E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bombaj: Kthehem pas një viti, çështjen time e ka drejtësia

Leonard Bombaj

Sirea Film u kthehet shfaqjeve në Teatrin e Metropolit.

Libri, një manual për adoleshentë e prindër, për tu mbrojtur nga ca universe shkatërruese

Një vit më parë, emri i tij u lakua në një skandal seksi e gjobëvëniesh.
U akuzua se kishte abuzuar me një nxënëse minorene, por padia e tij ra për mungesë provash, ndërsa është në proces padia që regjisori ka ngritur ndaj gjobëvënësve dhe kërcënuesve të tij. Dje, regjisori Leonard Bombaj ishte i pranishëm në ambientet e Teatrit të Metropolit, ku fëmijët e qendrës së tij Sirea film do të interpretojnë në një shfaqje të re. Quhen TR Junior Club (Fresk fare) dhe kanë për regjisore Elona Hysenin. Në konferencën e djeshme për shtyp që u mbajt me rastin e shfaqjes, Bombaj la të flasë regjisoren dhe vetë fëmijët, ndërkohë që vetë preferoi të rrinte pas kuintash. Por nuk ngurroi të fliste për Panoramën për qendrën e fëmijëve, projektet, historinë e një viti më parë, pasojat dhe shenjat që ka lënë tek ai dhe fëmijët e Sirea film.

Ktheheni pas shumë kohësh me një shfaqje të re, si po shkojnë punët me qendrën e fëmijëve?
Sirea film është duke ridimensionuar vizionin e vet në kuptimin e vizionit dhe dyerve të reja që duhet të hapen. Jam duke tentuar shumë fort që Sirea film të jetë një qendër artistike që ti përkasë, pse jo, pushtetit lokal. Një qendër me bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës, që të mos kemi vetëm 30 fëmijë të privilegjuar, por qindra prej tyre. Dhe, nëse ne do të kemi një godinë, qindra fëmijë do të hyjnë aty e do të zbulohen shumë talente.
Çkeni në mendje?
Profili im është ai i ekranit, i televizionit. Dhe kjo shfaqje që ne sjellim, është formula e një sitcomi të ardhshëm dhe jemi duke pritur të shkojmë drejt televizioneve për ta bërë këtë format me shumë seri dhe me sa më shumë fëmijë. Nëse televizionet janë mbushur me patenta të huaja, ne sjellim një targë shqiptare, origjinale, që quhet TR Junior Club (Fresk fare) dhe ku vetë adoleshentët parodizojnë jetën e tyre.
A mund të gjesh adoleshentë të tillë?
Absolutisht jo, pasi janë kaq kapriciozë dhe kokëfortë, ndërkohë që këta fëmijë bëjnë pikërisht këtë. E bukura është që vetë ata po e kanalizonin shfaqjen në këtë drejtim dhe unë u thashë Bëfshi qejf dhe mësofshi sa më shumë!
Disa prej këtyre fëmijëve i mbajmë mend qysh të vegjël, kanë ardhur si grup kompakt me vitet, apo ka nga ata që janë larguar?
Janë grup kompakt, por sigurisht ka pasur dhe ndonjë ikje. Dikujt i dha krahë madhështia e fluturoi shumë larg dhe në presim që dikur të zbresë, dikush tjetër deshi të zgjidhte një profesion tjetër në këtë jetë. Por Sirea film është një institucion me dyer të hapura nga të katër anët, ku mund të hyjnë plot fëmijë të talentuar. Askush këtu nuk është i sigurt, por të kërcënuar nga ndonjë talent tjetër që mund të vijë. Këtu ka fëmijë që kanë nga 8 vjet dhe për mendimin tim brenda Bonit dhe Orit janë të gjitha parametrat e një showmen-i dhe një showgirl-i të ardhshëm. Madje guxoj të them se, nëse kam ndonjë kënaqësi, është fakti që yjeve të vetmuar të ekranit shqiptar tashmë do ti bashkohen edhe të rinj. Kjo po ndodh. Dhe atyre yjeve të vetmuar, mes të cilëve ka edhe ndonjë prej letre me ngjitës nga mbrapa, ka ardhur momenti tu shtohen të vërtetët.
Gati një vit më parë, emri juaj u lakua në një histori të shëmtuar abuzimesh seksuale, gjobëvëniesh, kërcënimesh, sa ju dëmtoi juve personalisht dhe qendrën e fëmijëve kjo ngjarje?
Mua më ka dhënë më shumë kohë për të krijuar një vizion të qartë dhe të jemi më me këmbë në tokë për të ardhmen tonë. Kemi fituar shumë në këtë drejtim. Vetë fëmijët kanë mësuar shumë se çdo të thonë rreziqet e moshës së tyre. Fizikisht Sirea film ka pasur një pauzë prej gati një viti, por kjo nuk do të thoshte se nuk ekzistonim. Takimet me fëmijët, me adoleshentët, me prindërit, kanë qenë të jashtëzakonshme. Dhe vazhdimisht më thoshin: Profesor kthehu!Përmendët prindërit, cili ka qenë reagimi i tyre ndaj kësaj historie?Ata janë aleatët e parë, pa bashkëpunimin e tyre nuk bëhet asgjë.
E menduat ndonjëherë ta mbyllnit qendrën?
Nuk e kisha menduar kurrë diçka të tillë. Edhe kur kam ikur emigrant, kam thënë do kthehem pas dy vjetësh, edhe pse u ktheva pas pesë.
Keni botuar dhe një libër, cili ka qenë impakti i tij?
Ndoshta libri do ta ketë vlerën me kalimin e kohës. Sepse kur librin e lidhën me emra konkretë, filluan të binin shitjet. Libri nuk u referohet emrave konkretë apo kundërshtarëve të mi. Ai është një manual për adoleshentët dhe prindërit se si të mbrohen nga ca universe, që janë gropa thithëse dhe jeta mund të shkatërrohet brenda një dite.
E kanë lexuar fëmijët?
Absolutisht, e kanë të gjithë.
Në çfazë është çështja në organet e drejtësisë?
Momentalisht nuk do kisha dashur ti kushtoja fare vëmendje të shkuarës, edhe pse ajo është edhe e tashme. Çështja është në duart e drejtësisë, e cila po bën punën e vet, qoftë për shpifjet, intrigat dhe grabitjet që më janë bërë, por ndërkohë kam heshtur, sepse ekranin dhe mediat dua ti shfrytëzoj vetëm për art, jo për luftëra, beteja rivalësh apo kurthe ndaj meje. Kështu që, për mendimin tim, më e rëndësishme është e ardhmja. Unë i fal njerëzit, por jo krimet e tyre. Fuqinë e faljes e marr nga përfytyrimi që kam për të ardhmen.
Ka lënë shenjë mbi ju kjo histori?
Gjërat i përjetoj deri në kockë, aq sa dhembin shumë. Por, shumë shpejt kthehen sikur nuk kanë ndodhur më. Shenjat mund të jenë si formë tatuazhi, por nuk kam më dhimbje për të.

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›