E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhiti: Si u shtyp revolta e Qafë-Barit më 22 maj 1984

VISAR ZHITI

Dëshmitar i 22 majit ’84, Visar Zhiti tregon ngjarjen.

Zylyftar Ramizi dhe Agron Tafa u dërguan për ndëshkimin e të burgosurve rebelë.

Ndërsa gjithçka dukej se ishte përmbysur, kur fundi ishte afër, i vetmi shqetësim i tij ishin poezitë. Shtrëngonte pas vetes thesin me copëza letrash, që e mbanin lidhur me botën e të gjallëve, atje tej ndërsa këmbët e përzienin me turmën e frikësuar. Revolta e Qafë-Barit zgjati fare pak, por ishte një shkundje për diktaturën. U shtyp dhunshëm. Thellë-thellë të gjithë të burgosurit e dinin këtë. Por ato orë kryengritjeje, adrenaline, frike nga fundi i pritshëm, përziheshin me një dalldi lirie, jehona e së cilës nuk mbeti brenda gardheve me tela të burgut të Qafë-Barit. Shkrimtari Visar Zhiti është një nga dëshmitarët e ngjarjes së 22 majit 1984. Në librin e tij “Ferri i çarë”, botuar nga “OMSCA 1″, Zhiti tregon gjithçka ndodhi në atë burg të frikshëm. Cilat ishin “planet” e të revoltuarve, ç’thuhej mes tyre, kush u dërgua të shtypte revoltën, si u “pushtua” sërish burgu. Një rrëfim që të mban pezull dhe që të duket sikur historinë je duke e parë në një film aksion.               al.mi

…vijon nga numri i kaluar

Përsëri u përpoq të futet në kamp një njësi e madhe me policë. Natyrisht, veç me shkopinj gome, sepse ishte frika se mos të burgosurit ua rrëmbenin armët, nëse do të vinin me revolverë e automatikë. Sepse, s’i vret dot të gjithë njëherësh. Nuk i lanë të futen. Më trimat u dolën përpara. Forcërisht. Gjoks më gjoks. I prapsën deri te porta. U krijua paniku se mos të burgosurit sulmonin portën, e shembnin atë, dilnin, vërshonin. Veç kur u dëgjua batareja e plumbave, e llahtarshme. Të gjithë ushtarët e rrethimit zbraznin automatikët njëherësh, me breshëri, vetëtima të shkurtra, të drejta si thika të shpejta, frushullimat e tyre të njëpasnjëshme vezullonin me krisma shurdhuese kudo, tym në grykat e armëve, qëllohej pa ndërprerje nga të gjitha kullat e vendrojave. Një dorë ushtarake te porta e madhe, e pamë sërish, jepte sinjal, tundej për çdo batare të re dhe tytat e armëve po uleshin gjithnjë e më shumë, nga në ajër, në drejtim të kampit, mbi kokët e të burgosurve. Ngrimë në vend. Pati nga ata që u shtrinë rrafsh me tokën. Do të ketë ardhur urdhri për të na vrarë të gjithëve.Të gjithëve na vrasin, s’e ka për gjë diktatura. Burgu gropë e përbashkët është. Na mbulojnë këtu e askush nuk e merr vesh.
* * *
Te çdo kullë-rojë tani s’kishte nga një ushtar, por grup ushtarësh me automatikët dhe mitralozat të kthyer këtej nga ne. Kurse ushtarët nga njëra kullë në tjetrën pas telave me gjemba, në atë shkretim të dikurshëm, po shtoheshin si drurë të

Burgu i Qafe-Barit

gjallë të një pylli lëvizës. Po lëviz Pylli i Brinjës. Mbi tarracën e komandës komandanti i burgut me oficerë të tjerë madhorë, kështu dukeshin, po shikonin me dylbi kampin dhe lëvizjet e grupeve të të burgosurve, tregonin me gisht, se ç’thoshin me zë, përkuleshin mbi një hartë, kurse të tjerë përreth tyre mbanin shënime. Bënin plane sigurisht, strategjinë e mposhtjes së armikut të paarmatosur, të nja një mijë burrave të uritur mes telave me gjemba. Ç’i ka ata brirë në ballë ai palo oficer? Jo, jo, janë dylbitë, i vuri prapë në sy, shih, shih, ia pasoi një tjetri, siç duket s’kanë për të gjithë, shih, shih, nxori një bombë nga çanta, do ta hedhë këtej. Thua? Jo, jo, qenka aparat fotografik, kamerë, seç po japin ca porosi, sa të trasha: andej ti, ti andej, ke dhe zonën C, dëgjoheshin deri këtu. Janë trembur edhe ata, tha njëri nga ne, që po i kundërvëzhgonte. Kujtoja se mos po bënin kot, shkërdhatat, u nxeh dikush nga ne, sepse u pëlqejnë lojërat e luftërave, çlirimet imagjinare të qyteteve, megjithëse të dënojnë për imagjinatë! Do të na sulmojnë, do të na vrasin. Ne do të qëndrojmë. Dëgjo, janë të shumtë ata që po zënë dyshekët. Janë futur nëpër fjetore. Ca kanë mbuluar kokët me jastëk. S’duan ta shohin rrëmujën, u bë shumë politike, e hapur, lebetiten, dhe do të ndëshkohemi keq. Ashtu siç ndëshkojnë diktaturat. Por a nuk janë të burgosur politikë, harruan? Dhe diktatura, kur ndëshkon, nuk sheh nga sytë, i merr radhë. Le të bëjnë ç’të duan. Mirë është të bëjnë atë që duhet. Të shembim dyert e brendshme, të gjitha, 100, sa janë! Edhe llamarinat e dritareve, t’i hapim. Këtu fillon liria!
Po ata pse i kanë lidhur ballët me shami?
Dy si përrenj të gjallë vinin nga dy oborret, njëri ngjitej, tjetri zbriste, përplaseshin, dallgëzonin shkallëve brohërimat, shkumëzonin mesoreve të pasme dhe te mesoret e katit të dytë mekeshin si çezmat e kampit, që po u shterte uji. Bllokadë. Atë që këtyre nuk ua ka bërë kush, po e bëjnë me ne. Venin dhe vinin njerëz me thasë në krahë. Merrnin gjëra, i linin, i fshihnin më mirë ose i zhduknin përgjithmonë
- Shkrimet i ke siguruar? – pyeti jo pa shqetësim Maksi.
- Deri më sot po, – u përgjigja po aq i shqetësuar.
- Duhet treguar kujdes.
- Si?
- T’i kesh afër.
- Ndoshta kjo e bën më të rrezikshme gjendjen time.
- S’je vetëm.
Shkova si somnambul përballë thasëve të mi: librat brenda, botimet tona dhe fletët e akuzës, të holla, mezi lexohen, me një vulë të zezë si ënjtje plage, dorëshkrimet i mbaj tek tjetri, secili i fsheh siç di, sekretin e mban vetë. M’u duk sikur lëvizën thasët. Po, brenda kanë shpirtra, duan mbrojtje. A s’na janë gjendur deri tani e na kanë mbajtur gjallë? Hapa atë që përbënte rrezik. Se ç’ndreqa aty. Vura përsipër një rrobë që s’duhej. Ia lidha grykën me ushkur. E zgjidha prapë. E

Gjatë nxjerrjes së eshtrave të Tom Ndojës, i pushkatuar pas revoltës së Qafë-Barit

lidha M’u duk sikur filli i telave me gjemba vinte rrotull zemrës sime. Zbrita në oborrin e sipërm, të gjithë bënin diçka, edhe mosbërja asgjë ishte një bërje, dëshmi dhe mosdëshmi. Pse përgatiten kështu si në një ikje për në një asgjëkund ende më të rëndë? Dhe s’duhej të binim. Dikush vishte një palë rroba të dyta mbi ato që kishte veshur. Ndërroni rojën tonë te kazanët e ujit, tha një tjetër. Shkulën nga stenda gazetën “Zëri i popullit” dhe po e shqyenin. Shqyen dhe dyert e birucave, jo, jo, i hapën me marifet, kishin lëvizur çelësat dhe zinxhirët dhe i nxorën prej andej të dënuarit. Ishin më të zbardhëllemë se kurrë, më të dobët se ne. Kudo, nëpër oborr, shkallëve, dhomave brenda, sidomos në vendet e ndaluara, bëhej kafe, harxhohej kafja e fundit, ruajtur deri tani, xhezvet e vogla mbi zjarre të vogla let

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›