E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr mes policëve, një i vdekur dhe një në pranga



SHKODËR - Përfundon në vrasje shakaja e nisur mes dy policëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në komunën e Bushatit në Shkodër. Një efektiv i policisë, i cili ka qenë duke ndërruar turnin me kolegun e tij, është qëlluar duke mbetur i vdekur në vend. Ton Jakini është emri i viktimës së djeshme, ndërkohë që autori i këtij krimi është një tjetër uniformë blu, Ramiz Ademi. Ky i fundit është dorëzuar 30 minuta pasi ka kryer krimin e rëndë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë godinës së Komunës së Bushatit, vend ku të dy, viktima dhe autori, kryenin shërbimin. Të dy policët kanë qenë duke ecur së bashku për të bërë dorëzimet për lënien dhe marrjen e turnit të punës. Nga dëshmitë e mbledhura policia ka mundur të zbardhë dhe shkaqet e ngjarjes, që mësohet se kanë qenë tërësisht banale. Ata kishin qenë duke bërë shaka, por më pas e kanë kthyer në sherr duke e përfunduar në vrasje. Mësohet se dy efektivët kanë qëlluar drejt njëri-tjetrit me armë, por fatalë kanë qenë plumbat që kanë prekur Jakinin, pasi i kanë sjellë vdekjen.
Ngjarja
Autori i dyshuar dhe viktima ishin shokë shumë të mirë deri ditën e djeshme. Ata kishin kohë që punonin së bashku në Komunën e Bushatit në Shkodër. Por ndërrimi i turnit të djeshëm është kthyer në një tragjedi për familjen e efektivit blu, Ton Jakini. Nga burimet policore mësohet se Ramiz Ademi dhe Ton Jakini, të dy policë, ishin së bashku në afërsi të godinës së Komunës së Bushatit. Por pak më vonë ata janë grindur dhe, me sa duket, gjithçka ka ardhur si pasojë e disa fyerjeve që kolegët kanë shkëmbyer mes tyre. Pasi janë ofenduar me fjalë, ata kanë shkëmbyer dhe grushte. Bëhet e ditur se autori i kësaj ngjarjeje të rëndë, Ademi, nuk ka qenë në gjendje normale, pasi dyshohet se ka qenë i dehur. Pas sherrit të nisur ata të nxehur me njëri-tjetrin, kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar. Plumbat i kanë marrë jetën Jakinit. Edhe pse ka qenë shumë afër postës së policisë, Ademi ka arritur që të largohet, ndërsa kolegët kanë nisur kërkimin e tij. Pas pak minutash autori i vrasjes është vetëdorëzuar pas negociatave të bëra nga policia.
Hetimet
Policia e Shkodrës, pas arrestimit të autorit të ngjarjes, ka nisur hetimin, ndërsa nga informacionet e para mësohet se Ramiz Ademi është parë gjatë gjithë ditës në një nga lokalet e fshatit ku dhe banon, në Hajmel të Shkodrës. Nga sa mësohet, policia ka marrë edhe dëshminë e pronarit të lokalit, i cili e ka pohuar faktin se Ademi e ka tejkaluar me pijen. Duke iu referuar dëshmive, ai është nisur në atë gjendje për në punë, ku ka shkaktuar dhe vrasjen. Policia është duke punuar intensivisht për zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes, ndërsa viktima, Jakini, do të përcillet nga familjarët e të afërmit e tij gjatë ditës së sotme për në banesën e fundit.

19 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›