Zyrtari i Ministrisë së Financave vjedh celularin e përkthyeses

Ministria e Financave
TIRANE – Një incident i pazakontë ka ndodhur dje gjatë një takimi që po zhvillohej mes përfaqësuesve të disa drejtorive të Ministrisë së Financave dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë. Shefi i Prokurimeve të Ministrisë së Financave i ka vjedhur celularin iPhone 4 një prej përkthyeseve që ndodheshin në sallën ku po zhvillohej takimi. Policia tha se incidenti ka ndodhur dje rreth orës 12:00, pas përfundimit të takimit, në një prej hoteleve të njohura në Tiranë. Autor i ngjarjes, sipas personelit të sigurisë së hotelit, rezultoi të ishte Denis Ç., i cili ndodhej në takim si një prej përfaqësuesve të Ministrisë së Financave për Prokurimet Publike. E dëmtuara nga kjo ngjarje është përkthyesja me iniciale E. Ll., e cila nuk ka preferuar të bëjë kallëzim në polici, pasi ka mësuar se personi që i kishte vjedhur celularin ishte një zyrtar i Ministrisë. Burime nga stafi i sigurisë së brendshme dhe policia thanë se ngjarja është dokumentuar pas verifikimit të kamerave të sigurisë dhe shefit të Prokurimeve i është gjetur në xhepin e xhaketës celulari që kishte vjedhur. Nga përballja me përkthyesen, Denis Ç. e ka justifikuar veprimin si një pakujdesi, duke u shprehur se ishte thjesht një ngatërresë në nxitim për tu larguar. Nuk e pashë me imtësi se çfarë celulari ishte. Thjesht e mora në dorë dhe e futa në xhep, duke menduar se ishte celulari im, mësohet të jetë shprehur zyrtari i Ministrisë së Financave, i cili ia ka kthyer pronares celularin iPhone 4 që kishte vjedhur.
INCIDENTI
Pas përfundimit të takimit të nisur rreth orës 10:00 mes përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë, pjesëmarrësit kanë nxituar që të largohen nga holli i hotelit ku ishte zhvilluar takimi. Por, kur pjesëmarrësit po mblidhnin pajisjet e tyre për tu larguar, rreth orës 12:00, një prej përkthyeseve që ndodheshin në takim, shtetasja me iniciale E. Ll., nuk po gjente dot celularin e saj iPhone 4. Pasi ka kontrolluar për disa minuta dhe nuk ka arritur ta gjejë, fillimisht ajo ka kërkuar ndihmën e personelit të sigurisë së hotelit e më pas ka lajmëruar edhe policinë. Burimet thanë se ka qenë shumë e thjeshtë për të zbuluar se kush e kishte vjedhur celularin e përkthyeses, pasi kamerat e sigurisë kanë qenë në punë gjatë gjithë takimit dhe kishin filmuar gjithçka. Personat që ndodheshin pranë vajzës së cilës i kishte humbur celulari nuk janë lejuar që të dalin jashtë derisa të përfundonte këqyrja e kamerave, që zbuluan edhe autorin. Nga verifikimi ka rezultuar që Denis Ç., shefi i Prokurimeve Publike të Ministrisë së Financave, ishte personi që kishte futur në xhep celularin e përkthyeses. Por, pasi ka mësuar detyrën e tij, si dhe shpjegimin që ai ka dhënë për policinë dhe personelin e sigurisë, duke pretenduar se ishte veçse një ngatërresë, vajza nuk ka preferuar që ta ndjekë ligjërisht ngjarjen dhe incidenti është mbyllur mes tyre.