E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati i dështuar, arrestohen pas një viti dy të rinj



FIER - Dy të rinj janë vënë në pranga pasi i kanë bërë atentat një qytetari gati një vit më parë, në hyrje të banesës së tij. Burime zyrtare nga Policia e Fierit kanë bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme, pas një pune intensive nga efektivët e Drejtorisë së Policisë Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, është bërë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim policor. Nga të dhënat zyrtare të Policisë është mësuar se në pranga ka rënë Elis Nuhaj, 21 vjeç, banues në Fier, i padënuar, me shtetësi dhe kombësi shqiptare dhe Julian Lika (Meçi), 24 vjeç, banues në Fier, i padënuar, me shtetësi dhe kombësi shqiptare. Për këta dy persona Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier kishte lëshuar urdhër-ndalimin për veprat penale të “vrasjes me paramendim mbetur në tentative e kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Siç mësohet nga uniformat blu, të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 28 korrik 2009, rreth orës 23:30, në lagjen “Kastriot” në Fier, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri në hyrjen e banesës së tij qytetarin me inicialet B. M. Por atentati kishte dështuar dhe i rrezikuari kishte bërë denoncimin në polici. Këta të fundit menjëherë kishin nisur hetimet dhe kanë zbuluar se si autorë dyshoheshin të ishin të rinjtë e arrestuar dy ditë më parë. Ata kishin gati një vit që ishin shpallur në kërkim dhe arrestimi është bërë pasi uniformat blu kishin marrë informacione në lidhje me vendndodhjen e tyre. Pas ndalimit të të rinjve, dosja me materialet procedurale në ngarkim i ka kaluar Prokurorisë së Fierit, për hetimet e mëtejshme.

Vrasja në tentativë, kapet pas 2 vitesh i dyshuari
DURRËS - Prej dy vitesh ishte shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë, më në fund ka rënë në pranga 26-vjeçari. Burime zyrtare të Policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se, rreth orës 20:00 të dy ditëve më parë është bërë ndalimi i Redi Rjollit, 26 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Lagjen Nr. 13, Durrës, me arsim 11 klasë, i padënuar më parë. Policia tha se ndalimi i tij është bërë për arsye se Gjykata e Rrethit Durrës, me një vendim të datës 16 maj 2008, ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Ngjarja për të cilën akuzohet 26-vjeçari ka ndodhur më 11 prill të dy viteve më parë, në lagjen ku ai banonte. Rrjolli ka tentuar të vrasë me armë zjarri të riun R. Nina. Pikërisht për këtë ngjarje ai ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës në datën 11 prill 2008. Pas ndalimit, dosja me materialet procedurale shtesë në ngarkim të tij i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Durrësit.

Luanin me çakmak, fëmijët i vënë flakën shtëpisë
DURRËS - Loja me çakmakun i ka vënë flakën banesës, ndërsa tre fëmijë janë plagosur lehtë. Ngjarja ka ndodhur në një fshat të Durrësit, ku tre fëmijë po loznin me çakmak në dhomën e gjumit në banesën e tyre kur i kanë vënë flakën. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se dy ditë më parë, në fshatin Rrashbull, Durrës, është djegur pjesërisht banesa e shtetasit K. Tafçiu, 34 vjeç, lindur në Dibër e banues në këtë fshat. Uniformat blu thanë se në momentin e rënies së zjarrit në banesë kanë qenë edhe tri fëmijët e Tafçiut, përkatësisht të moshave 5, 4 dhe 2 vjeç. Ata janë nxjerrë nga banesa dhe janë dërguar në Spitalin e Durrësit për ndihmë mjekësore. Tri fëmijët janë jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet e bëra mendohet se zjarri është shkaktuar nga ndezja e një çakmaku me të cilin fëmijët po luanin në dhomën e gjumit. Dëmet materiale të zjarrit janë të mëdha. Sipas policisë, janë djegur plotësisht mobiliet e dhomës së gjumit.

Shoferi rreh policin se mori gjobë
TIRANË - Një ngjarje skandal ka ndodhur në mes të ditës me diell në Tiranë. Drejtuesi i një automjeti ka goditur një punonjës të Policisë Rrugore teksa ky i fundit ishte në krye të detyrës. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme pranë Stacionit të Trenit në kryeqytet dhe shkak mësohet të jetë bërë një gjobë për shkelje të qarkullimit rrugor. Burime nga policia kanë bërë të ditur se efektivi i Rrugores është goditur nga një person, i cili më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie që kanë marrë dëshmitë e personave që ndodheshin aty në momentin e zënkës. Nga të dhënat e deritanishme debati mes drejtuesit të mjetit dhe policit rrugor ka degjeneruar në përplasje fizike mes tyre për shkak të gjobës. Pas ngjarjes polici rrugor është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe mjekët thonë se ka fraktura të lehta, ndërsa policia ka shpallur në kërkim autorin.

Gjendet e vdekur foshnja, policia nis hetimet
POGRADEC - Një foshnjë e sapolindur është gjetur e pajetë paraditen e djeshme poshtë dritares së reanimacionit në Maternitetin e Pogradecit. Burime konfirmuan se foshnja e sapolindur u gjet nga personeli. Trupi i pajetë i foshnjës gjendej ekzaktësisht në tarracën dytësore të spitalit, poshtë sallës së reanimacionit. Personeli ka mohuar faktin se foshnja ka lindur në maternitet. Nga këqyrja e parë që mjekët i bënë trupit dyshohet se foshnja mund të ketë lindur në ambientet e shtëpisë dhe më pas është braktisur në vendin ku u gjet. Nuk dihet nëse foshnja ka lindur e vdekur, me probleme shëndetësore, apo është sjellë e gjallë jashtë maternitetit me shpresën se mund ta gjente kush. Policia po heton të gjitha këto pista si dhe po punon për identifikimin e prindërve gjenetikë të foshnjës. Mjekët, nga ana e tyre, do të bëjnë autopsinë për të gjetur dhe shkaqet e vdekjes së foshnjës.

Kapet me 2 kg Cannabis, arrestohet i riu
TIRANË - Bie në pranga një i ri pasi kapet në flagrancë me lëndë narkotike. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur ditën e djeshme se efektivët e Seksionit Kundër Narkotikeve kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Kastriot Muharremi, 20 vjeç, banues në Tiranë. Vënia në pranga e tij është bërë pasi dy ditë më parë, rreth orës 14:40, në një bar pranë stadiumit “Selman Stermasi” është kapur në flagrancë ku gjatë kontrollit të ushtruar në lokal janë sekuestruar 34.6 gramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 1963 gramë me gjithë ambalazh, bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sativa. Pas ndalimit, dosja me materialet hetimore në ngarkim të të arrestuarit i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Aksidentohet rëndë punëtori i rrugës Durrës-Kukës

KUKËS - Një tjetër punëtor është aksidentuar rëndë gjatë punimeve në autostradën Durrës-Kukës. Burime të policisë lokale kanë bërë të ditur se, Rustem Saraçi, 36 vjeç, është dëmtuar rëndë nga rripi i transmisionit të betonieres. Menjëherë i është dhënë ndihma nga punëtorët e tjerë, të cilët e kanë dërguar të aksidentuarin në Spitalin e Kukësit. Por gjendja e tij ka qenë e rëndë dhe pas ndihmës së marrë në spitalin rajonal, Saraçi është dërguar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Paraprakisht, sipas Policisë së Kukësit, shkak është bërë pakujdesia e punëtorit. Brenda pak muajsh, në segmentin Kolsh-Kukës kanë gjetur vdekjen katër punëtorë dhe janë plagosur rëndë tre të tjerë. Në të gjitha rastet, hetimet e uniformave blu, si shkak të ngjarjeve kanë nxjerrë pakujdesinë gjatë punës nga vetë viktimat.

19 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›