks Nikën, predha që e ka goditur atë në kokë është dëmtuar dhe nuk është e vlefshme për ekspertim, ndërkohë që për Hekuran Dedën, sipas Prokurorisë, plaga ka qenë tejshpuese dhe plumbi nuk është gjetur. Vrasja e këtyre dy personave do të dërgohet në gjyq duke iu faturuar Gardës, me argumentin se është akuzë përthithëse, pasi provohet se të shtënat me armë kanë ardhur nga vendi ku ishin dislokuar efektivat e Gardës.
TRAZHGIM SOKOLAJ