E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të optimizmit

Shumica e kaloi sërish ligjin e legalizimeve, pasi që e kishte bërë edhe njëherë më parë (me vetëm 52 vota); përtej kundërshtimeve të Presidentit të Republikës, një pjese të opozitës dhe shoqatave të pronarëve, mediave, etj. Ligjet janë të vështira për t’u kuptuar dhe janë të hapura për interpretime të ndryshme, thuhet midis të tjerave në një buletin me titull “Praktikat më të mira në luftën kundër korrupsionit”, botim i OSCE. Ndërkaq, një fushatë (pothuaj gjithnjë e pakontrolluar) ndërtimesh pa lejë dhe spekulimesh në emër të legalizimit, po deformon çdo aspekt të përpjekjeve të administratave të tranzicionit për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së ndërtimeve informale. Nga dita në ditë, po vërehet se prirja për ta zgjidhur problemin e informalitetit të zonave problematike, nuk shkon paralelisht me atë të kontrollit mbi përhapjen ende pa kriter të fenomenit të ndërtimeve pa lejë; po ashtu, nuk ka një akord për sa i takon kthimit dhe kompensimit të pronave. Kaosi që ka përfshirë vendin në këtë temë, është shndërruar sot në njëlloj fataliteti, për sa i takon prirjes për të shkuar më tej, integrimit po ashtu. Ja si e përshkruan një autor i njohur një situatë pak a shumë të tillë, në një vend të botës së tretë: “Ndërtime të pakontrolluara, kudo dhe sido. Popullsia përqendrohet në zona ku nuk ekziston asnjë infrastrukturë higjienike. Trotuaret janë zënë nga shitësit e vegjël... Ky qytet është bërë i pabanueshëm.” Me një devijim të vogël, ne mund të themi se ky vend është bërë i pabanueshëm. Prej kaq e kaq vitesh, eksperimentohet me problemet jetike për individët dhe për shtetin, si pronat, por edhe me vetë procesin e legalizimeve. Pronarëve iu ofrohen... shorte, si ai për ndarjen e 200 milionë lekëve, (përpara disa kohëve), pastaj shorti tjetër me 300 milionë lekë, për të ardhur tek ai me 500 milionë(!) Sa për kompensimin fizik, pothuaj nuk bëhet më fjalë. Deri edhe vilat e shtëpitë nuk denjohet të kthehen. Vazhdon “lufta e klasave”.

Çfarë na thotë kreu i ALUIZNI-t, z.Shaban Memia? “...Deri në këtë moment, janë klasifikuar dhe përcaktuar mbi 681 zona informale me një sipërfaqe prej rreth 404.000 ha, me shtrirje në të gjithë territorin e Shqipërisë. Banorët e këtyre zonave nuk janë më ndërtues pa leje, por posedues të një objekti i cili ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore dhe teknike dhe është vetëm një hap për të konkretizuar marrjen e titullit të pronësisë(!) Në këto zona, po punohet sipas kalendarëve respektivë për plotësimin e dokumentacionit tekniko-ligjor për t’u miratuar në Këshillat e Qarqeve dhe KRRTSH, si dhe vazhdon procesi i përcaktimit të zonave të tjera”. Dhe ja se ç’thuhet në një nga njoftimet më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit: “Nga kontrolli ka rezultuar se nga ish-komisioni i tokës, për fshatin Linzë, është ndarë për tokë “arë” sipërfaqja prej 35350 m2 e cila sipas librit të ngastrave figuron në zërin kadastral “pyll”, veprime këto në kundërshtim me Ligjin Nr.7501, datë 19.07.1991 “Për tokën” dhe Vendimin e KM, Nr.256, datë 2.8.1991 “Për ndryshimin dhe kalimin në gjendjen e tokave dhe detyrat e kadastrës”. Gjithashtu rezulton se në formularin nr. 6, përveç emrave të tjerë që kanë përfituar tokë bujqësore, është shënuar edhe një person, i cili ka përfituar “për tokë bujqësore” sipërfaqen prej 2300 m2 e cila është “pyll”. Në se ndokush gjen qoftë edhe në më të prapambeturin vend të Ballkanit (përtej nesh) një panoramë të tillë, po i kthejmë mbrapsht të gjitha fjalët. Por është e vështirë.

Natyrisht, kaosi nuk është qëllim në vetvete. Nuk është as edhe një rastësi. Më në fund, i pakontrollueshëm jo se jo. Politika e ka përdorur atë si një justifikim për të “kavërdisur” disi - dhe, me raste, edhe për të pasuruar - shtresat e përkrahësve të vet. Kryeministri i Shqipërisë, i apeluar disa herë pas Gërdecit, të jepte dorëheqjen, këto ditë është marrë me inaugurime “veprash të mëdha”; kurse mëkëmbësit e tij sajuan sakaq një konflikt institucional, atë me Presidentin. Duhet thënë se kupola (gjoja) e djathtë, nuk mbahet në këmbë ashtu kotazi, pse i do Këshilli Kombëtar apo Kryesia e partisë. Apo pse ata dinë të sundojnë të tjerët. Shpjegimi për këtë do të ishte më i plotë në se do të merrej parasysh se janë një sërë shtresash që kanë përfituar prej pushtetit të Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij, qoftë më 1992-1997, qoftë sot. (E njëjta tipologji interesash ka mbajtur në këmbë socialistët dhe aleatët e tyre.) Por linjat politike dhe sociale të PD-së dhe disa aleatëve të saj - në ndjekje të interesave të militantëve dhe përkrahësve të tyre - janë ku e ku më të qarta. Paçka se krerët demokratë shtiren të përvëluar për “interesat e gjithë shqiptarëve”. Përtej fjalimeve demagogjike, pikërisht plotësimi i interesave të shtresave të kufizuara dhe të vetë politikanëve (të ashtuquajtur) të djathtë, ishte një nga shtysat kryesore të riardhjes së kësaj force politike në pushtet. Në këto 17 vite tranzicion, politikanë (të të gjitha ngjyrave) janë pasuruar dhe e kanë ngritur jetën e tyre private në nivele të papërfytyrueshme për shumicën e qytetarëve të thjeshtë. (Një pjesë e mirë e tyre nuk i fshehin më vilat dhe ndërtimet e tjera në Dajt, në Golem, në Vlorë, Himarë e gjetkë. Me gjithë “dënimet” qesharake, me gjithë mosgëlltitjen e përvojës së kaosit nga i gjithë opinioni publik, në Golem e në Shëngjin, edhe sot e gjithë ditën, vazhdojnë ndërtime me dhe pa lejë, në rërë, madje deri në 12 kate.) Por krahas tyre, shtresa të tjera biznesmenësh të mëdhenj, biznesmenësh të vegjël, zyrtarë, patjetër edhe qytetarë të zakonshëm, por gjithnjë militantë, bëjnë pjesë në skotën e gjerë të përfituesve. Pikërisht kjo “shpërndarje e pronave dhe të ardhurave” i bën të gjithëpushtetshmit të qëndrojnë në pushtet, të mbrojnë edhe vjedhjet, shkeljet e gafat. Dhe tani të dëgjojmë për një hop Faik Konicën: “Dikur një ingliz paska thënë se shqiptarët janë një popull plot me “tragic dignity”, kurse sot shqiptarët janë bërë qeshja e botës. Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritmë nga tragjedia në operetë?” Për momentin, nuk ke si të mos iu japësh të drejtë atyre që s’gjejnë asgjë për të qenë në “politikën e vjetër”, në politikën 17 vjeçare. Problemi i parë është si të ikim nga operata “me ata nëpër këmbë”? Dhe i dyti, që resurset e optimizmit, ashtu si edhe pasuritë e tjera të këtij vendi, vijnë duke u shterur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›