E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrel, gjimnazistët djegin flamurin maqedon

Djegia e flamurit maqedonas dje në Burrel

BURREL – Gjimnazistët e “Pjetër Budit” në qytetin e Burrelit kanë protestuar dje në rrugët e këtij qyteti kundër dhunës së ushtruar nga maqedonasit ndaj të rinjve shqiptarë. Paralel me protestën në Tiranë, qindra të rinj matjanë kanë marshuar në rrugët kryesore të Burrelit dhe më pas janë ndalur në sheshin “Demokracia”. Duket se organizimi është parashikuar që një ditë më parë dhe rreth orës 10:00 të paradites, gjimnazistët kanë lënë mësimin për t’iu drejtuar qendrës. Përgjatë kësaj rruge me ta janë bashkuar dhe dhjetëra të rinj të tjerë të Burrelit, të cilët mësohet se ishin iniciatorët e kësaj proteste. Nuk ka pasur fjalime apo liderë të protestës, por fillimisht një flamur i shtetit fqinj është shtrirë në shesh, shumë pranë bustit të mbretit Zog dhe më pas është shkelur me këmbë nga protestuesit. Pasi kanë kryer këtë veprim ata i kanë vënë flakën flamurit duke lëshuar thirrjet “Duam Shqipëri Etnike”, “Jemi shqiptarë”, “Poshtë Maqedonia”. Flamuri maqedon, i siguruar në tregun e qytetit fillimisht nuk ka marrë flakë nga çakmakët e ndezur. Për të realizuar qëllimin, të rinjtë kanë ndezur disa kartonë, në zjarrin e të cilave ka marrë flakë dhe flamuri simbol i Maqedonisë. Forcat e komisariatit të policisë Mat kanë ndjekur tubimin e të rinjve burrelas, duke i shoqëruar deri në qendër, por nuk kanë ndërhyrë për ta ndalur atë. Pas rreth 30 minutash, protesta ka përfunduar dhe të rinjtë janë shpërndarë. Grupi i gjimnazistëve është rikthyer në bankat e shkollës për të vazhduar mësimin.                                                         h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›